LIBËR I RI

Gati "Çelësi i Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe"

Shpresojmë që me "Çelësin e letërsisë dhe Gjuhës Shqipe", t’u kemi lehtësuar punën maturantëve dhe mësuesve të letërsisë, të cilët janë kryesorët në këtë “fushatë” parapërgatitore të maturantëve për provimin shtetëror.

U bënë kaq vjet (që nga 2003-shi) që shtëpia botuese Albas u vjen në ndihmë maturantëve me botimin didaktik “Çelësi i letërsisë dhe i gjuhës shqipe”. Në këtë botim të ri përfshihet gjithë lënda e tri viteve të gjimnazit, në mënyrë të sintetizuar, e shoqëruar me ushtrime e teste, që maturantët t’i ushtrojnë praktikisht njohuritë gjuhësore dhe letrare.


Libri është i konceptuar në katër krerë:

1. Njohuri gjuhësore

2. Tekste joletrare

3. Letërsi 

4. Zgjidhjet e ushtrimeve dhe testeve


Në kreun I “Njohuri gjuhësore” janë paraqitur të sintetizuara të gjitha temat nga Morfologjia, Sintaksa, Drejtshkrimi, Leksikologjia dhe Fjalëformimi, që përmban Programi Orientues për Maturën Shtetërore.  Ato shoqërohen me ushtrime të shumëllojshme dhe teste, me qëllim që maturantëve t’u nguliten njohuritë gjuhësore, të cilat do të rimerren edhe në studimin e teksteve joletrare dhe të atyre letrare.


Në kreun II “Tekste joletrare” janë përmbledhur e sintetizuar njohuritë teorike për katër llojet e teksteve: Teksti informues paraqitës; Teksti përshkrues; Teksti rrëfyes; Teksti argumentues. Këto njohuri të domosdoshme për llojet e teksteve shoqërohen me ushtrime për analizat e tyre dhe për mënyrën se si nxënësi/ja të ushtrohet për t’i shkruar. Janë dhënë modele testesh ku vihet theksi te veçoritë thelbësore të llojeve të teksteve, që lidhen me qëllimin, objektin, strukturën,  veçoritë gjuhësore etj., si dhe te dallimet e karakteristikat e tyre të përbashkëta, etj.  

Një rëndësi e veçantë i është kushtuar Esesë, si lloji i shkrimit më i përdorur nga nxënësit në shkollë. Ndaj ajo trajtohet te secili lloj i tekstit, e veçanërisht te Teksti argumentues. Janë dhënë ushtrime të larmishme në lidhje me secilën veçori të esesë: hyrjen, konkluzionin, tezën dhe argumentet pro e kundër tezës, temave të ndryshme dhe veçorive të analizës së këtij lloj shkrimi. Po kështu, nëpërmjet modeleve të gatshme e gjysmë të gatshme udhëzohen gjimnazistët/et për t’u ushtruar në shkrimin e esesë. 


Në kreun III fillimisht jepen të përmbledhura njohuritë për veçoritë e Tekstit poetik (metrika e retorika), të Tekstit tregimtar dhe Tekstit dramatik. Më pas jepen të sintetizuara dhe me skema veçoritë kryesore të veprave të autorëve të përfshirë në Programin e Maturës Shtetërore. Janë zgjedhur disa fragmente veprash të plota ose paragrafë të shkurtër nga secili autor, të shoqëruara me pikat kyç të komentit, të cilat zbërthejnë ato veçori që janë më specifike te secili autor dhe që lidhen me karakteristika të epokës letrare, si dhe të stilit të autorit. Kjo  pjesë shoqërohet në fund me teste të cilat synojnë ngulitjen e njohurive të tekstit poetik, tregimtar e dramatik, nëpërmjet veprave të përfshira në programin e maturës shtetërore. 


Në kreun IV  përfshihen të gjitha përgjigjet për testet e njohurive gjuhësore, të teksteve joletrare dhe të veprave letrare. Grupi i autorëve ka qenë i vetëdijshëm në punën e tij se një libër i tillë kërkon saktësi shkencore jo vetëm në lëndën e gjuhës që është e pashmangshme, por dhe në atë të letërsisë. Letërsia është një disiplinë, që pavarësisht qëndrimit subjektiv të secilit prej nesh ndaj saj, duhet të studiohet brenda parimeve që lidhen me stilet e epokave letrare dhe origjinale të çdo shkrimtari. Ndaj kemi shmangur komentet individuale, për t’i dhënë rëndësi veçorisë tipike stilistike. Gjithashtu kemi shmangur komentin e parafrazuar për çdo varg dhe çdo fjalë pasi është një deformim i thelbit estetik të letërsisë dhe ul nivelin e një analize të vërtetë letrare. Jemi të bindur që komenti i bazuar në veçori tipike stilistikore shmang të vlerësuarin subjektiv të nxënësit, që është një dobësi e vërejtur në këto vite kur letërsia në shkollë studiohet me tekste alternative. 


Shpresojmë që me këtë libër t’u kemi lehtësuar punën maturantëve dhe mësuesve të letërsisë, të cilët janë kryesorët në këtë “fushatë” parapërgatitore të maturantëve për provimin shtetëror. 


(Redaksia e Portalit Shkollor)

11,314 Lexime
5 vjet më parë