Infrastrukturë e re për Liceun Artistik
"Kaluan jo pak vite, por ia dolëm që më në fund, Liceu të ketë pianot e reja, klasat e reja, edhe pse projekti është i paplotë, pasi duhet të plotësohet me sallën e re të koncerteve, audicioneve, aktiviteteve që liceu i ka të gjitha mundësitë të bëjë."
Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj inauguruan ambientet e reja të Liceut Artistik në Tiranë. Kryeministri Edi Rama, ish-nxënës i kësaj shkolle, u shpreh se Liceu e ka detyrim të jetë qendër e ekselencës shqiptare. Ai kujtoi degradimin për vite me radhë të ndërtesës së Liceut, klasat e amortizuara dhe instrumentet e vjetruara mësimore të nxënësve.
“Kaluan jo pak vite, por ia dolëm që më në fund, Liceu të ketë pianot e reja, klasat e reja, edhe pse projekti është i paplotë, pasi duhet të plotësohet me sallën e re të koncerteve, audicioneve, aktiviteteve që liceu i ka të gjitha mundësitë të bëjë edhe për komunitetin jashtë mureve të tij. Liceu do plotësohet përfundimisht si infrastrukturë. Pastaj u mbetet mësuesve, nxënësve që të bëjnë më të mirën, për të rritur cilësinë përmes studimit të posaçëm dhe intensiv që këtu ka qenë gjithmonë traditë. Duhet që kjo shkollë të bëhet një qendër e ekselencës shqiptare, sepse duhet të jetë e tillë.
Shkolla ka përjetuar një rrënim të vazhdueshëm për shkak të mungesës së plotë të vëmendjes. Duhej bërë një investim masiv në këtë shkollë, pasi që nga pianot që janë instrumenti bazë i shkollës e deri te atelietë e arteve vizuale, gjithë lënda e parë me të cilën punojnë nxënësit dhe mësuesit e Liceut ishte vërtetë e vjetër në pikë që nuk krijonte më ato kushte pa të cilat është e pamundur të kërkosh cilësi”, tha Rama.
Kryebashkiaku i Tiranës tha se ishte e pafalshme që një institucion i tillë, i cili ka nxjerrë mjaft artistë, të cilët e kanë çuar emrin e Shqipërisë në arenat më të mëdha dhe të rëndësishme të artit botëror, ishte lënë në një gjendje të mjeruar.
“Kur kam ardhur herën e parë dhe pashë që në hollin e hyrjes së shkollës ishte puseta e ujërave të zeza thashë: Si ka mundësi? Si mund të jemi një komb me dy standarde? Si ka mundësi që rrahim gjokset dhe themi ‘O sa mirë me qenë shqiptar’, kur Inva Mula, Sajmir Pirgu, Tedi Papavrami apo Ermonela Jaho ia dalin të kenë sukses jashtë, kurse puseta e ujërave të zeza është e hapur m’u në mes të Liceut? A nuk jemi një shoqëri me dy standarde nëse nuk e korrigjojmë këtë? Ndaj më vjen mirë që me këmbënguljen e kryeministrit, ministres së Arsimit, ministres së Kulturës dhe punën e bashkisë, sot kemi një rezultat perfekt sepse ajo që themi është ajo që bëjmë”, shtoi Veliaj.
Ai u shpreh i sigurt se tashmë, falë edhe këtij investimi, kjo shkollë do të nxjerrë edhe më shumë artistë, që nesër do jenë krenaria jonë kombëtare. Ndërkaq, Veliaj njoftoi se edhe shkolla “Kosova”, që gjendet në këtë lagje, do t’i nënshtrohet rikonstruksionit shumë shpejt.
Liceu artistik “Jordan Misja” është krijuar në janar të vitit 1947. Aktualisht aty mësojnë rreth 900 nxënës të profilizuar në degët e arteve figurative dhe muzikore, si dhe klasat e përgjithshme. Ndërhyrja në shkollë u realizua me investim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ndërsa rikonstruksioni ka prekur fasadën kryesore, fasadat e brendshme për shkak të lagështirës, hidroizolimin e kateve, tualetet, dyert e dritaret, sistemin e mbrojtjes kundër zjarrit, ngrohjen e shkollës, gjelbërimin e territorit të jashtëm si dhe terrenet sportive.
Hartimi i projektit kurrikular
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!
Kualifikimi i mësuesve sipas udhëzimit të ri