Intervistë

Iniciativa dhe pasioni i mësueses Jonida Varfi për t’i përfshirë nxënësit e saj në olimpiada botërore multimediale: Këtë vit u kthyem me dy çmime

Mes 95 konkurrentëve, nxënëset e gjimnazit “Ismail Qemali”, Sindi Pojaku dhe Ledia Dushku, janë shpallur fituese në Olimpiadën Multimediale të liceut Federico II di Svevia, në Melfi të Italisë.Ju ftojmë të lexoni intervistën me mësuesen Jonida Varfi, e cila ka realizuar dhe mbajtur “gjallë” këtë eksperiencë.

Shkolla për nxënësit këtë vit u mbyll, por sukseset që kanë arritur disa prej tyre do të zgjasin përgjithmonë...ndaj ne kemi zgjedhur t’ju prezantojmë pjesëmarrjen në një projekt dinjitoz të gjimnazistëve të “Ismail Qemalit” jashtë vendit. Mes 95 konkurrentëve Sindi Pojaku dhe Ledia Dushku janë shpallur fituese në Olimpiadën Multimediale të liceut Federico II di Svevia, në Melfi të Italisë. Ato u vlerësuan si kompetente për krijimet e tyre në gjuhën moderne, atë multimediale. Por për të zbuluar më tepër ju ftojmë të lexoni intervistën e mëposhtme që ne kemi realizuar me mësuesen Jonida Varfi, e cila prej pasionit që e karakterizon ka realizuar dhe mbajtur “gjallë” pjesëmarrjen dhe paraqitjen e nxënësve shqiptar në këtë kompeticion të rëndësishëm. 


Mësuese Jonida, angazhimi juaj i fundit me disa nxënës të përzgjedhur të gjimnazit “Ismail Qemali” në Tiranë ju ka bërë tiumfatorë të dy çmimeve të marra nga pjesëmarrja në Olimpiadën Multimediale të liceut Federico II di Svevia, në Melfi të Italisë. Dimë që ky nuk është viti i parë që ju bëheni pjesë e kësaj olimpiade të rëndësishme jashtë vendit. Por mund të na flisni pak më tepër se ku konsiston në vetvete ky konkurs? Pra çfarë është Olimpiada Multimediale e zhvilluar atje? Cili është qëllimi i saj?   


Ne jemi pjesëmarrës në këtë olimpiadë që në vitin 2012 dhe jemi përfaqësuar për disa vite me nxënës të seksionit dygjuhësh italo-shqiptar pa një përzgjedhje të mirëfilltë në shkollë. Para dy vjetësh vendosëm të bëjmë olimpiadën Al mediashow në shkollë dhe që në vitin 2022 ne tashmë paraqitemi në Olimpiadën e Melfit me nxënësit më të mirë të përzgjedhur në shkollën Ismail Qemali. Olimpiada ka si qellim angazhimin e nxënësve për të qenë kompetentë jo vetëm në të shkruar por gjithmonë e më shumë në atë që është gjuha moderne, ajo multimediale.



Si konkurrojnë nxënësit aty? Nga cilat vende janë, çfarë moshe kanë?  Cilat janë kriteret? 


Në olimpiadë nxënësit pjesëmarrës vijnë nga shkolla të ndryshme të Italisë  por ka edhe delegacione nga vende të ndryshme të botës si Zvicër, Kinë, Holandë, Spanjë etj. Të gjithë nxënësit pjesëmarrës pasi njihen me temën në ceremoninë hapëse shpërndahen në sallat përkatëse ku duhet të punojnë të mbyllur para kompjuterëve për rreth 6 orë, aty iu shërbehet edhe ushqim. Për çdo lëvizje jashtë sallave ata shoqërohen. Ditën e dytë në shkollë ka aktivitete ndërkohë që juria është duke bërë vlerësimet dhe ditën e tretë bëhet ceremonia e mbylljes, ku jepen edhe çmimet. Almediashow në gjimnazin tonë zhvillohet me të njëjtat kushte dhe kjo na ka ndihmuar që ne këto vite të kthehemi me çmime. Pjesëmarrësit janë nga 15-17 vjeç. 



Po temat si përzgjidhen për pjesëmarrjen në këtë olimpiadë? 


Tema përzgjidhet nga Ministria Arsimit Italiane, ajo është e panjohur dhe zarfi hapet në prani të mësuesve dhe nxënësve gjatë ceremonisë së hapjes së olimpiadës.



