Konfliktet në adoleshencë në ambientet shkollore, një studim nga Msc.Oriana Osmani
Mijëra raporte sugjerojnë se shkolla luan një rol thelbësor në ruajtjen ose në vënien e adoleshentëve në trajektoren e duhur të zhvillimit. Janë mësuesit ata që kanë një impakt pozitiv e luajnë një rol mbrojtës në jetën e adoleshentëve.
Me anë të studimit në vijim jam përpjekur të sqaroj disa tema kryesore që lidhen me konfliktet në të rinjtë e moshës shkollore. Fokusi kryesor është në ambientet shkollore. Konfliktet dhe zgjidhja e tyre kërkon që të merren parasysh një numër shumë i madh faktorësh.
Konfliktet në adoleshencë
1. Hyrje
Me anë të studimit në vijim jam përpjekur të sqaroj disa tema kryesore që lidhen me konfliktet në të rinjtë e moshës shkollore. Në trajtim janë paraqitur disa teori nga studiues të fushës në lidhje me konfliktet familjare, shoqërore e shkollore në adoleshencë. Megjithëse fokusi kryesor është në ambientet shkollore, nuk mund të mos përmenden agjenci të rëndësishme socializmi të të rinjve në këtë periudhë siç janë familja dhe shoqëria. Konfliktet dhe zgjidhja e tyre kërkon që të merren parasysh një numër shumë i madh faktorësh, e shpesh herë shkaku i këtyre konflikteve nuk është i vetëm por mund të jenë një seri ngjarjesh e sjelljesh që bëhen shkaktare të tyre. Për arsye të trajtimit të shkurtër, ne vijim do të trajtoj vetëm një numër të caktuar të këtyre faktorëve.
Fjalë kyçe: konflikt, adoleshencë, prindër, shkollë, familje, komunitet
2. Konfliktet familjare në adoleshencë
Familjet përballen me sfidat e komunikimit dhe konfliktet ndërsa anëtarët e familjes rriten dhe ndryshojnë. Jeta familjare përfshin menaxhimin konstant të tensionit midis lidhjes dhe autonomisë (Dumlao 2008). Tensionet mund të lindin ndërkohë që të ‘rriturit e rinj’ kërkojnë pavarësi nga familja. Konfliktet të tilla midis të rinjve dhe të rriturve mund të vazhdojnë deri në 10 vjet, megjithatë problemet mund të ndryshojnë ndërkohë që familja e ripërcakton vetveten dhe përshtatet me jetën e re.
Konfliktet midis të rinjve dhe të rriturve shpesh përfshijnë ri-negocimin e rregullave, roleve dhe marrëdhënieve lidhur me çështjet dhe aktivitetet e përditshme, miqtë, përgjegjësitë dhe shkolla. (Shearman and Dumlao 2008).
Marrëdhëniet me të rinjve/adoleshentëve shpesh përshkruhen si periudha stuhie dhe stresi, e jo si marrëdhënie të qeta tranzicioni. Megjithëse nocioni i stresit dhe stuhisë është pak i ekzagjeruar, studimet për këto marrëdhënie dëshmojnë vërtet se ato ndryshojnë, së paku në krahasim me marrëdhënien prindër-fëmijë. Prishja e marrëdhënieve prindër-fëmijë tregohet nga rritja e konflikteve në familje, ulja e kënaqësisë prindërore, rritja e konflikteve të të rinjve, rritja e stresit prindëror dhe zvogëlim i mbështetjes prindërore për të rinjtë. (Schultz 2004)
Adoleshenca përkufizohet si periudha e jetës që fillon në biologji dhe mbaron në shoqëri (Lerner 1998). Në të vërtetë adoleshenca mund të përkufizohet edhe si periudha e jetës në të cilën karakteristikat biologjike, konjitive, psikologjike dhe sociale ndryshojnë nga ato tipike të një fëmije dhe bëhen ato të ngjashme me të rriturit. (Lerner 1998). Për adoleshentin kjo është një periudhë sfide dramatike, e cila kërkon përshtatje ndaj ndryshimeve të vetes, familjes, dhe të grupit ku do të përkasë. Në shoqëritë bashkëkohore, adoleshentët kalojnë dhe në ndryshime institucionale.
