Kam takuar shumë mësues dhe prindër ideal!
Askush nuk mund të thotë se kush është prindi model… as mësuesi model. Unë mund t’ju them se kam njohur plot të tillë. Dhe kjo më gëzon në këtë prag të fillimit të vitit shkollor.
Teksa po kërkoja midis fotosh e kujtimesh diçka nga klasa e parë e djalit të vogël nuk gjeta dot asnjë shenjë të tillë…. Jo rastësisht pasi atij viti, kur vogëlushi im filloi udhën e dijes në shkollë e shoqërova vetëm unë. Të atin, idhullin e tij e kishim humbur pak muaj përpara fillimit të klasës së parë. Midis mungesës dhe pamjes tradicionale të gruas në zi nuk mundëm ta bënim një foto. Nuk donim të dy: unë për shkak të gjendjes emocionale dhe ai për shkak të veshjes sime, për të cilën më kishte thënë copë që nuk e pëlqente.
Përmes ditëve që rridhnin vëzhgoja tim bir dhe mbarëvajtjen e tij midis të tjerash edhe nga dritarja e vogël e shkollës "Vasil Shanto" dhe harroja shpesh arsyen se përse isha aty. Më hutonte sjellja e jashtëzakonshme e Zysh Nexhit që përmes një sjelljeje aq korrekte ushqente lirinë për të arritur te disiplina, metodë që sot më është kthyer në moto të punës sime. Përmes asaj klase me numër të madh nxënësish dhe djersës që u kullonte nga nxitimi për të kryer detyrat e mësueses, im bir dukej i lumtur.
Im bir qeshte…. E kisha filluar mbarë. Kishim startuar mirë. Së pari me të vërtetën…
E kisha përballuar atë me të vërtetën që i ati nuk jetonte më dhe që nuk do të ishte aty në ditën e tij të parë të shkollës, por se ai ishte në forma të tjera të padëmshme e të paprekshme. I mësova atij që nuk duhej të priste, por mund të ëndërronte, që nuk duhej të mëzitej, por nëse donte edhe të qante, që nuk duhej të ishte pa shpresë, por të kërkonte ndihmën e atyre që e donin aq shumë…timen, të gjyshit, gjyshes, hallës... etj. Nuk kaloi shumë dhe ai më vërtetoi sërish që ishim në udhë të mbarë, për zgjedhjen e mirë të përballjes me të vërtetën.
Mami - tha një ditë; sa keq më vjen për shoqen time E.… Kujton se mami i vet do t’i vijë sërish... Pse ku është mami i E… e pyeta. - Ka ikur si babi jonë…. E shqetësuar për shoqen e tij të vogël, e cila ende nuk ishte përballur me humbjen e nënës, shpresova që një ditë ajo vogëlushe ta përballonte të vërtetën. Madje sa më shpejt. Pasi ka mënyra të ndryshme për ta thënë të vërtetën. Cilat do qofshin ato, e rëndësishme është që të përdoren për të zbardhur atë para fëmijës që pret me ankth.
Këto vite më kanë vërtetuar që në jetë mund t’ia dalësh edhe si prind i vetëm, ndonëse shkollimi i fëmijëve nxjerr vazhdimisht në mes të rrugës barrikada të cilat të duken si male të lartë.
Dita e para e shkollës është veçanërisht e vështirë për këta fëmijë, që e dinë ose jo, që e kuptojnë apo jo humbjen e njëfishtë apo të shumëfishtë.
Gjatë kësaj kohe jam ndeshur me statuse të fëmijëve që ua dedikojnë nënave të tyre ose baballarëve që nuk janë më. Këta nëna e baballarë kanë lënë pas fëmijë që nesër në ditën e parë të shkollës nuk do ta kenë dorën e prindit mbi të fëmijëve të tyre.… Ky është një hall i madh emocional dhe social. Sot urova në tel fëmijët e mikes sime që u nda nga kjo jetë para pak kohësh…. Dhe mësova që motra e madhe do të shoqërojë në shkollë të vëllanë.
Forca Pati, Kevin ka nevojë për ty. Ai ka nevojë që dikush t’ia mbajë dorën.
Jo vetëm ai. Të gjithë fëmijët, fare të vegjël dhe më të rritur.
E tek rikthehem në retrospektivë më kujtohet gjithashtu që vogëlushin tim përditë e shoqëronim për në shkollë. Ai kënaqej pafund kur gjente dikë aty te dera e shkollës. Atij i pëlqente ta mbanim për dore…. Edhe sot i pëlqen, por të më fusë paksa krahun si xhentëlmen i vërtetë.
Nga ana tjetër, prej disa vitesh punoj në shkollën "Wilson", një shkollë me të gjitha nivelet e sistemit parauniversitar dhe shoh në ditën e parë të shkollës fëmijë që nga kopshti deri në maturë. Ua them me bindje: të gjithë ata fëmijë kanë emocion, ankth për sytë që i presin, dorën që do t’u zgjatet, librin që do t’u shpaloset mbi bankë….
