Ja si duhet plotësuar testi dhe fletë-përgjigja e pyetjeve me alternativa
Plotësimi korrekt i kësaj flete është vendimtar për të siguruar pikët me të cilat vlerësohen pyetjet me alternativa. Në të katër provimet e Maturës Shtetërore 2019, maturantët, përveç testit, duhet të plotësojnë dhe një fletë-përgjigje
Maturantët kanë nisur tashmë me përgatitjet finale për provimin e parë të detyruar të Maturës Shtetërore 2019 që do të zhvillohet pas dy javësh. Duke qenë se në provimet e këtij viti korrigjimi i pyetjeve me alternativa do të bëhet elektronikisht, autoritetet e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Qendrës së Shërbimeve të Arsimit kanë detajuar udhëzimet se si maturantët duhet të plotësojnë testin, i cili do të shoqërohet edhe nga fleta e përgjigjeve. Plotësimi korrekt i kësaj flete është vendimtar për të siguruar pikët me të cilat vlerësohen pyetjet me alternativa. Në të katër provimet e Maturës Shtetërore 2019, maturantët dhe kandidatët e viteve të shkuara, përveç testit, duhet të plotësojnë dhe një fletë-përgjigje për pyetjet me zgjedhje (alternativa)”, bëjnë me dije ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit. Sipas modelit të zbardhur, testi për secilën lëndë të detyruar dhe me zgjedhje do të ketë në total 34 pyetje, 20 prej të cilave do të jenë me alternativa, ndërsa pjesa tjetër me zhvillim. Duhet të bëni kujdes në plotësimin e përgjigjeve të sakta në test, si dhe në fletën shoqëruese, sipas udhëzimeve të detajuara në vijim të shkrimit. Në të kundërt rrezikoni humbjen e pikëve. Sa i takon korrigjimit të testeve, ekspertët e MASR kanë deklaruar më herët se secili nga provimet e detyruara, si dhe lënda me zgjedhje do të vlerësohen maksimalisht me 60 pikë, të cilat i korrespondojnë notës më të lartë.
Udhëzimet si duhet të plotësoni testin
Sipas udhëzimeve të detajuara nga ekspertët e arsimit, maturantët dhe të gjithë kandidatët e tjerë që do të marrin pjesë në provimet e këtij viti, duhet të plotësojnë në fillim testin, pastaj të plotësojnë fletë-përgjigjen për pyetjet me zgjedhje (alternativa). Pyetjet me alternativa mund të jenë të shpërndara në test (jo njëra pas tjetrës), por numrat e pyetjeve në tabelën e fletë-përgjigjes do të jenë në përputhje me numrin që secila pyetje ka në test. Maturanti udhëzohet për të mbushur rrathët e tabelës për secilën pyetje. Bashkëlidhur shkrimit do të gjeni një model të i fletës së përgjigjes që do të shoqërojë testin në secilin provim. “Mbushni me stilolaps rrethin që përfaqëson alternativën e saktë për secilën pyetje me zgjedhje (alternativa). Asnjë formë tjetër e përzgjedhjes së alternativave nuk do të konsiderohet si e vlefshme. Për çdo pyetje, qarkoni fillimisht alternativën e saktë në test, pastaj mbushni rrethin përkatës në tabelën e fletës së përgjigjeve”, këshillojnë ekspertët e QSHA-së.
Rastet kur nuk vlerësoheni me pike
Nëse për një pyetjen fletën shoqëruese të përgjigjeve keni mbushur dy rrathë, përgjigja juaj për këtë pyetje do të konsiderohet e pavlefshme dhe do të vlerësohet me 0 pikë. Gjithashtu bëhet e ditur se nëse për një pyetje nuk keni mbushur asnjë rreth, ajo pyetje do të vlerësohet me 0 pikë. Nëse për një pyetje keni qarkuar alternativën e saktë në test, por nuk keni mbushur rrethin përkatës në tabelën përkatëse të fletës shoqëruese, ajo pyetje do të vlerësohet me 0 pikë. Çka do të thotë se përgjigja e plotësuar në test, edhe pse është e saktë do të vlerësohet me zero pikë. Drejtoritë e të gjitha shkollave të mesme janë informuar tashmë që udhëzuesin bashkë me modelin e fletë-përgjigjes ta vendosin në këndin e maturës të çdo shkolle, si dhe të informojnë maturantët në lidhje me të. Kjo në mënyrë që në ditën e provimit të bëjnë plotësimin e duhur të testit, pa rrezikuar humbjen e pikëve.
Provimi i gjuhës së huaj
Autoritetet e arsimit bëjnë me dije se testi i gjuhës së huaj do të jetë i strukturuar në tre pjesë që janë: Të lexuarit dhe të kuptuarit e një teksti të shkruar që do ketë në përmbajtje rreth 50 për qind të pyetjeve, përdorimin e drejtë i gjuhës (gramatika dhe leksiku) që do ketë rreth 28 për qind të pyetjeve, si dhe të shkruarit me 22 për qind të pyetjeve. Testi i gjuhës së huaj hartohet në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm trajtohet si gjuhë e huaj e parë. Teza e provimit do të jetë në nivelin gjuhësor që përcaktohet në kurrikul në përfundim të arsimit të mesëm përkatës.
Provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë
Testi i gjuhës dhe i letërsisë që do të plotësojnë maturantët e këtij viti do të jetë i strukturuar në tre pjesë. Në pjesën e parë të testit, nxënësit do t’i jepet një tekst joletrar rreth të cilit duhet të demonstrojë njohuritë dhe aftësitë gramatikore, drejtshkrimore dhe të pikësimit të gjuhës shqipe. Pyetjet rreth gjuhës shqipe përbëjnë rreth 40 për qind të përmbajtjes së tezës që do të plotësojë nxënësi. Pjesa e dytë e testit do të ketë në përmbajtje një fragment të shkëputur nga lista e veprave letrare të përcaktuara, rreth të cilit gjithashtu do të jenë të përqendruara rreth 40 për qind e pyetjeve sa i takon njohurive që nxënësi duhet të ketë rreth lëndës së letërsisë. Ndërsa pjesa e tretë e testit përfshin esenë. Ekspertët sqarojnë se eseja dëshmon formimin gjuhësor dhe letrar të nxënësit. Ekspertët e arsimit vënë në dukje se tema e esesë mund të lidhet me njërën nga pjesët dhe fragmentet që janë të përshkruara në test. Eseja mund të jetë me tematikë përshkruese, rrëfyese, argumentuese, informuese, paraqitëse, dhe shpjeguese. Pyetjet do të përfshijnë të tria nivelet e vështirësisë.
Provimi i matematikës
Edhe testi i matematikës vlerësohet në total me 60 pikë. Testi ka në përmbajtje 20 pyetje me zgjedhje (alternativa) dhe pyetjet e tjera janë me zhvillim dhe arsyetim. Në pyetjet me zgjedhje duhet të rrethoni vetëm shkronjën përbri përgjigjes së saktë, ndërsa për pyetjet me zhvillim është dhënë hapësira e nevojshme për të shkruar përgjigjen. Bazuar në kurrikulën që nxënësit kanë zhvilluar në shkollë, përmbushja e kompetencave matematikore që një nxënës duhet të zotërojë përgjatë gjithë zhvillimit të lëndës dhe jo vetëm, arrihet nëpërmjet 5 tematikave kryesore që janë: numri, matja, gjeometria, algjebra dhe funksioni (përfshirë derivatin dhe integralin), statistika dhe probabiliteti. Për secilën tematikë është paraqitur pesha që zë secila prej tyre në përmbajtjen e pyetjeve që do të ketë teza finale e këtij provimi. Konkretisht pyetjet rreth tematikës së numrit zënë 17 për qind të tezës, pyetjet rreth matjes 15 për qind, pyetjet gjeometrisë rreth 13 për qind, pyetjet rreth algjebrës dhe funksionit 38 për qind, ndërsa pyetjet rreth statistikës dhe probabilitetit rreth 17 për qind të përmbajtjes së testit.
Rastet kur provimi nuk njihet
Maturanti apo kandidati i viteve të shkuara përjashtohet nga provimi kur konstatohet se:
“Ndryshon vendin që i është caktuar, merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë të tjerë, kur bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit, kur mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit, si dhe kur refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjate hyrjes në qendrën e provimit”. Po sipas rregullores, maturantit nuk i njihet rezultati nëse përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuar në rregulloren e provimit, nëse ka hequr ose dëmtuar kodin e sekretimit të testit (barkodin), nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal, nëse vërtetohet kopja, e pjesshme, ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga KOPOTED, si dhe në rastet kur është marrë masa e përjashtimit nga provimi.
Kujdes në këto tre raste:
Nëse për një pyetje keni mbushur dy rrathë, përgjigja juaj për këtë pyetje do të konsiderohet e pavlefshme dhe do të vlerësohet me 0 pikë.
Nëse për një pyetje nuk keni mbushur asnjë rreth, ajo pyetje do të vlerësohet me 0 pikë.
Nëse për një pyetje keni qarkuar alternativën e saktë në test, por NUK keni mbushur rrethin përkatës në tabelën e mëposhtme, ajo pyetje do të vlerësohet me 0 pikë.
(Portali Shkollor)
Ceremonia e ndarjes së “Medaljeve të Arta” për 188 maturantë, Manastirliu: 80% e ekselentëve studiojnë në universitetet shqiptare
Pasurimi i bibliotekave shkollore, Manastirliu: Mbi 20 mijë libra për nxënësit në gjithë vendin
Dita e Diasporës, Manastirliu: Nis nga Janari programi “Mësues për Greqinë”, mbështetje financiare për mësuesit e diasporës