Arsimi në botë

Koronavirusi dhe dilemat për vitin e ri shkollor/ Në Amerikë dhe Gjermani rifillon mësimi nëpër klasa

Shtetet në gjithë botën janë duke u përballur me dilema rreth mënyrës së kthimit të fëmijëve nëpër shkolla, teksa koronavirusi është ende prezent. E megjithatë në disa shtete të Amerikës dhe në Gjermani tashmë nxënësit i janë drejtuar ambienteve shkollore për të zhvilluar mësimin.

Shtetet në gjithë botën janë duke u përballur me dilema rreth mënyrës së kthimit të fëmijëve nëpër shkolla, teksa vazhdon të ketë raportime për shpërthime të reja të koronavirusit.


Në Shtetet e Bashkuara, vendin e prekur më së keqi në botë nga ky virus, me më shumë se 4.7 milionë persona të infektuar, udhëheqësit e distrikeve shkollore janë duke analizuar një varg qasjesh.


Eksperti i Qeverisë amerikane për Sëmundje Infektuese, Anthony Fauci, ka thënë përgjatë një interviste  se dëshiron që fëmijët të kthehen në shkollë, mirëpo një gjë e tillë duhet të bazohet në kushtet lokale.

“Pozicioni fillestar është që të tentoni sa më shumë për hapje të shkollave. Mund të jenë disa zona kur shkalla e virusit është aq e lartë andaj kthimi i fëmijëve në shkollë nuk do të ishte praktik. Prandaj nuk mund të kemi një deklaratë për kthim të fëmijëve në shkollë në SHBA. Varet ku jeni.”, ka thënë Fauci.

Presidenti amerikan, Donald Trump është duke bërë presion për rihapje të shkollave, duke e bërë këtë një prej çështjeve kyçe para zgjedhjeve të muajit nëntor, pavarësisht pse territori amerikan ka regjistruar rreth 155,000 vdekje.

Kthimi i fëmijëve në shkolla konsiderohet kusht edhe për kthim të prindërve në punë, ndonëse ka shqetësime se nxënësit mund të infektohen dhe të dërgojnë virusin nëpër shtëpi.


Viti i ri shkollor fillon këtë javë në disa shtete, duke përfshirë Xhorxhian, Luizianan, Misisipin dhe Tenesin.


Në mesin e mundësive të ofruara për vitin e ri shkollor janë: shkuarja në klasa, mundësia e mësimit në distancë përmes platformave online, apo kombinimi i të dyja qasjeve.


Megjithatë rritja e numrit të rasteve me koronavirus ka nxitur disa zona që të shtyjnë mësimin nëpër klasa, të paktën në javët e para të fillimit të mësimit, duke përfshirë Llos Angjellesin, Filadelfian dhe Uashingtonin.


Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo ka thënë se do të njoftojë më vonë gjatë kësaj jave, nëse do të rihapen shkollat në këtë shtet. 

Në Indiana, ku shkollat janë rihapur javën e kaluar, rritja e numrit të të infektuarve ka ndikuar në mbylljen e dy institucioneve shkollore, duke vënë në pah edhe një herë sesa i vështirë është kthimi në normalitet.


Ndërkohë që shkollat bëjnë plane, shumë mësues kanë dyshime për kthim në klasa. Mësimdhënësit e dhjetëra shkollave kanë protestuar nga makinat e tyre rreth planeve të disa guvernatorëve për kthim në klasa gjatë kohës së pandemisë.

Më 3 gusht, në Nju Jork shoqatat e mësuesve dhe nxënësve kanë protestuar kundër rihapjes së pasigurt të shkollave. 

Nxënësit gjermanë u rikthehen ambienteve shkollore


Për dallim nga SHBA-ja, pavarësisht pse shqetësimet për shpërthime të reja të koronavirusit janë në rritje në Evropë, dhjetëra mijëra nxënës gjermanë janë kthyer të hënën në shkollë, pas përfundimit të pushimeve verore në landin verior, Mecklenburg-Vorpommern. Ky është landi i parë, nga 16 sa janë në total, që ka rihapur shkollat prej kur ka nisur përhapja e sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, në mesin e muajit mars.

Në Amerikën Latine, pothuajse i gjithë procesi mësimor është duke u kryer përmes platformave online, apo televizionit, meqë pandemia vazhdon të rëndojë gjendjen në këtë rajon.


Meksika ka njoftuar që më shumë se 30 milionë fëmijë meksikanë do të nisin mësimin në distancë më 24 gusht, ndërkohë që ky shtet regjistron mbi 48,000 të vdekur nga COVID-19. Sekretari për Edukim, Esteban Moctezuma Barragan, ka thënë se nxënësit do të mësojnë nga televizioni sepse 96 për qind e familjeve kanë nga një pajisje të tillë dhe se mësimi në ambiente shkollore është shumë i rrezikshëm në këtë pikë. Në zonat rurale, nxënësit do të mësojnë përmes radios. Moctezuma ka thënë se shumë shkolla që janë hapur, janë detyruar të mbyllen shpejt për shkak të infektimeve në rritje me koronavirus.


Në Bolivi, qeveria ka njoftuar për dhënie fund të vitit shkollor, duke thënë se ka qenë i pamundshëm garantimi i edukimit në shtetin ku zonat rurale kanë probleme me qasjen në internet.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Burimi: europaelire.org 

(Titulli dhe përshkrimi i ndryshuar) 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,117 Lexime
4 vjet më parë