Kujdesi ndaj fëmijëve, kryefjalë e familjes, shkollës, shtetit dhe tërë shoqërisë
Pas emrit të çdo nxënësi, pas numrit rendor në regjistër, pas çdo note, është një fëmijë me botën e tij shpirtërore në formim, i brishtë, që ka nevojë të orientohet, të nxitet e të mësojë! Duke ndihmuar fëmijët, ndihmojmë të ardhmen.
Kujdesi ndaj fëmijëve është dhe duhet të jetë kryefjalë e shoqërisë.
Kanë qenë të suksesshme ato periudha apo ata breza që kanë pasur këtë përkujdesje ndaj fëmijëve, duke filluar nga familja si qeliza bazë e shoqërisë, nga shkolla, e cila ka qenë dhe është vendi ku fëmijët mësojnë dhe edukohen, tek shteti dhe të gjithë institucionet e shoqëria, të cilët asnjë çast nuk duhet ta largojnë vëmendjen nga fëmijët, duke parë atje vazhdimin dhe të ardhmen. Asnjëherë nuk është kohë e humbur të merresh dhe të angazhohesh me fëmijët, aq më tepër që ata janë si ai lastar i brishtë, i cili që të rritet i shëndetshëm e të zhvillohet, të ruaj gjelbërimin dhe kur të vijë koha të prodhojë, doemos kërkon në mënyrë të vazhdueshme kujdesin e bujkut të mirë dhe të zotë, por dhe të merakosur çdo ditë për ecurinë dhe zhvillimin.
Natyrisht që familja dhe shkolla kanë rolin parësor në këtë edukim dhe mësim, pasi aty fillojnë gjërat, aty hidhen themelet e shëndosha të edukimit dhe të formimit qytetar të fëmijëve, që ata të rriten të shëndetshëm, të edukuar mirë me edukatë e sjellje, me dije e kulturë, me njohuri të thella dhe të gjithanshme për jetën, të sotmen dhe të ardhmen. Gjithnjë është vlerësuar ky fakt, por pak është bërë realisht, dhe, pak bëhet. Ndonëse flitet shumë, ndonëse zotimet për fëmijët janë të pafundme, ajo që bëhet është pak dhe shumë pak, madje në mjaft raste ata dhe kujdesi ndaj tyre i lihen rutinës dhe spontanitetit.
Prindi nuk e gjen kohën të merret me ta, sepse ka shumë punë dhe halle të tjera, kur puna më kryesore është edukimi dhe formimi qytetar i fëmijës së tij. Ai kujtohet për fëmijën me raste ditëlindjesh, me raste festash si 1 Qershori, me rastin e Vitit të Ri, që t`i çojë ndonjë dhuratë, kur fëmija kërkon kujdesin e tij të vazhdueshëm, ashtu sikurse dhe ushqimin që merr përditë.
Apo edhe shkolla që e ka detyrë shtetërore këtë edukimi, mjaftohet në programin mësimor e lëndor dhe fare pak i kushton vëmendje formimit të nxënësve me edukatë dhe sjellje të larta, që do t`i shërbenin për jetën dhe të ardhmen. Një godinë e fortë, doemos kërkon themele dhe konstruksione të forta, sepse themelet dhe konstruksionet janë ato që e mbajnë godinën, që sigurojnë jetëgjatësinë e saj.
