Analizë

Kualifikimi i mësuesve: Kur diplomat vlejnë më pak se certifikatat!

Ndryshimet në udhëzimin për kualifikimin e mësuesve kanë ulur vlerësimin për diplomat e avancuara, duke i dekurajuar mësuesit të ndjekin studime shtesë. Ndërkohë, certifikatat e gjuhës vlerësohen më shumë. Ky vendim ngre pikëpyetje mbi logjikën dhe ndikimin e tij afatgjatë në cilësinë e arsimit.

Shkruar nga Fiqiri Çifliku 


“Kur më shumë rëndon bishti se sqepari...”- Kjo është një shprehje popullore shumë e njohur në kulturën shqiptare, e cila përdoret për të ilustruar një situatë kur pjesa më e rëndësishme nuk merr vëmendjen e duhur, por përkundrazi, më pak e rëndësishmja vlerësohet më shumë.  Kur diçka e parëndësishme bëhet fokusi kryesor, ndërsa ajo që ka vlerë harrohet duhet të bëjmë kujdes, të mos lejojmë që detajet e vogla të na largojnë nga ajo që ka rëndësi.



Pikërisht si puna e sqeparit dhe bishtit të tij, e ka katandisur udhëzimi nr. 6, datë 21.1.2025, "Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin, nr. 17, datë 22.7.2024, "Për kriteret dhe procedurat e kualifikimit të punonjësve arsimorë", procesin e kualifikimit të mësuesve. Ky udhëzim ka bërë disa ndryshime edhe pse ende nuk ishte provuar se si do të funksiononte, por pak rëndësi ka kjo. E rëndësishmja qëndron tek një ndryshim që sipas meje është jo vetëm i palogjikshëm, por edhe pa lidhje me politikat për të stimuluar vetkualifikimin e mësuesve me programe të tjerë të ofruara nga institucionet e arsimit të lartë, siç janë diplomat e nivelit të dytë me 60, 90 apo 120 kredite që zgjasin deri në dy vite. Ky ndryshim i dekurajon të gjithë punonjësit që kanë dëshirë të ndjekin arsim shtesë, që lidhet me profilin e punës për faktin e thjeshtë, tashmë nuk vlen asgjë. E kur them asgjë, e kam fjalën nuk vlen asnjë pikë të vetme në dosjen individuale të kualifikimit. Pika (dh) e udhëzimit ka bërë ndryshime në elementët e shtojcës, si më poshtë:


Në shkronjën "b" të shtojcës nr. 5 bëhen ndryshimet si më poshtë:


Diplomë: për ciklin e tretë të studimeve “Master ekzekutiv” ose ekuivalentë me të në fushën e edukimit (nëse ka)”: 5 pikë.


Diplomë: për fitimin e gradës shkencore “Doktor” në fushën e edukimit, e drejtimit të arsimit dhe/ose që lidhet me profilin përkatës (nëse ka)”: 10 pikë.


Togfjalëshi në kolonën e pikëzimit që i përket shkronjës "b" ndryshon "nga 8-10 pikë" në 5-10 pikë.


Ndërkohë që më parë diplomat e ciklit të dytë (master) me 60-120: kredite ECTS, diplomat e ciklit të tretë "Master ekzekutiv" ose të barasvlershme me to me 60-120 kredite ECTS, doktoratë të fituar në fushën e edukimit, të drejtimit të arsimit dhe/ose qe lidhet me profilin përkatës vlerësoheshin përkatësisht:   


Diploma me 60-90 kredite, 8 pikë;

Diploma me 120 kredite, 9 pikë;

Doktoratë 10 pikë;


Në asnjë rast këto lloj diplomash nuk përfitonin pikë shtesë nëse vlenin si kriter shkollimi për ushtrimin e profesionin e mësuesit.


Ndërkohë është e çuditshme se udhëzimi vlerëson me pikë një dëshmi të gjuhës së huaj duke filluar nga niveli A1 e deri tek C, në shumë raste (pa paragjykuar) ndoshta individi, di të thotë vetëm "Mirëdita" ose thjesht e ka marrë dëshminë A1. Në këtë kuptim të mos vlerësosh një diplomë të nivelit dytë është jo vetëm pa kuptim por edhe qesharake.


Ka një arsyetim për këtë ndryshim të udhëzimit? Cili do të jetë efekti i tij afatgjatë?



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,915 Lexime
2 ditë më parë