Adoleshenca është një periudhë ngazëllimi dhe ankthi si për prindërit ashtu dhe të rinjtë, lumturie dhe shqetësimesh, zbulimi dhe zbutjeje, çlirimi nga e kaluara dhe lidhjeje me të ardhmen. Për këtë arsye adoleshenca mund të jetë një periudhë konfuzioni për të rinjtë që ndodhen në këtë fazë të jetës, për prindërit që po udhëheqin adoleshentët në përparmin e tyre, për të rriturit e tjerë që janë përgjegjës për rritjen e zhvillimin e të rinjve në këtë periudhë të jetës, por edhe për të rinjtë që me shpeshti të caktuar në këtë periudhë ndodhen vetë në rolin e prindërve. (Lerner 1998).
Megjithëse të gjitha karakteristikat e mësipërme mund të kontribuojnë në konflikt, konfliktet realisht ndodhin dhe varen edhe nga mënyra si prindërit reagojnë ndaj adoleshentëve dhe ndryshimeve të tyre në këtë periudhë. Në mënyrë që të lejojnë një përgjigje të ndjeshme ndaj nevojave të ndryshimit të zhvillimit të fëmijës, ndërveprimi prindër-fëmijë duhet të pësojë një ndryshim në adoleshencë.
Një detyrë prindërore është që t’i ofrojnë një ambient të sigurt, të ngrohtë dhe të dashur në të cilën inkurajohet individualiteti dhe i lejohet adoleshentit të eksplorojë potencialet e tij fizike, konjitive dhe sociale. Një detyrë tjetër është që të caktohen dhe të supervizionohen aktivitetet e fëmijëve. Ndërsa adoleshentët rriten, mbetet problem përcaktimi e ravijëzimi i sjelljes, e cila bëhet dytësore ndaj lejimit dhe inkurajimit të pavarësisë së adoleshentit. Disa studime provojnë se prindërimi më i mirë në adoleshencë është ai që karakterizohet nga një shkallë e lartë pranimi dhe ngrohtësie si dhe monitorimi dhe supervizionimi. (Riesch 2005).
Prindërimi jo efektiv mund të kontribuojë në konfliktin prindër-adoleshent. Konfliktet mes tyre janë më të shpeshta kur prindërit perceptohen nga adoleshenti si jo mbështetës dhe indiferentë. Mënyra si prindërit ushtrojnë kontroll është akoma më e rëndësishme për konfliktin prind-adoleshent: adoleshentët kërkojnë më tepër liri nga tutela prindërore, më tepër se sa prindërit janë të gatshëm të japin. Prindërit të cilët i përgjigjen adoleshentëve me mohimin e autonomisë dhe rritjen e autoritetit janë ata që marrin më tepër përgjigje negative nga fëmijët dhe largohen më tepër nga kërkesat prindërore. (Allison & Schultz 2004).
3. Ndryshimet problematike të shoqëruara me zhvillimin e hershëm adoleshencial
Studimet tregojnë se vitet e hershme të adoleshencës janë ato që shënojnë fillimin e një spiraleje rënieje për disa individë, spirale që çon shpesh në rënie akademike ose braktisje të shkollës. Megjithëse këto ndryshime nuk janë ekstreme për të gjithë adoleshentët, ka mjaftueshëm të dhëna për një rënie të disa tregueseve të motivimit akademik si vëmendja në klasë, pjesëmarrja në shkollë dhe vlerësimi për vetveten.