Ndaj miqtë e mi, shoqërojini gjithmonë fëmijët tuaj për në shkollë, mos ua lini dadove, komshinjve apo të rastësishmëve këtë ditë. Jepuni besim atyre për t'u thënë se ju kanë pranë dhe ndajini bashkë dilemat që i shoqërojnë ata në ditën e parë… e më pas, mos u trembni nga fakti që ndonjëri nuk shpreh dëshira konkrete këtë ditë… S’është e lehtë të formësosh dëshira, as ëndrra… Realiteti të tremb. Mësojini ata si të ndeshen me realitetin. Mos u trembi kur ata duan, por nuk kanë asnjë shok… Mësojini si ta zënë shokun. Mos u trembni, nëse ata nuk i duan fort librat. Dija ndonjëherë është si portë e lartë… Mësojini ata si të trokasin në portën e saj. Provojini bashkarisht çelësat hapës. Mos u trembni, nëse ata nuk rrëfejnë histori të bukura. Mund të jenë dëgjues të mirë. Mos u trembni nëse ata janë të heshtur. Do bëhen fisnikë dhe të qetë. Por mos u trembni as nga shkathtësitë e tepruara… Do bëhen të zotët e vetes…
Të dashur prindër që si unë ia dilni vetëm, mos u trembni, mos u ulni në një cep, mos u fshihni, por jepini dorën fëmijës suaj dhe rrëfeni bashkë ngjarjen e ditës edhe kur ajo është e mbushur plot vështirësi. Mos harroni se gjërat e mëdha nisin rëndom nga gjërat e thjeshta.
Mos kërkoni mësuesin ideal. Kërkoni tek ai mësuesin njerëzor, bashkëpunoni me të, shpjegojani natyrën e fëmijës tuaj, garantojeni që do të jeni bashkë përgjatë këtij procesi. Mos paragjykoninëse diçka nuk shkon në një moment të caktuar. Por mos e lini të kalojë atë moment, sepse ai mund të jetë momenti më i rëndësishëm i fëmijës tuaj. Jini kërkues, por edhe tolerantë.
Miqtë e mi, shumë fëmijë kanë fatin të frekuentojnë shkolla të mira, disa mesatare, por disa edhe problematike. Por shkollat e mira i bën të tilla së pari shpirti njerëzor. Kujtoj fillimin e punës sime në një shkollë të vogël dhe pa çati në Sauk të Tiranës me orë 45 minuta dhe me çadër. Më pas klasa kolektive. Më pas shkolla të reja, më pas sisteme të digjitalizuara, më pas inspektoja këto sisteme që i kisha rrokur me dorën time, trajnoja mësuesit për risitë që koha solli. E tani jam në një shkollë ku nuk mungon asgjë… Gjithmonë kam thënë se në radhë të parë shkollën e bëjnë mësuesit e tyre. Dhe unë sot i kam dy fjalë edhe për kolegët e mi, në emër të profesionit, në emër të fëmijëve që si kanë prindërit, në emër të ditës së parë dhe fisnikërisë së dijes: U drejtohem atyre me shumë përulje:
Konsumojeni ditën e parë me vëzhgime të thjeshta, vëreni ata nxënës që fshihen, ata që duan të ikin më shpejt nga shkolla, ata që heshtin, ata që ulin sytë, ata që bëjnë sikur shkruajnë e nuk shkruajnë asnjë fjalë, ata që edhe qajnë, ata që reagojnë, ata që ju kërkojnë me sy, ata që i vidhen shikimit tuaj, ata që ulen në bangën e fundit, ata që janë indiferentë, ata që nuk e ngrenë dorën për të treguar se ku i kanë kaluar pushimet… edhe ata kanë një histori për të rrëfyer.
Nxirreni historinë prej tyre, bëjani të natyrshme, të vërtetë, me shpresë, le të ketë dhimbje. Kthejeni pas pak në gëzim. Dhe më pas sigurisht merruni edhe me të gjithë të tjerët. Le të nisë tregimi edhe mbi gjëra të lumtura, të bukura… Ata do të dëgjojnë njëri-tjetrin.
Askush nuk mund të thotë se kush është prindi model… as mësuesi model. Unë mund t’ju them se kam njohur plot të tillë. Dhe kjo më gëzon në këtë prag të fillimit të vitit shkollor.
(Nga Adriatike LAMI, Drejtore e Shkollës Wilson, Specialiste e arsimit parauniversitar; Portali Shkollor)
Letër falenderuese mësuesit
Për Klodin: Një udhëtim i paharruar mirësie...
Ese: Mjedisi dhe njeriu