Natyrisht që shkolla ka rol delikat sepse është institucion i specializuar për edukimin he formimin qytetar të fëmijëve, të cilët në shkollë marrin njohuritë bazë të zhvillimit. Aty janë dijet sociale dhe shkencore, aty është edukata dhe marrëdhënia mes njerëzve, aty janë ligjet që mbajnë dhe zhvillojnë drejt një shoqëri të caktuar.Jeta në shkollat shqiptare rrjedhë dhe gjallëron përditë. Krahas përkushtimit të drejtuesve, mësuesve dhe nxënësve për zbatimin e programeve dhe përvetësimin e dijeve, herë-herë ndodh diçka që qortohet nga mësuesit. Disa nga nxënësit vijnë të papërgatitur në mësim, të tjerë kanë ardhur pa bërë detyrat ose kanë harruar fletoret në shtëpi, dikush nuk është i vëmendshëm dhe gjatë orës së mësimit hedh vështrimin ëndërrimtar nga dritarja, dikush godet me një shuk letre shokun në krah të tij, dikush tjetër shkarravit mbi tavolinë emrin e sportistit apo këngëtarit të famshëm që ka për zemër etj. Pas mësimit këta nxënës adoleshentë, gjithnjë të zhurmshëm dhe të hareshëm, duan edhe të luajnë pakëz, të argëtohen, të bëjnë edhe ndonjë shaka, të tregojnë një anekdotë. Por, diku ndodh edhe ndonjë grindje apo sherr i mprehtë, një zënkë që nis si me shaka dhe shndërrohet padashur në një konflikt të rëndë dhe të rrezikshëm. Madje ndonjëri nga jashtë oborrit të shkollës, kërkon të bëj të fortin dhe, ai dëshiron të dallohet nga të tjerët, të jetë ndryshe dhe origjinal në mendimet, fjalët dhe veprimet e tij. Ai kërkon të zbulojë rrugët që i duken të drejta për të qenë sa më interesant në jetë, të tërheqë vëmendjen e të tjerëve drejt tij. Pa këto zhurma të hareshme nuk mund të kuptohet dot jeta e adoleshentëve. Nëse do t`i kthehemi realiteteve të shkollës, pas emrit të çdo nxënësi, pas numrit rendor në regjistër, pas çdo note, është një fëmijë me botën e tij shpirtërore në formim, i brishtë, që ka nevojë të orientohet, të nxitet e të mësojë, paçka se ai për veten e tij thotë se “i di të gjitha dhe s`ka asgjë për të mësuar”. Por ai ndihet keq kur ndjen indiferentizëm ndaj tij, kur nuk e përfillin dhe nuk tregojnë interes për të. Ai ndihet keq kur nuk di se ç`të bëj, kur nuk ka motive në jetë. Në kësi rastesh për fëmijët, një ditë nuk ndryshon nga një ditë tjetër, një muaj nuk ndryshon nga një muaj tjetër: “Ah, gjithnjë të njëjtat gjëra! Sa ditë të mërzitshme!”.
Nxënësit adoleshentë fillojnë e bëhen melankolikë, mbyllen në vetvete, bien në pesimizëm e deri në dëshpërim të thellë. Dhe ky është çasti më i rrezikshëm, sepse ata përpiqen të gjejnë ngushëllim dhe zgjidhje, duke hedhur vështrimin nga rruga, që i tërheq si “gjarpër i keq”. Lexo po deshe hartimet e çiltra të disa prej këtyre adoleshentëve. Aty ata rrëfehen, aty shprehin diçka nga zjarri i shqetësimeve që i djeg përbrenda shpirtit, aty sheh se si ata përpiqen e përpëliten pa mundur të gjejnë gjithnjë rrugët më të drejta të jetës. Nuk them se këta adoleshentë duhet të mbahen për dore. Jo. Këtë ata nuk e pranojnë, ndihen të fyer, por gjithsesi, ata duhen orientuar, duhen ndihmuar të kapërcejnë gjendjen stresante dhe të rënduar psikologjike. Ata duhen shkundur, duhen vënë në lëvizje, duhen hedhur në veprim. Në shkollë është vendi ku duhet të edukohen ndjenja dhe të nxiten ëndrra të bukura, është vend ku hedh shtat personaliteti i adoleshentit, ku ai orientohet drejt së bukurës dhe së mirës, së drejtës dhe progresives. Shkolla ka rolin e saj të padiskutueshëm dhe parësor në ndryshimin e gjendjeve dhe përsosjen e realitetit ku jetojmë.
