ZGJEDHJET NË UNIVERSITETE

Kule: Akademikët duhet të jenë shembull i zgjedhjeve

Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, do të angazhohet si akademik në Fakultetin e Ekonomisë, ndërsa apelon që zgjedhjet të jenë shembull i një procesi korrekt dhe transparent në vend

Ligji i ri i arsimit të lartë kufizon deri në 2 mandate pa të drejtë rizgjedhje drejtuesit e Universiteteve. Ata që kanë drejtuar deri në 8 vite institucionet e arsimit të lartë, në zgjedhjet që do të mbahen në 20 prill nuk do mund të jenë më pjesëmarrës.

Një prej drejtuesve që nuk do të jetë më në krye të institucioneve të arsimit të lartë është rektorit i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, do të angazhohet si akademik në Fakultetin e Ekonomisë, ndërsa apelon që zgjedhjet të jenë shembull i një procesi korrekt dhe transparent në vend.

“Unë e kam të kufizuar, ligji parashikon vetëm dy mandate dhe nuk më shkon mendja për mandat tjetër në pozicionin e Rektorit, por edhe po të më shkonte ligji e ka të kufizuar. Kështu që unë do të kryej përgjegjësitë e mia profesionale, do të kontribuoj për Universitetin sepse unë e kam të lidhur jetën me Universitetin e Tiranës”, thotë Kule.

Akademikët presin rregulloren e re të Ministrisë së Arsimit për shpalljen e kandidaturave dhe mënyrës sesi do të vijohet me zgjedhjet.

Pesha e votës së studentëve sipas ligjit të ri është vetëm 10%.

“Gjej rastin të vlerësoj qëndrimin, vlerësimin dhe marrjen në konsideratë nga Ministrja e Arsimit të sugjerimeve tona. Universitetet të kryejnë dhe atë funksion dhe atë detyrim që kanë ndaj shoqërisë për të dhënë modelin që institucioni i zgjedhjeve duhet të realizohet ashtu sikurse realizohet në Universitete. Studentët kanë të drejtë, të gjithë votojnë, votat e tyre konvertohen në 10% të votave të përgjithshme” , është shprehur Kule.

(Shekulli)

1,779 Lexime
8 vjet më parë