Adoleshenca është ndër ato pak periudha të zhvillimit të njeriut ku ai kalon në kaq shumë ndryshime në shumë nivele, ndryshime të lidhura me pubertetin, përcaktimin e rolit social, zhvillimin konjitiv, ndryshimet në shkollë dhe shfaqjen e seksualitetit. Shumica e shkencave të zhvillimit e konsiderojnë adoleshencën si periudhë rreziku. Me kaq shumë ndryshime ka një potencial të theksuar për rezultate sa pozitive aq dhe negative. Megjithëse shumë individë e kalojnë këtë fazë zhvillimi pa nivele të larta stuhie dhe stresi, shumë të tjerë përjetojnë vështirësi. 15-30% e adoleshentëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës braktisin arsimin e mesëm, kanë numrin më të lartë të arrestimeve se çdo grupmoshë tjetër, dhe një numër në rritje i adoleshentëve konsumojnë alkool dhe drogë rregullisht. Pyetja qëndron nëse ka diçka të veçantë që e bën këtë grup moshë më të rrezikuar se të tjerat? Një ndër hipotezat ofruar nga disa studiues është se zhvillimet psikologjike negative të shoqëruara me adoleshencën vijnë nga mospërputhja midis nevojave për zhvillim të adoleshentëve dhe mundësive të ofruara nga mjedisi social rreth tyre. Kjo mospërputhje zhvillohet kryesisht në 2 ambiente, në shtëpi dhe në shkollë. (Eccles et al. 1993)
4. Lidhja e familjes me shkollën
Mijëra raporte sugjerojnë se shkolla luan një rol thelbësor në ruajtjen ose në vënien e adoleshentëve në trajektoren e duhur të zhvillimit. Adoleshentët shpenzojnë më tepër kohë në shkollë sesa me familjet e tyre. Ata kanë nevojë gjithashtu për marrëdhënie të afërta me të rritur të tjerë përveç familjes për të zhvilluar pavarësinë dhe identitetin, duke qenë se qëllimi i gjithë kësaj faze tranzicioni është arritja e pavarësisë prindërore. Në shoqërinë e sotme mësuesit janë të rriturit jofamiljarë me të cilët adoleshentët bien për herë të parë në kontakt. Prandaj shumë studime dëshmojnë se janë mësuesit ata që kanë një impakt pozitiv e luajnë një rol mbrojtës në jetën e adoleshentëve. (Eccles, 1993)
Rëndësia e pjesëmarrjes prindërore: Studiuesit kanë vërejtur se prindërit luajnë një rol thelbësor në arritjet akademike të fëmijëve të tyre, si dhe në zhvillimin e tyre psikosocial. Pjesëmarrja e prindit në shkollë në mënyrë aktive, ka treguar se është një faktor kritik për arritjen e suksesit të studentit në të gjitha nivelet akademike. Megjithatë pjesëmarrja e prindërve dhe lidhja e tyre me shkollën nuk është në nivelet që dëshirohet. Si prindërit, ashtu dhe mësuesit ankohen për nivelin e pjesëmarrjes së prindërve, mësuesit duan më tepër prezencën e prindërve dhe prindërit vetë duan të jenë pjesëmarrës në jetën shkollore të fëmijëve të tyre. Arsyet për këtë nga ana e prindërve shpesh janë për arsye të mungesës së kohës, energjisë, të ardhurave ekonomike, mungesës së njohurive ose ndjenjës se janë inkompententë, ose bashkëpunime negative me shkollën në të kaluarën i kanë lënë prindërit jashtë këtij institucioni. Ndërkohë dhe vetë raportimet e dobëta nga ana e mësuesve, armiqësia me prindërit, ka bërë që ata t’i largohen vetvetiu këtij institucioni.
Karakteristikat e familjes: Shumë studime tregojnë lidhjen midis pjesëmarrjes së prindërve në edukimin e fëmijëve dhe karakteristikave të tilla si të ardhurat familjare, niveli i edukimit të prindërve, sfondi etnik, statusi martesor, gjinia dhe mosha e prindërve, numri i fëmijëve dhe statusi i punës i prindërve. Për shembull, prindërit e mirë edukuar janë më tepër të përfshirë në shkollë sesa ata me më pak edukim, prindërit me pak fëmijë janë më tepër të përfshirë sesa prindërit e familjeve të mëdha, prindërit me punë jashtë shpesh janë më pak të përfshirë por kjo nuk do të thotë që ata nuk janë të përfshirë në edukimin e fëmijëve në shtëpi.