Është forca e arsimit dhe e kulturës që shpërndan mjegullën dhe errësirën, prapambetjen dhe injorancën, që i kundërvihet së keqes dhe ligësisë, që mbron të drejtat e adoleshentëve nga dhuna dhe arbitrariteti…Duke u ndodhur përballë vështirësive, duke ngritur nivelin e punës së saj, shkolla të përdorë edhe ajo “armët” e reja të kohës moderne për të qenë e aftë të fitojë mbi sfidat, dukuritë negative, të ndikojë së bashku me shoqërinë dhe shtetin dhe të “ndërhyjnë’ bashkërisht që t`i shpëtojnë adoleshentët nga e keqja, të vihet në krye të veprimeve të fuqishme humanitare… E përbashkët është se, të gjithë kemi qenë dikur nxënës dhe si të tillë nëpër vite bëjmë vlerësime dhe shfaqim opinione për mësuesit tanë. Ata qëndrojnë në mendimet dhe përfytyrimet tona si njerëz të afërt, kujtimet për ta na bëjnë që të ndjehemi mirë, na bëjnë që të na vërshojnë emocione dhe mbresa të shumta, teksa malli dhe buzagazi na rrëshqet ëmbël në fytyrat dhe në sytë tanë. Nuk e di pse ndodh kjo me mësuesit? Mbase, sepse të gjithë kemi marrë diçka prej tyre në formimin tonë, në shprehitë dhe zakonet tona, diçka që fillon që nga mënyra se si përshëndetemi, sesi respektojmë dhe duam njëri-tjetrin dhe jetën, nga mënyra se si nisim dhe zhvillojmë një bisedë si zgjidhim një problem, si futemi në botën e mrekullueshme dhe të mistershme të dijes…
Janë mësuesit të parët që kapin prirjet e nxënësve dhe kujdesen vazhdimisht që ato të nxiten dhe të zhvillohen më tej. Se talenti nuk zhvillohen vetvetiu, por kërkon një mjedis përkrahës ashtu si fara, e cila që të shndërrohet në bimë, kërkon kushte të caktuara klimaterik-tokësore, kërkon shërbim , ngrohtësi e përkujdesje. Dhe, jo vetëm muaji i letërsisë, por edhe çdo orë tjetër e mësimit duhet të bëhen nxitje për ata nxënës, të cilët shfaqin prirje dhe ide krijuese. Të vihen në lëvizje energjitë krijuese të fëmijëve. Ato ekzistojnë, janë të fshehura dhe të strukura brenda tyre, ato duhet të zgjohen, të vihen në lëvizje, të trokitet në to: “-Hej, djalosh, zgjohu! Mos fli gjumë! Jeta është e bukur, shiko, hap sytë, hidhu edhe ti në vrullet dhe dallgët e jetës, lëviz, përpiqu, mundohu, përleshu me të keqen, kapërce majën dhe ec përpara, vazhdo ngjitjen, ke maja të tjera përpara për të kaluar. Tek përballimi i këtyre vështirësive, te kapërcimi i tyre qëndron bukuria e jetës. Kështu, aftësitë, talentet e nxënësve nuk kalojnë si hije, pa u ndjerë dhe pa u vënë re, pa mundur të tregojnë aftësitë dhe talentin e tyre…".
Këtu, mësuesi është kultivuesi, është regjisori më i mirë dhe më i talentuar. Janë të shumta fushat ku mund të veprohet, ku mund t`u hapen horizonte adoleshentëve dhe jeta e tyre të motivohet, të marrë vlerë dhe kuptim. Natyrisht jo paternalizëm, jo diktim i ideve, por nxitje, krijim i një atmosfere dhe kushteve të përshtatshme që fëmijët të zgjedhin vetë më të mirën, më interesanten dhe më të bukurën për ta dhe të veprojnë. Atyre nuk mund t`u mohohet zhvillimi i natyrshëm i jetës. Nuk u duhet “vrarë” fëmijëria dhe rinia, ata duhet ta jetojnë jetën natyrshëm, pa sforco e mundim, nuk duhet t`u diktohet se çfarë duhet të bëjnë dhe çfarë s`duhet të bëjnë, por t`u tregohet e mira dhe e keqja, e bukura dhe e shëmtuara nëpërmjet veprimeve, ndodhive, debateve, ballafaqimeve… Ata duhen nxitur , duhen hedhur në veprim me forcën e fjalës, të ideve, të mendimit të mençur. Në kujtesën e nxënësve mbahet mend mësuesi që i nxiti, që u ngjalli besim, që u hapi horizonte të reja për një drejtim të caktuar, zbuloi dhe nxiti pasionin që ata mbanin të fshehur në shpirt e zemër, ata kanë mall dhe respekt, sepse i dedikojnë mësuesit të tyre deri edhe të ardhmen…
Ja sesi si shprehet një nxënëse për mësuesin e saj të letërsisë: “Të zhvillosh orën e mësimit të letërsisë, do të thotë të udhëtosh në botën e rikrijuar nga ne me petkun e fantazisë. Të fluturosh në lartësitë më të mëdha marramendëse, të jesh i lumtur, të ndjesh freskinë e ujërave të lumenjve, të luleve të bukura e të kapesh realen. Nuk është vetëm një ëndërr, është thjeshtë një orë e nxitur nga mësuesi që shfrytëzon thellësitë e moshës tonë për të na strukur në gjirin e letërsisë e në tërë skutat e fshehta e të mrekullueshme të saj. Dhe, të gjitha këto, do të doja t’i mblidhja, t’i lidhja në fjongo dhe t’ia dhuroja mësuesit tim".
