Kur bota i vlerëson mësuesit “PERSONALITETE TË VITIT”!
Mësuesit janë shtylla kurrizore e shoqërisë. Ata janë model, udhëzojnë dhe me përkushtim u japin nxënësve fuqinë e edukimit. Nëse presim që mësuesit dhe udhëheqësit e shkollave të jenë profesionistë, ne duhet t'i trajtojmë ata si të tillë, thotë Fidan Shaqiri, drejtor në SHFMU “Emin Duraku” në Shtime.
Kur bota i vlerëson mësuesit “PERSONALITETE TË VITIT”
Mësuesit janë vërtet shtylla kurrizore e shoqërisë. Ata janë model për fëmijët, ofrojnë udhëzime dhe me përkushtim u japin nxënësve fuqinë e edukimit. Për shkak të mësuesve, vendet janë në gjendje të zhvillohen më tej në aspektin social dhe ekonomik.
Mësuesit janë, pa dyshim, njerëzit më të rëndësishëm në shoqëri. Ata u japin fëmijëve një ndjenjë qëllimi, i përgatitin ata për sukses si qytetarë globalë dhe u rrënjosin dëshirën për të bërë mirë dhe për të lulëzuar në jetë. Fëmijët e sotëm do të jenë udhëheqësit e së nesërmes dhe mësuesit janë momenti i rëndësishëm në të cilin një fëmijë përgatitet për të ardhmen e tij.
Mësimdhënia është një profesion i vështirë, i cili mund të ketë ndikimin më të madh në jetën e të tjerëve.
Mësuesit kanë potencialin të formojnë liderët e ardhshëm në mënyrën më të mirë të mundshme për shoqërinë, në mënyrë që të ndërtojnë breza të mirë dhe të ardhshëm. Kështu, ata dizajnojnë shoqërinë në një shkallë lokale dhe globale. Mësuesit, në fakt, kanë punën më thelbësore në botë. Ata që kanë një efekt te të rinjtë, kanë aftësinë për të transformuar jetët. Jo vetëm për ata fëmijë, por për jetën e të gjithëve.
Gjithçka që mund të arrihet në jetë bazohet në njohuri dhe edukim. Mësuesit u japin fuqinë e edukimit të rinjve, duke u ofruar atyre shpresë për një të ardhme më të mirë.
Mësuesit i ndihmojnë nxënësit të kuptojnë tema abstrakte, duke i thjeshtuar të komplikuarat. Mësuesit gjithashtu i mësojnë nxënësit me koncepte dhe lëndë që nuk do t'i kishin mësuar më parë. Mund të zgjerojnë interesat e nxënësve të tyre dhe t'i sfidojnë ata për të arritur më mirë.
Kjo nënkupton që mësuesit jo vetëm që duhet t'i kryejnë mirë detyrat e tyre, por edhe të përpiqen të rrisin aftësitë e tyre gjatë karrierës së tyre, të angazhohen me kolegët dhe prindërit për të përmirësuar shkollën dhe të mendojnë me imagjinatë për vështirësitë me të cilat përballen.
Nëse presim që mësuesit dhe udhëheqësit e shkollave të jenë profesionistë, ne duhet t'i trajtojmë ata si të tillë.
Në mbarë botën, puna e mësimdhënësve që u bë për t'i siguruar nxënësit që të mund të vazhdonin shkollimin e tyre gjatë izolimit dhe pandemisë dhe më pas të siguroheshin që të gjithë fëmijët të kthehen në klasat e tyre ishte fenomenale. Pra është fantastike të kuptosh që ka kaq shumë njerëz që njihen me disa nga nderimet më të larta që mund të japin shtetet e caktuara. Televizione, gazeta e portale dhe njerëz me ndikim nga e mbarë bota vlerësuan angazhimin e mësimdhënësve dhe tejkalimin e sfidave vetëm që fëmijët të marrin mësimet dhe njohuritë e nevojshme.
Mbretëresha e Britanisë së Madhe e nderon një mësuese dhe drejtoreshë të shkollës me Urdhrin Mbretëror “Komandant i Urdhrit të Perandorisë Britanike” për shërbimet e saj në arsim edhe gjatë pandemisë.
Revista Amerikane “People” i emëron të gjithë mësuesit "Njerëzit e Vitit" dhe fotografinë e mësueses Juliana Urtubey e vendos në krye të tabloidit.
Presidenti i SHBA-së Joe Biden dhe Zonja e Parë Jill Biden nderojnë mësuesit me çmimin “Dy mollë qelqi” për Mësuesit e Vitit 2020 dhe 2021. Presidenti Joe Biden u tha mësuesve: “Mos e nënvlerësoni atë që bëni. ... Ju bëni një ndryshim gjigant.”
Në Kanadë, Kryeministri Justin Trudeau ka çmim special për punën e mësimdhënësve. Çmimi kryesor i Kryeministrit për Përsosmëri në Mësimdhënie nderon mësimdhënës të cilët kanë demonstruar angazhim, lidership dhe që bëjnë ndryshim në jetën e nxënësve të tyre (sidomos gjatë pandemisë).
Në Finlandë të gjithë mësuesit finlandezë janë zgjedhur “Influencues Arsimor të vitit 2020” për angazhimin e tyre dhe aftësitë profesionale në rrethanat e jashtëzakonshme.
Në Gjermani në shenjë nderimi ndaj punës së tyre, janë zgjedhur fituesit e çmimeve të mësimdhënies 2021 në Universitetin Friedrich Schiller Jena, çmimi special për mësimdhënie të shkëlqyer, pavarësisht sfidave të pandemisë.
Në Suedi mbahet Samiti i Mësuesve të Çmimit Nobel për t’i nderuar mësimdhënësit. Nga kjo organizatë mësuesit konsiderohen si VIP - Persona Shumë të Rëndësishëm.
Grupi i Miqve të OKB-së për “Arsimin dhe Mësimin gjatë gjithë jetës” nderoi me përulje përpjekjet dhe arritjet e mësimdhënësve në mbarë botën, sidomos gjatë pandemisë.
Në Australi gjatë një hulumtimi për punën e mësimdhënësve, përfundimi ishte ky:
”Hulumtimi i Universitetit tregon se 72% e prindërve të anketuar besojnë se mësuesit punojnë në interesin më të mirë të fëmijëve të tyre dhe 76% e prindërve tashmë e kuptojnë se sa shumë bëjnë mësuesit për mirëqenien e një fëmije.”
Pra, sa më i lartë të jetë respekti për mësuesit, aq më shumë ka gjasa që shoqëria jonë të prosperojë. Çdo profesion zë një vend specifik në shoqëri - mjekët shërojnë, inxhinierët projektojnë dhe ekonomistët zhvillojnë shtetin. Megjithatë mësuesit nxisin rritjen e individëve, si dhe të kombeve.
Përkundër të tjerëve, shumica e mësimdhënësve e dinë se nuk mund të bëhen të pasur dhe të famshëm, por këtë e bëjnë vetëm për të ndihmuar njerëzimin.
Nga: Fidan Shaqiri, drejtor në shkollën fillore "Emin Duraku" në Shtime
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Tronditjet në shoqërinë tonë shqiptare/ Përse të rinjtë po rriten “të mbyllur” në një shoqëri të hapur?
Prindërimi i suksesshëm, sfida më e madhe e familjes së sotme!
Për t'u edukuar nuk mjafton arsimimi