Karakteristikat e komunitetit: Një rëndësi të madhe kanë edhe karakteristikat e lagjes/zonës ku jeton, si p.sh. zona me kohezion të madh, organizim social, rrjete sociale, burime dhe mundësi, të gjitha këto ndikojnë në lidhjen e familjes me shkollën. Eccles ka studiuar se si familjet mund të sigurojnë mbrojtje për fëmijët kur jetojnë në zona me rrezikshmëri të lartë, p.sh. në zona me pak burime dhe me shumë rreziqe. Strategjitë e familjeve për të edukuar fëmijët dhe për të forcuar lidhjen e tyre me shkollën varen nga burimet që ofron çdo zonë. Kuptohet që familjet që jetojnë në zona me rrezik të lartë, shpenzojnë më tepër kohë të mbrojnë fëmijët e tyre sesa t’i ndihmojnë të zhvillojnë talentet e tyre. Ndërkohë familjet që jetojnë në zona me shumë burime, fokusohen në zhvillimin e talenteve specifike të fëmijëve, pasi krijimin e mundësive dhe forcimin e lidhjes me shkollën e bëjnë të mundur vetë zonat.
Karakteristikat e adoleshentit: Pjesëmarrja e familjes në edukimin e fëmijës sipas shumë studiuesve ul numrin e konflikteve dhe problemeve sociale. Por që familja të ketë mundësi pjesëmarrjeje, varet edhe nga karakteristikat e adoleshentit. Seksi dhe mosha e adoleshentit ndikojnë në pjesëmarrjen e prindërve në jetën shkollore të fëmijës. Me kalimin e moshës, bie interesimi i prindërve në shkollë për fëmijën e tyre. Kjo edhe në vazhdën e lënies së një autonomie më të madhe adoleshentit i cili me çdo kusht kërkon çlirimin nga varësia prindërore. Në një farë mënyre, prindërit ndiejnë që pjesëmarrja e tyre në shkollë është më pak e rëndësishme se në moshë të herët. Megjithëse mund të ketë vërtetësi në këtë, adoleshentët duan që të kenë prindërit e tyre dhe ata t’i mbështesin në arritjet e tyre akademike. Ata duan një hapësirë në të cilën të jenë të sigurt të eksplorojnë pavarësinë e tyre, por si prindërit dhe mësuesit mund të jenë pjesë e kësaj hapësire.
Ndjenja e prindërve se prezenca e tyre është e tepërt në shkollë vjen edhe për arsye të ndjenjës së paefektshmërisë që ata kanë ndërsa fëmijët rriten. Ata shpesh ndihmojnë në detyrat shkollore dhe me avancimin e teknologjive, shpesh fushat e njohjes shkojnë tej njohurive të prindërve. Jo vetëm avancimi teknologjik, por edhe metodologjitë e reja, specialitet që fëmijët studiojnë si dhe novacionet në edukim, i bëjnë prindërit të shqetësohen se ata mund t’i drejtojnë gabim fëmijët e tyre nëse përfshihen në edukim. Roli i shkollave është i rëndësishëm, sepse mësuesit dhe administratorët mund të bëhen tutorë të prindërve në mënyrë që dhe prindërit të jenë liderë efektivë për fëmijët e tyre. Eksperiencat e mëparshme akademike të fëmijës dhe personaliteti i tij ndikojnë gjithashtu në pjesëmarrjen e prindërve. Ka më tepër gjasa që prindërit të ndihmojnë fëmijët që kanë pasur rezultate të ulëta akademike sesa ata me rezultate pozitive.
Shkolla, karakteristikat dhe praktikat e mësuesit: dy karakteristika janë të rëndësishme, struktura fizike dhe organizative e shkollës, dhe besimet dhe qëndrimet e personelit të shkollës. Ndryshimet në strukturën fizike dhe organizacionale vihen re menjëherë posa adoleshentët e hershëm kalojnë nga shkollat fillore dhe dytësore në atë të mesme. Shkollat e mesme janë më të mëdha, ato afrojnë dhe i shërbejnë një komuniteti më të madh njerëzish, zakonisht janë më burokratike në sistemin e drejtimit dhe menaxhimit, kanë departamente të ndara, gjë që rezulton në kontakte më të vogla të personelit mes tyre si dhe me prindërit. Ndryshime të tilla bëjnë që prindërit të ndjehen të huaj në lidhje me shkollën, por gjithashtu dhe vetë adoleshentët ndihen të huaj. Prindërit e lidhur me shkollën fillore kanë një ndjenjë lidhjeje me komunitetin e lagjen. Pjesëmarrja e fëmijës në një shkollë të mesme e zgjeron komunitetin, duke bërë që prindi të mos ndihet më pjesëmarrës në të. Për pasojë pjesëmarrja e tij do të zvogëlohet dhe përpjekjet e tij për të ndryshuar diçka në edukimin e fëmijës do të zvogëlohen. Disa herë vetë personeli shkollor është ai që kërkon më pak pjesëmarrje nga ana e prindit. Veçanërisht në lagje jo të mira, prindërit personeli shkollor i shikon prindërit si të zënë, të painteresuar, të padëshiruar, ‘injorantë’.
