Inxhinieritë “mundin” Mjekësinë, maturantët zgjedhin degë që sigurojnë punësim pas diplomimit
Grupi i programeve të inxhinierisë dhe teknologjisë së informacionit ka tërhequr interesin e më shumë se 27% të maturantëve që kanë aplikuar për t’u regjistruar në universitet, duke tejkaluar kështu mjekësinë dhe shkencat ekonomike.
Ekspertët e punësimit vërejnë se është rritur vigjilenca e të rinjve të cilët i përshtaten kërkesave të tregut dhe kërkojnë të paguhen më mirë.
“Ka ndryshuar shumë mentaliteti i këtyre studentëve, reflektojnë realitetin e tregut të punësimit dhe shumë nga këto degë lidhen me fusha më specifike, më teknike. Dy nga fushat kryesore që janë zhvilluar së fundmi janë IT dhe inxhinieritë. Paguhen shumë mirë zhvilluesit apo programuesit, të cilët janë një risi për tregun tonë, e fuqizuar shumë pas pandemisë, pozicionet e larta drejtuese por unë do përmendja edhe fushën inxhinierike, inxhinier ndërtimi, mekanik apo elektrik janë pozicione që po kërkohen shumë dhe po paguhen edhe më mirë”, ka thënë për mediat Emin Shini, ekspert punësimi.
Nga ana tjetër, është i dukshëm ndikimi që ka tërheqja e fuqisë punëtore të kualifikuar ose jo, nga Gjermania e cila vijon të mbajë vendin e parë, por edhe shtete të tjera të BE. Krahas këtij fenomeni, në vitet e fundit është shtuar edhe numri i kompanive të huaja që operojnë në vendin tonë.
“Unë punoj në një kompani italiane si programuese, pozicionet janë të ndryshme dhe variojnë nga analistë në konsultant, zhvillues ëeb-i apo menaxher projekti. Pagesat sipas tregut që po flasim aktualisht nisin nga 800 euro dhe nuk kanë një tavan sepse varet nga projektet që mund të marrësh. Mund të punoj nga shtëpia, zyra apo vende të tjera”, kështu është shprehur Klerina Lamçe e cila është programuese.
E njëjta situatë vihet re edhe në degët e arkitekturës.
“Është një industri që ka patur rritje. Kanë ndodhur dy fenomene, përpos atyre që një pjesë ikin jashtë, ka disa kompani të huaja që kanë zhvendosur këtë pjesë të operacioneve të tyre në Shqipëri dhe janë hapur disa zyra të reja arkitekture sepse ky është një profesion që mund të bëhet shumë mirë edhe online. Prandaj ka edhe rritje të kërkesës në universitet për këtë degë”, ka pohuar eksperti i punësimit Emin Shini.
Sakaq, vendi po përballet me një krizë gjithnjë e në rritje për fuqinë punëtore të pakualifikuar apo atë që gjeneron arsimi profesional.
Marrë nga V.P
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Udhëzuesi i përditësuar për mësimin në kushtet e shtëpisë
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!
Nisi Panairi i Librit, nga data 13-17 nëntor jeni të mirëpritur në Pallatin e Kongreseve