Ribotimi cilësor nga Albas

“Kalamajtë e pallatit tim”, romani i autorit aq të dashur për fëmijë Bedri Dedja

I shtohen serisë së librave klasikë për fëmijë edhe dy vëllimet e romanit “Kalamajtë e pallatit tim”, të autorit aq shumë të dashur për fëmijë Bedri Dedja.

Pak për autorin...


Veprat e Bedri Dedjes për dekada të tëra e për breza të shumtë fëmijësh shqiptarë, brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë, kanë ushqyer dhe edukuar me ndjenjën e dashurisë, me frymën e atdhetarizmit dhe bukurinë artistike të gjuhës shqipe mijëra e mijëra lexues të vegjël. 


Bedri Dedja la një trashëgimi të pasur letrare e shkencore, e cila përmblidhet në më shumë se 200 vepra të botuara. Ai u bë figurë qendrore e letërsisë për fëmijë, jo vetëm duke i lëvruar të gjitha llojet e gjinitë letrare, por edhe me botimet e tij në fushën e psikologjisë dhe të pedagogjisë. Ai ishte krijues i dy epokave dhe kjo ndarje e krijimtarisë së tij është një thesar i çmuar me vlera njohëse për fëmijët e sotëm, pasi u jep mundësi atyre të njihen me bashkëmoshatarët e një kohe të shkuar. 


Veprat e Bedri Dedjes kanë nivel të lartë artistik dhe këndvështrim bashkëkohor. Përveç fëmijëve, ato u shërbejnë si udhërrëfyes pedagogjikë edhe prindërve dhe mësuesve.


Dy fjalë për lexuesin...


Duke marrë sot në duar romanin “Kalamajtë e pallatit tim” në dy vëllime 1 dhe 2, ju do ta keni përsëri midis jush shkrimtarin e dashur të shumë brezave të fëmijëve shqiptarë, me përshkrimet e tij mjeshtërore të botës së bukur fëmijërore, me ndjenjat, shqetësimet, ëndrrat, lodrat dhe skenat e gjalla të jetës së tyre. 


Si vërejtës i hollë, shkrimtari Bedri Dedja i ka vëzhguar për një kohë të gjatë fëmijët e pallatit apo të lagjes ku jetonte dhe ka zbuluar ato thesare, siç i quante shpesh me humor, që të tjerët nuk i vinin re. Më pas, ai i përshkruan me art këto zbulime në veprat e tij. 


Në faqet e romanit ju do të zbuloni pasionin e madh të fëmijëve, veçanërisht të djemve, për topin dhe lojën e futbollit; shkrimtari tregon se sa bukur dinin këta fëmijë t’i krijonin skuadrat, të gjenin fushat e lodrave të tyre apo të organizonin kohën e lirë. Po ashtu, ai tërheq vëmendjen se jeta nuk është e bukur vetëm me lojëra. Ai përshkruan edhe raste, kur këta fëmijë, me orar ose pa orar, i derdhnin të gjitha energjitë në fushat e lojës, aq sa nuk kishin më fuqi për përgatitjen e mësimeve për ditën e nesërme. Në këtë roman do të njiheni edhe me fëmijë të përkëdhelur jashtë mase, ose me fëmijë të lënë jashtë kontrollit, të cilët më pas mund të bëheshin individë të rrezikshëm. Por do të ndesheni edhe me përpjekjet e fëmijëve për të përballuar situata të vështira, të cilat krijoheshin në shkollë e jashtë saj. 


Autori përshkruan artistikisht dhe me mjeshtëri botën e pasur të fëmijëve nëpërmjet shprehjeve dhe fjalëve që përdorin mes tyre, duke krijuar një pasuri unike dhe personale të gjuhës. 


Përgjatë romanit, këto shprehje dhe fjalë janë ruajtur sikurse janë shkruar nga autori, duke dhënë shpjegime, që të kuptohen më mirë nga fëmijët e sotëm.



Një copëz letër, mbetur “e burgosur” në zarf, mban një sekret që shpaloset në faqet e fundit të këtij romani plot aventura, të cilat nisin në Tiranë e më pas zhvendosen në një fshat malor. Xhamat e thyer në shtëpinë e banorit më të ri të pallatit, zbulojnë një nga një fqinjët e kateve të tjera. Më pas ngjarjet ndjekin deri në oborr fëmijët e moshave të ndryshme që argëtohen në lojëra e vrapime, që dinë të krijojnë skuadrat e tyre, apo të organizojnë kohën e lirë.





Në faqet e këtij romani do të njiheni me lojërat, shqetësimet dhe gëzimet e bashkëmoshatarëve të një kohe të shkuar dhe të një rendi tjetër shoqëror. Ngjarjet ndodhin në një pallat në Tiranë, në shkollë, në rrugët e kryeqytetit, e më tej, edhe në fshat. Gjithçka është dhënë me vërtetësi të madhe artistike nga autori. Ky libër mund të lexohet me kënaqësi edhe nga të rriturit, pasi në rrëfimet e tij ata do të gjejnë gjurmët e fëmijërisë së tyre e me sy e me mendje do të kthehen në ato vite që shkrimtari i përshkruan me aq vërtetësi.




Të dyja vëllimet e romanit “Kalamajtë e pallatit tim” janë të pasura me ilustrime, duke i bërë më tërheqëse për fëmijët.

Së shpejti pritet të botohet po nga Albas, edhe vëllimi i tretë i këtij romani, i titulluar “Sikuriada” (ose “Kalamajtë e pallatit tim- 3”). 


Librat janë botuar nën kujdesin e vajzës së autorit, Edlira Dedja. 


Të dashur prindër! Pasurojeni bibliotekën e fëmijës tuaj me libra që do t’u shërbejnë të njohin historitë e bashkëmoshatarëve të tyre, edhe pse i përkasin një kohe tjetër. Janë një vlerë që do të pasurojnë botën e madhe të horizontit të tyre, si dhe të kuptojnë se kudo, në çdo kohë, fëmijët mbartin gjithë energjinë për të përballuar situatat e ndryshme, që u krijohen në shkollë e në jetën e përditshme.




Nga Artemisa Bushi (redaktore në Albas)

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

5,063 Lexime
1 vit më parë