Sipas Braiker & Kelly (1979) ndërvarësia është një kusht kryesor për krijimin e konflikitit. Dumlao dhe Botta (2000) zbuluan se i gjithë mjedisi i komunikimit familjar ndikonte në mënyrën si individët përfshiheshin në konflikt. Studimi i tyre pa me hollësi si cfarë ndikonte në mënyrën si studentët fillonin konfliktin me baballarët e tyre. Ata dalluan 4 mjedise kryesore që ndikonin në këtë konflikt: (1) laissez-faire, (2) mbrojtës, (3) pluralist dhe (4) konsensual. Ambientet familjare Laissezfaire ishin të lidhura pak dhe emocionalisht ‘të divorcuara’. Fëmijët e baballarëve të tillë përdornin stile më bashkëpunuese, akomoduese konfrontimi. Personat në familjet protektive e perceptonin konfliktin si një kërcënim serioz ndaj integritetit të njësisë familjare, ndaj konformimi ishte thelbësor. Në këto familje fëmijët e evitonin konfliktin me babain sepse zgjidhja e konfliktit do të thoshte shpërbërje të familjes. Kur ata nuk evitojnë, ata harxhonin më tepër strategji akomodimi. Ambientet familjare pluraliste i vënë shumë rëndësi komunikimit dhe përmirësohen gjatë konfliktit. Në vend të promovojnë konformitetin, këto familje promovojnë dialogun dhe bisedimin. Pjesëmarrësit me baballarë pluralistë kishin aftësi të mira në teknika bashkëpunimi. Ata nuk e përdornin bashkëpunimin për tu përballur por për të përmbushur nevojat e shprehjes së të gjithëve. Se fundi familjet konsensuale inkurajojnë komunikimin e hapur, por vetëm nëse promovon besimet e prindërve. Fëmijët e këtyre baballarëve përdornin më tepër strategji bashkëpunimi dhe më pak akomodimi. (Dumlao & Botta, 2000).
5. Lidhja e dobët me shkollën
Problemet në sjelljen e adoleshentëve, duke përfshire përdorimin e substancave, braktisjen e shkollës dhe kriminalitetin janë mjaft shqetësuese. Sipas Simmons-Morton, studentët e shkollave të mesme që krijojnë lidhje pozitive sociale me shkollën e tyre, kanë më tepër gjasa të performojnë mirë nga ana akademike dhe të mos kryejnë sjellje josociale në këtë moshë. Pak studime i kushtojnë vëmendje lidhjes midis sjelljes së studentëve dhe ambientit shkollor. Simmons-Morton kreu një studim në 7 shkolla të Shteteve të Bashkuara. Lidhja me shkollën ishte më e lartë mes femrave dhe më e ulët te meshkujt, problemet shfaqeshin gjithmonë në klasat më të larta, e pothuajse gjithmonë problemet sociale shfaqeshin te ata adoleshentë që kishin një lidhje shumë të ulët me shkollën. Devijimet më të shpeshta janë përdorimi i alkoolit dhe duhanit, pjesëmarrja në një zënkë/rrahje, keqtrajtimi i më të dobëtëve (Bullying) dhe vandalizmi. Ndërkohë të rinjtë nga familje me probleme, familje të shpërbëra ose me të ardhura të pakta janë në rrezik më të lartë se të tjerët. (Simmons-Morton, 1999).