Si nisi ideja që shkolla “Ismail Qemali” të marrë pjesë në këtë olimpiadë që italianët atje e konsiderojnë të famshme? Si ishte hera e parë e këtij rrugëtimi për të vijuar deri më sot? 


Pjesëmarrja për herë të parë u bë nëpërmjet një aplikimi nga mësuesja italiane në bashkëpunim me mua. Hera e parë e këtij udhëtimi ishte me shumë të panjohura dhe çdo gjë ishte një informacion i vlefshëm për vitet e ardhshme.



Si janë prezantuar përgjatë këtyre viteve nxënësit tanë shqiptarë në këtë olimpiadë? 


Përgjatë këtyre viteve nxënësit tanë janë paraqitur mjaft mirë dhe kemi marrë edhe çmime.

Në 2015 vendin e parë me nxënësin Francesko Shehu – “Të luftojmë për një botë pa kufi”;

Në 2016 vendin e tretë me nxënësen Vivian Sheshi;

Në 2022 çmimin inkurajues që iu dha nxënësen Ledia Dushku. 



Ndërkohë këtë vit jeni kthyer me dy çmime, çka për hir të së vërtetës na bëri shumë përshtypje kur e mësuam, pasi për 95 konkurrentë u ndan vetëm 6 çmime.  Kush ishin fituesit, cila ishte tema për të cilën ata krijuan materialin multimedial , me çfarë motivacioni u vlerësuan dhe çfarë mund të na thoni për emocionet e asaj dite? 


Po këtë vit ne kemi ardhur me dy çmime në 6 çmime gjithsej për të cilat ishin ne gare 95 konkurrente. Nxënëset e vlerësua ishin: 

Sindi Pojaku për ekuilibër kompozicional, gjuha e rafinuar, cilësia  audio-video, stili dhe montazhi;

Ledia Dushku për koherencën narrative dhe konceptin solid, menaxhim i mire i materialeve vizuale, përmbajtjeve dhe teksteve.

Patjetër që emocionet ishin të mëdha sepse edhe vështirësia për çmime ishte e madhe për shkak të numrit të lartë të konkurrenteve dhe numrit të kufizuar të çmimeve.

A është i sponsorizuar ky kompeticion?


Ky kompeticion është i sponsorizuar pjesërisht nga organizatorët  (vetëm hoteli dhe ushqimi) pjesa e udhëtimit është shpenzim i familjeve dhe mësueses që i shoqëron.



Përveç pasionit që ju karakterizon ju si mësuese profesioniste për t’i realizuar disa objektiva, madje jashtë lëndës së biologjisë që ju jepni, sa ka qenë e vështirë për ju të mbani “gjallë” këtë pjesëmarrje të veçantë  jashtë vendit në rang botëror shkollash? 


Patjetër që ka qenë e vështirë. Pasioni është një motiv i mirë për të realizuar objektiva, por gjatë këtyre viteve kam kuptuar që suksesi i nxënësve më ka kompletuar edhe mua si mësuese dhe si person. Sigurisht që vështirësitë nuk mungojnë si në çdo punë, shpesh kam dyshime dhe pakënaqësi në punën e përditshme, por unë mendoj se puna jonë është një mision dhe si në çdo mision duhet vënë përpara zemra. 



A do të vazhdoni të merrni pjesë edhe përgjatë viteve në vijim? 


Në vitet e ardhshme patjetër që do mundohemi të vazhdojmë të marrim pjesë sepse nxënësit e talentuar nuk na mungojnë.



Cili është mesazhi juaj për rëndësinë që ka mbështetja e nxënësve shqiptarë për të marrë pjesë në kompeticione dinjitoze për të treguar aftësitë dhe dijet e tyre mes bashkëmoshatarëve kudo në botë?


Ky organizim dhe çmimet e marra në të më kanë bërë të mendoj që ne mësuesit duhet të jemi mendjehapur ndaj njohjes. Të ndihmojmë në kultivimin e talenteve duke bërë gjithçka ne mundemi për t’i ndihmuar të realizojnë ëndrrat e tyre. Nxënësit duhen edukuar të jenë gjithmonë një hap përpara të tjerëve por këtë duhet ta bëjnë me korrektësi dhe ndershmëri.




Video më poshtë tregon momentet nga kjo ngjarje por edhe punimet e dy nxënëseve.

Intervistoi Nanila Allkja Biçaku

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,451 Lexime
1 vit më parë