
Këshilli i Ministrave miraton shtesën prej 800 kandidatësh në kryerjen e praktikave profesionale
Numri total i praktikantëve që do të kryejnë praktikën profesionale me kontratë të përkohshme në sistemin arsimor parauniversitar do të jetë 2,300 mësues aspirantë për një vit shkollor me qëllim dhënien e provimit të shtetit.
Pas përpjekjeve të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) për të gjetur hapësirën e nevojshme buxhetore, vjen lajmi se Këshilli i Ministrave ka marrë sot vendimin për të shtuar me 800 kandidatë të tjerë numrin e praktikantëve për profesionin e rregulluar të mësuesit!
Falë këtij vendimi, numri total i praktikantëve që do të kryejnë praktikën profesionale me kontratë të përkohshme në sistemin arsimor parauniversitar do të jetë 2,300 mësues aspirantë për një vit shkollor me qëllim dhënien e provimit të shtetit.
“Kjo shtesë prej 800 kandidatësh, e cila vjen si rezultat i angazhimit real në kuadër të ‘Paktit për Universitetin’, synon përmirësimin e drejtpërdrejtë të kushteve e mundësive të barabarta për kryerjen e praktikës profesionale pranë institucioneve arsimore parauniversitare. Gjatë zhvillimit të praktikës, punëdhënësi do t’i paguajë praktikantit sigurimet shoqërore dhe ata shëndetësore. Ky vendim do të ndikojë jo vetëm në rritjen e mundësive për punësim, por edhe në kualifikimin dhe arsimimin e profesionistëve, bazuar mbi standardet evropiane të sigurimit të cilësisë”, thuhet në njoftimin për media të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Sa i takon nisjes së praktikave nga mësuesit aspirantë, ato tashmë kanë filluar në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar në të gjithë vendin. Për 800 kandidatët shtesë të miratuar, nga MASR na është bërë me dije se do të ndiqen të njëjtat kritere përzgjedhje.
(Portali Shkollor)
QSHA: Regjistrimet për licencën e mësuesisë deri më 7 prill, provimi do të zhvillohet në muajin maj, ja procedurat
Hapen aplikimet për provimin e licencës 2025, regjistrimet mbyllen më 14 prill
Hapen dy klasa mësimore me teknologji të avancuar për fëmijët e shtruar në Spitalin Pediatrik në QSUT