Vetë qëllimi i shkollës së mesme është lehtësimi i kalimit të adoleshencës, me një program akademik që t’i tërheqë studentët të forcojnë lidhjen me shkollën. Por ajo që nuk është parashikuar nga kjo fazë kalimtare e sistemit shkollor është se fëmijët nuk janë të përgatitur në stadin e mëparshëm dhe janë lehtësisht të influencueshëm ndaj sjelljes josociale akademike. Tranzicioni në shkollën e mesme është i vështirë veçanërisht për studentët që nuk kanë rezultate të mira akademike ose sociale, për ata të cilët kanë vështirësi të shoqërohen, që nuk kanë aftësi organizative dhe nuk përfshihen në aktivitete shkollore. Për ta mbrojtur veten nga ndjenja e dështimit, studentët mund të zhvillojnë apatinë ose sjelljet rebele e antisociale. Shpesh herë është vetë ambienti shkollor shënjestra e këtyre studentëve të cilët rebelohen e injorojnë rregullat, i trajtojnë mësuesit dhe studentët e tjerë pa respekt dhe vandalizojnë pronën dhe infrastrukturën shkollore.
Trajtimi i këtyre adoleshentëve është i vështirë. Realisht ka pak institucione përveç shkollave, që kanë programe specifike për adoleshentët. Pjesëmarrja në aktivitete jashtë shkollore e ndjekja e sporteve bie ndjeshëm me mbarimin e shkollës fillore e dytësore. Lidhja me shkollën duke ardhur në mënyrë natyrale nga studentët e lehtëson punën e mësuesve dhe administratorëve. Koncepti i lidhjes sociale me shkollën ka ardhur nga teoria e kontrollit social, e cila sugjeron se lidhja me familjen dhe shkollën, angazhimi në drejtime dhe besime të njohura në legjitimitetin e rendit social, është element thelbësor për të përcaktuar një lidhje sociale. (Simmons-Morton, 1999). Disa ndër arsyet kryesore për mos krijimin e kësaj lidhjeje sipas Simmons-Morton janë: mungesa e trajnimit në kompetenca sociale, ambienti shkollor dhe edukimi familjar. Nëse këta faktorë janë të zhvilluar negativisht, adoleshentët do të shfaqin lehtësisht një lidhje të dobët me shkollën.
6. Konflikti dhe pushteti në marrëdhënien mësues-student në klasë
Zhvillimi më i madh në konceptin e konfliktit erdhi në pjesën e dytë të shekullit të XX, kur ai u konsiderua nga sociologët si pozitiv për individët dhe sistemet sociale, veçanërisht në rolin që luan në lidhje me ndryshimet. Konflikti fillon kur një palë ka prekur diçka që është e palës tjetër. Më tej vazhdojnë 5 faza duke filluar me frustrimin e një pale, konceptualizimin e situatës së konfliktit, sjelljen e palës në konflikt, reagimin e palës tjetër dhe së fundi zgjidhjen e konfliktit (Jamieson & Thomas, 1974). Nga ky model kuptohet lehtësisht se rezultatet pozitive do të varen nga sjellja konstruktiviste ose dekonstruktiviste e palëve. Një rol të rëndësishëm luan edhe hierarkia. Grupet mund të negociojnë me lehtë konfliktin në momentin kur janë në të njëjtën hierarki ose nuk kanë varësi pushteti apo fuqie.
Në rastin e një klase, studentët janë në disavantazh kur ndodh një situatë konflikti me mësuesin. Kjo për arsye se ata nuk konsiderohen si pjesë e atij sistemi, më kollaj atyre iu referohet me termin klient sesa pjesëmarrës në sistem. Shpesh pushteti që ata kanë është formal dhe institucionet shkollore ngjajnë me institucione segreguese për klientët e tyre. Me këtë pushtet të vogël, studentët rrallë janë pjesëmarrës në vendimet që lidhen me fatin e tyre. Kjo mund të shkaktojë dobësim të lidhjes me shkollën dhe rritje të sjelljes josociale nga ana e tyre.
