Takimet letrare me të rinjtë

Klubi i Leximit për të Rinj në librarinë Albas nisi me gjimnazistët e “New York School” për librin “Dritëhijet, fatet”

Klubi i Leximit për të Rinj në librarinë Albas nisi ciklin e takimeve letrare me librin “Dritëhijet, fatet”, të autores së re, Xhoana Jaku, teksa pjesëmarrës për të folur rreth tij ishin disa nga gjimnazistët e shkollës jopublike “New York School”, të cilët i bënë veprës një analizë mjaft të saktë.

Të rinjtë e gjimnazit “New York School” u takuan me autoren, Xhoana Jaku, për romanin “Dritëhijet, fatet”, të prezantuar për lexuesit më herët në panairin e nëntorit 2022, ndërsa vepra në fjalë është shpallur fituese e çmimit të Fondit të Krijimtarisë Letrare për të Rinj (zhanri fantastiko –shkencor) nga QKLL. 


Ky roman është vëllim i parë i serisë "Dritëhije". Ngjarjet në këtë libër zhvillohen në mjedise të ndryshme, herë të vërteta dhe herë imagiinare, por gjithnjë të ndërtuara me ngjyrat e dualizmave njerëzorë, ku njeriu takohet me veten dhe me tjetrin;me të jashtmen dhe të brendshmen; është i lidhur dhe i ndarë; emocional dhe racional; në kërkim të gjithçkaje, por i kushtëzuar në veprime që përsëriten; është armik dhe mik; i dizajnuar për madhështi, por performues i shtazërisë, paqësor dhe vrasës; i ndjeshëm dhe indiferent; i babëzitur për dije, por i dëshpëruar të përqafojë variantet e para iluzive...që të gjitha këto janë dritëhije të pjerrëta, reale e të vërteta.


Ngjarje këto të cilat nxitën kuriozitetin e gjimnazisteve për të mësuar më shumë rreth autores dhe librave që pritet të pasojnë nga kjo seri.


Xhoina Salaj moderatorja e Klubit të Leximit për të Rinj në librarinë Albas, gjatë një paranteze të shkurtër mbi librin u ndal si fillim tek autorja e cila edhe pse fare e re në moshë vjen me një pjekuri letrare që mbërthen lexuesin duke i zhvilluar imagjinatën dhe shuar kureshtjen. 

Analiza e ngjarjeve, personazhet, gjuha e përdorur, fantazia e shkruar, stili i romanit dhe dinamikat ishin kryefjala e këtij takimi që mbajti të mbërthyer gjimnazistët për disa orë në librarinë Albas e cila ndodhet në qendër të Tiranës.

Gjatë takimit u duk sikur autorja u kthye thuajse në një spektatore, pasi ishin vetë nxënësit kësaj shkolle, ata që bënë një analizë mjaft të saktë të veprës. 

“Është një kënaqësi e bukur që të kem mundësinë të jem më pranë lexuesve. Romani është në një zhanër deri diku fantastiko-shkencor që i ka së bashku të dy ato nuancat mes reales, ku zhvillohet njëra ngjarje që është në Romë dhe janë ngjarje e tjera pastaj që vijnë në nuanca tërësisht të ndryshme që janë fantastiko-shkencore dhe janë pastaj në një realitet tjetër, që zhvillohen pastaj në Angli”, tha autorja Jakaj në hyrje të takimit të organizuar në ambientet e librarisë “Albas”, në qendër të Tiranës. 


Mes diskutimit dhe pyetjeve të shumta mbi linjën e ngjarjeve nxënësit kërkonin me këmbëngulje të njiheshin me fatet e personazheve në librat që do të pasojnë serinë. Parashikimet dhe hamendësimet e tyre mbi veprat e tjera të këtij vëllimi e vendosën edhe autoren përpara një situata të re dhe surprizuese, duke u përgjigjur me rezerva, pa dashur të zbulojë shumë detaje dhe pa prishur “magjinë” e leximeve për vëllimet e tjera.

Ky takim ishte i veçantë pasi shënoi edhe fillimin e klubit të leximit për të rinj, pjesë e të cilit janë nxënës të klasave të dhjeta, njëmbëdhjeta dhe dymbëdhjeta, që janë lexues të rregullt dhe dashamirës të librave.

 

Shtëpia botuese “Albas” falënderon nxënësit e gjimnazit “New York School” dhe dy mësueset e pranishme, Natasha Kalemi dhe Eni Metani, për krijimin e komuniteteve të shëndetshme me të rinj të pasionuar pas leximit dhe shkrimit. Urojmë që zelli dhe devotshmëria për librin, sikurse e këtyre nxënësve, të na shoqërojë në takime të ardhshme të klubit të leximit për të rinj.  



Fragmentet nga aktiviteti mund t’i ndiqni në videon e mëposhtme:


Përgatiti Ina Dede 

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,193 Lexime
1 vit më parë