Dhe në qendër ka qenë dhe mbetet figura e nderuar e mësuesit, e këtij udhërrëfyesi të shkëlqyer të dijes dhe përparimit. Prandaj dhe mësuesi mbetet gjatë gjithë jetës i fiksuar në mendjen dhe kujtesën e nxënësve.
Me aftësi, takt e durim, mësuesit dinë t’i marrin fëmijët e nxënësit e tyre ashtu si janë dhe punojnë pa reshtur e pa u lodhur për skalitjen e mendjes së tyre, për pajisjen me dije të thella mbi botën dhe shoqërinë njerëzore. Mësuesit ndihen të nderuar dhe të obliguar kur drejtoria e shkollës, mësuesit apo dhe vetë nxënësit i ftojnë për takime dhe bashkëbisedime dhe kërkojnë ndihmën e tyre për problemet që prokupojnë. Ndaj shkollës jemi të ndjeshëm dhe i detyrohemi të gjithë, prandaj t’i afrohemi shkollës, jo vetëm kur na thërret drejtori apo mësuesi kujdestar për fëmijën që është mbetës, rrezikohet të përjashtohet për shkak të mungesave të shumta, por të jemi atje sa herë që shkolla ka probleme dhe gjera për të zgjidhur. Sikurse, drejtoria e shkollës, mësuesit i kanë të gjitha hapësirat e nevojshme që tu drejtohen hapur dhe pa droje prindërve të nxënësve, specialistëve, njerëzve të artit e të kulturës, biznesmenëve. Ata ndihen të nderuar dhe të obliguar kur drejtoria e shkollës, mësuesit apo dhe vetë nxënësit i ftojnë për takime dhe bashkëbisedime dhe kërkojnë ndihmën e tyre.
Duke ndihmuar shkollën, ndihmojmë fëmijët të sotmen dhe të ardhmen e tyre. Shumë mësues kanë qenë të suksesshëm që me taktin, kulturën pedagogjike dhe horizontin e gjerë, kanë arritur të zgjojnë ide, energji, pasione dhe dëshira tek nxënësit. Ata mësues human e zemërgjerë, që u qëndrojnë pranë nxënësve, ashtu si fëmijëve te tyre, që zbulojnë prirjet dhe ndihmojnë të motivojnë jetën e nxënësve, që “mjekojnë” gjendjen e tyre stresante dhe zgjojnë shpresa dhe besime të reja. Vetëm kështu afrohemi më shpejt qytetërimit europian e më gjerë. Duke ndihmuar shkollën dhe mësuesit ndihmohen fëmijët dhe të rinjtë, që janë e sotmja dhe e ardhmja e vendit.
Nga Fran Gjoka, mësues dhe gazetar i njohur shqiptar
(Portali Shkollor)
Tronditjet në shoqërinë tonë shqiptare/ Përse të rinjtë po rriten “të mbyllur” në një shoqëri të hapur?
Roli i mësuesit në zhvillimin e personalitetit të fëmijës
Dallimet midis shkollës tradicionale dhe shkollës moderne