7. Konfliktet në shkollë
Ndërveprimet e adoleshentëve me prindërit dhe mësuesit jo gjithmonë rezultojnë në pozitivitet. Shpesh ka një lidhje midis sjelljes së dhunshme/viktimizimit dhe stresit e depresionit psikologjik te adoleshentët. Sipas disa studiesve (Estévez, Gonzalo & Herrero, 2005) viktimizimi lidhet direkt me stresin te adoleshentët. Për më tepër ai shoqërohet me komunkimin negativ midis adoleshentit dhe babait. Ndërsa lidhja mes sjelljes së dhunshme dhe stresit psikologjik nuk është provuar të ketë lidhje të drejtpërdrejtë, por ajo shkakton një komunikim të keq me prindërit dhe mësuesit dhe detyrimisht çonte në momente stresimi për të rinjtë. Studime të mëparshme kanë provuar lidhjen mes disa variablave familjarë dhe problemeve në sjellje të adoleshentëve. Për shembull, një ambient negativ familjar mund të jetë faktor për viktimizimin ose sjelljen e dhunshme të adoleshentit në shkollë. Në veçanti nivele të larta të konflikteve familjare, komunikimit negative me prindërit, e mungesës të mbështetjes prindërore janë faktorë të rëndësishme ndikues në zhvillimin e problemeve të sjelljes dhe stresit te adoleshentët. Në kundërshtim me këtë një ambient familjar i karakterizuar nga ngrohtësia, pranimi dhe komunikimi pozitiv luan funksion mbrojtës kundër sjelljes së dhunshme, depresionit dhe ankthit. (Estévez, Gonzalo & Herrero, 2005).
Disa studime kanë analizuar lidhjen midis mësuesve dhe studentëve të cilët janë duke përjetuar probleme psikologjike dhe të sjelljes, duke treguar se adoleshentët me nivele të larta problemesh në sjellje kanë një ndërveprim më negativ me mësuesit. Reagimi i zakonshëm i mësuesve ndaj sjelljeve të tilla është ndëshkimi, mungesa e ngrohtësisë dhe inkurajimit. Studime të mëtejshme kanë provuar se një marrëdhënie pozitive mësues-student zvogëlon numrin e sjelljeve të dhunshme në klasë si dhe nivelin e depresionit te studentët. (Estévez, Gonzalo & Herrero, 2005).
BIBLIOGRAFIA
Allison, Barbara N. & Schultz, Jerelyn B. “Parent-Adolescent Conflict in Early Adolescence” , Journal article in Adolescence, Vol. 39, 2004 http://www.questia.com/googleScholar.qst?docId=5006534672
Eccles, Jacquelynne S.; Harold, Rena D.; “Parent school involvement during the early adolescent years”
Eccles, Jacquelynne S. “Development during adolescence”, American Psychologist, Vol 48, no.2, faqe 90-101, 1993
Estévez, Gonzalo & Herrero, “The influence of violent behavior and victimization at school on psychological distress, the role of parents and teachers” Adolescence, Spring 2005, faqe 183
Jamieson, David W. & Thomas, Kenneth W.; “Power and conflict in the teacher-student relationship”, The journal of applied behavioral science, Volume 3, no 10, 1974
Lerner, Richard M. “Perspectives on Research, Policy, and Intervention”, LAWRENCE ERLBAUM ASSOCIATES, PUBLISHERS 1993 Hillsdale, New Jersey Hove and London
Riesch, Susan K. “Furthering the Understanding of Parent–Child Relationships: Part 5: Parent–Adolescent and Teen Parent–Child Relationships”, J Spec Pediatr Nurs. Author manuscript; Wisconsin, USA , 2010 July 15.
Shearman, Sachiyo & Dumlao, Rebecca, “Who gets the final words?: An analysis of young adults’ recall of a major conflict with their parents”, annual meeting of International Communication Association, San Francisco, CA, May 2007 http://citation.allacademic.com//meta/p_mla_apa_research_citation/1/6/9/8/3/pages169832/p169832-2.php
Simons-Morton, Bruce G.; Crump, Aria Davis; Haynie Denise L.; and Saylor, Keith E., “Student–school bonding and adolescent problem Behavior”, Revista “Health Education Research” Vol.14 no.1 1999, Theory & Practice Faqe 99–107
(Përgatiti Msc.Oriana Osmani)
(Portali Shkollor)
Tronditjet në shoqërinë tonë shqiptare/ Përse të rinjtë po rriten “të mbyllur” në një shoqëri të hapur?
Roli i mësuesit në zhvillimin e personalitetit të fëmijës
Dallimet midis shkollës tradicionale dhe shkollës moderne