Kolektivi i klasës si kusht për menaxhim të mirëfilltë të saj
Struktura e drejtë e klasës është kushti kryesor i procesit të formimit të kolektivit të klasës. Në vetvete kryesia e klasës paraqet një faktor të rëndësishëm për mbarëvajtjen e procesit mësimor në klasë dhe për menaxhimin e saj,
Klasa e strukturuar ende nuk është kolektiv i formuar, përderisa thelbin e formimit të saj e shprehin disa faza dhe procedura të zgjedhjes së nxënësve dhe të formimit të strukturës së klasës, proces ky i cili është i gjatë dhe i ndërlidhur me veprime të zhvillimit dhe të stabilizimit të bashkësisë së klasës si kolektiv i pavarur.
Struktura e drejtë e klasës është kushti kryesor i procesit të formimit të kolektivit të klasës dhe të menaxhimit të mirëfilltë të saj. Edhe nxënësit më të mirë vetëm formalisht e përbëjnë klasën, por nuk e përbëjnë bashkësinë e klasës pa u formuar kolektivi i saj, përkatësisht pa u zgjedhur kryesia e saj përbërëse. Ky proces i formimit të kolektivit të klasës është kompleks dhe zgjat aq sa zgjat jeta e kolektivit të klasës. Andaj ky proces paraqet shkallë të lartë të punës së shkollës, në përgjithësi të veprimtarisë së mësimdhënësit kryesisht. Sa më shumë informata të kenë mësimdhënësit për strukturimin e klasës, aq më gjerësisht do të njihen ligjshmëritë e zhvillimit të kolektivit të klasës dhe në mënyrë më të suksesshme do t’i zbatoj teknikat dhe metodat më efikase në procesin e formimit dhe menaxhimit të klasës.
Lidhur me këte ekzistojnë një numër i madh rregullativash shkollore në të cilat bazohen mësimdhënësit e të cilat në shumicën e rasteve modifikohen në forma të ndryshme prej anës së mësimdhënësve, ashtu siç ata vetë e parashohin të nevojshme. Sipas një normativi të propozuar nga organizata Ombudsman vlerësohet se kryesia e klasës zgjidhet nga vetë nxënësit, të cilët propozojnë kandidatët që duhet të kenë disa kritere, procedurë kjo e cila fillon nga përgatitja e fletëve të votimit dhe kutive të votimit. Duhet pasur parasysh që tek kandidatët duhet të vijë në shprehje dhe barazia gjinore. Votimi është i fshehtë dhe fiton ai i cili ka numër më të madh votash. E tërë kjo procedurë udhëhiqet nga mësimdhënësi. Kryesia e nxënësve është një formë organizimi e nxënësve për ushtrimin e të drejtës dhe përgjegjësive të tyre pjesëmarrëse në vendimmarrje të rëndësishme brenda shkollës dhe jashtë saj. Kryesia e nxënësve, megjithëse përbëhet nga një grup nxënësish, në të vërtetë është zëdhënëse e interesave të komunitetit të nxënësve për të mbrojtur të drejtat e tyre, për të kontribuar në plotësimin e nevojave dhe zhvillimin e interesave të tyre duke synuar një shërbim arsimor sa më cilësor. Nëpërmjet qeverisë së tyre, qeverisin të gjithë nxënësit e shkollës. Ata përfshihen në zgjidhjen e problemeve të shkollës, në bashkëpunim me drejtorinë e shkollës, stafin dhe prindërit, në të mirë të shkollës dhe të vetë nxënësve. Funksionimi i Qeverisë së nxënësve krijon një mentalitet të ri për pozicionin dhe rolin e nxënësve në shkollë, duke i parë ata si partnerë dhe pjesëmarrës aktivë në proceset e vendimmarrjes në shkollë dhe zgjidhjen e problemeve të ndryshme.
Dobia e kryesisë së nxënësve është e madhe për faktin se ajo:
1. Sensibilizon nxënësit dhe i këshillon ata për zbatimin e politikave të reja në shkollë.
2. Mbron të drejtat e nxënësve, duke ua dëgjuar pikëpamjet, sugjerimet e idetë e tyre.
Ndaj kjo qeverisje klasore mund të konsiderohet e suksesshme nëse:
• nxënësve iu jepet mundësi të fitojnë dhe të zhvillojnë më tej shprehi të komunikimit dhe të punës në grupe.
• nxënësve iu rritet personaliteti, u forcohet ndjenja e iniciativës dhe sipërmarrjes të cilat janë të nevojshme për individin e shoqërisë së sotme.
• nxënësve iu jepet mundësia të dëgjohen nga të gjithë partnerët e shkollës për të paraqitur shqetësimet e tyre, idetë dhe sugjerimet e tyre.
Në vetvete kryesia e klasës paraqet një faktor të rëndësishëm për mbarëvajtjen e procesit mësimor në klasë dhe për menaxhimin e saj, meqenëse ashtu si është udhëheqësi i klasës, ashtu mund të jetë edhe kryesia e klasës nëse nuk menaxhohet në formën e duhur nga vetë kujdestari i asaj klase, gjithnjë duke qenë bashkëpunues me nxënësit e tij.
BIBLIOGRAFI
- Zimmermannn, F. (2016), Manual i Burimeve të Mësimdhënies, Co-funded by Tempus Programme of the European Union, fq. 66
- Kraja, M. (2006), Pedagogjia, Mileniumi i Ri, Tiranë, fq. 260
- Trandafili, G. (2008), Metodologji dhe Veprimtari, Të menduarit Kritik dhe Struktura “E.R.R” e Planifikimit të mësimit, Universiteti i Tiranës, Tiranë, Shqipëri, fq. 43
- http://greenschoolprishtine.weebly.com (Kërkuar më 14.07.2018)
- Pupovci, D. (2011), Mjetet për Planifikim në Arsim, EU Education Swap Project, fq. 12
- Lila, A. (2017), Ndërtimi i Sistemit Efektiv për Vlerësimin e Performancës së Mësimdhënësve, Qendra për Arsimin e Kosovës (KEC), Prishtinë, fq. 56
(Shkruar nga; PhD.Can. Besjana Rexhepi; Portali Shkollor)
Të drejtat dhe detyrat e nxënësve, mësuesve e prindërve
Udhëzuesi i përditësuar për mësimin në kushtet e shtëpisë
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!