Kundër zhvatjes studentore: Kush s’ka, s’paguan!

"Studenti sot zhvishet nga çdo lloj vlere shoqërore, duke i munguar shpresa për të ardhmen, formimi dhe angazhimi politik, besimi për t’i ndryshuar gjërat..."

Muaji janar është muaji ku studentët fillojnë të përgatiten nga njëra anë për provimet, të cilat janë krejt teknike për shkak se më shumë shërbejnë për t’i distancuar sesa për t’i ndihmuar të hyjnë në një marrëdhënie më të afërt me dijen, e nga ana tjetër për të bërë pagesën e tarifës shkatërrimtare studentore, si shkak i së cilës bëhet e pashmangshme sakrifica e madhe e familjeve që kanë fëmijë studentë.

Prindërve u duhet të punojnë deri në vetëmohim, duke u shfrytëzuar skllavërisht apo duke hyrë në borxh vetëm e vetëm që fëmija i tyre të arsimohet. E gjithë kjo sakrificë, edhe pse universiteti që kemi sot është i distancuar nga studenti dhe problemet e shoqërisë, duke prodhuar kartonë pa vlerë që quhen diploma, duke ofruar më pak dije dhe cilësi, si dhe duke zhvatur xhepat studentorë.

Kur flasim për zhvatje të xhepave studentore nuk e kemi vetëm për shifrën marramendëse të tarifave, por edhe për çdo lloj pagese të paarsyeshme dhe të kripur që studenti bën në universitet dhe jashtë tij. Për ta kthyer në rrafsh praktik, po përmend detyrimin jologjik që duhet të shlyeja si studente. Muajin që shkoi mu desh një vërtetim studentor.

Kur u përballa me sekretarinë e fakultetit dhe depozitova kërkesën për një vërtetim, sekretarja, duke më zgjatur një fletushkë , më tha se së pari duhet të shkoja në bankë, ku më duhej të paguaja 250 lekë (të reja) e më pas ta çoja në mandatin e arkëtimit fakultet. Vetëm atëherë do të mund të aplikoja për vërtetim studentor, të cilin pastaj mund ta tërhiqja pas tre ditëve.

Pa llogaritur procedurat e zgjatura dhe pritjet e panevojshme me ditë të tëra, që vetëm konfirmojnë se unë jam studente e këtij fakulteti, për një vërtetim studentor duhet të paguaja 250 lekë. Për certifikatë notash dhe kartonin e diplomës do na duhet të paguajmë edhe 1000 lekë të tjera. Për çdo vit studimi bachelor do na duhet të paguajmë 40 000 lekë të tjera.

Ndërsa për një vit studimi master do na duhet të paguajmë 100 000 lekë të tjera në vit, ose më shumë. E duke paguar kaq shumë para për t’u arsimuar dhe fletushka A4, nuk e di nëse më mbeten më lekë për të blerë libra, për t’u ushqyer normalisht apo për të plotësuar nevojat më bazike jetësore.

Më e keqja është se nuk arrijmë dot t’i arsyetojmë këto lloj pagesash. Kur unë jam në fakultet, jam në shtëpinë time të cilën e ndërtoj dhe e banoj vetë si student, nuk kam përse të paguaj për ta vërtetuar që e banoj këtë shtëpi, aq më tepër kur unë paguaj në vit 40 000 lekë apo 100 000 lekë, sipas ciklit. Si student, unë jam vetë universiteti. Nëse supozojmë se nga rreth 4 000 studentë të Fakultetit të Shkencave Sociale gjithsecili do të kërkonte minimalisht një vërtetim studentor gjatë një viti akademik, shuma që do të depozitohej do të ishte 1 000 000 lekë (të reja). Ndërsa nga 1 200 studentë që diplomohen në vit, fakulteti depoziton 1 200 000 lekë (veç tarifave të studimit), vetëm e vetëm që këta studentë t’i pajisë me një karton që nuk shoh se do të ketë ndonjë lloj vlere gjithsesi.

Në fakt, studenti nuk zhvatet vetëm ekonomikisht. Problemi është më i madh se kaq, pasi studenti sot zhvishet nga çdo lloj vlere shoqërore, duke i munguar shpresa për të ardhmen, formimi dhe angazhimi politik, besimi për t’i ndryshuar gjërat e, mbi të gjitha, mundësia dhe dëshira për të reaguar ndaj padrejtësive që bëhen ndaj tij dhe shoqërisë. Mirëpo nuk duhet të ngelemi në batakun e të paguarit për hir të pagesës dhe detyrimit që na vënë sepse ky proces nuk ka asnjë lloj sensi logjik, për më tepër pagesat duhet të jenë në proporcion me mundësinë reale të një studenti, familja e të cilit merr pagë minimale ose, në rastin më të mirë, mesatare. Ne nuk jemi bankomat që mbushim arkat e shtetit, ku për të paguar tarifat detyrohemi të futemi në borxhe disavjeçare dhe të papërballueshme.

Kush s’ka, nuk paguan!

(Nga Viki Çipi)

2,385 Lexime
8 vjet më parë