INSTITUTI I ZHVILLIMIT TË ARSIMIT

Identifikimi i Nevojave për Trajnimin e Mësuesve

Pas testimit të 17.613 mësuesve në gjithë vendin, Instituti i Zhvillimit të Arsimit (IZHA) prezantoi sot, Raportin Kombëtar të Identifikimit të Nevojave për Trajnimin e Mësuesve dhe Drejtuesve

Një proces i planifikuar me kujdes që filloi me testimin online në Tirana dhe vijoi në të gjithë Shqipërinë, me rregulla të forta monitorimi dhe standarde sekretimi, evidentoi nevojat e mësuesve për trajnim.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, gjatë fjalës së saj në prezantimin e raportit, deklaroi se përmes këtij procesi, për herë të parë, ofrohet për çdo drejtori dhe zyrë arsimore, harta kombëtare e nevojave për zhvillim profesional e detajuar për çdo, shkollë, mësues si dhe databaza e të dhënave, një instrument nëpërmjet së cilit mund të kuptosh nevojat e detajuara për trajnim të drejtuesve, mësuesve, sipas gjinisë, profilit, vjetërsisë në punë, vendndodhjes etj.

“Për herë të parë kemi një raport kombëtar për evidentimin e nevojave të mësuesve dhe drejtuesve në arsimin parauniversitar. Ky është një dokument nga i cili zhvillojmë të gjitha përgjegjësitë që na takojnë përpara 500 mijë nxënësve dhe prindërve të tyre, duke u thënë të vërtetat reale që mbajnë emrin e çdo mësues, shkollë, DAR/ZA. Por, ajo që është e rëndësishme, duke u angazhuar në kohë, me tregues të matshëm, për të përmirësuar situata që kanë nevojë për ndërhyrje emergjente e më pas për të ndërtuar një sistem permanent, bashkëkohor për kualifikimin e të gjithë mësuesve”, tha Nikolla.

Ministrja tha se nga raportimi që MAS kreu pranë përfaqësuesve të Komisionit Evropian në kuadër të Nënkomitetit për “Inovacionin, Shoqërinë e Informacionit dhe Politikat Sociale”, konkluzionet nga ekspertët e KE-së si dhe rekomandimet ishin pozitive.

“Shqipëria inkurajohet të vazhdojë reformën në arsimin parauniversitar dhe ti kushtojë një rëndësi të veçantë trajnimit dhe kualifikimit të mësuesve. Ata kanë ofruar partneritet të plotë dhe ekspertizë për të na shoqëruar në hapat e mëtejshëm, për t’ju përgjigjur kësaj situate dhe detyrave që lindin nga ky raport”, tha ministrja Nikolla.

Ndër të tjera, Ministrja e Arsimit, renditi problematikat e skemës së trajnimit të mësuesve. Sipas saj, janë 51 agjenci trajnuese të licencuara gjatë vitit 2012 dhe 2013, të cilat ofrojnë 739 module trajnimi për mësuesit.

“Shpesh këto agjenci nuk kanë pasur një bashkëpunim dhe koordinim të mjaftueshëm me DAR/ZA-të dhe shkollat për të ofruar trajnime sipas nevojave reale që përputhen me reformat në sistemin parauniversitar. Në mjaft raste, media, mësues të caktuar kanë denoncuar edhe një proces të rëndë për sistem arsimor, atë të shitjes së krediteve. Gjithashtu, ka një mungesë të literaturës profesionale dhe të botimeve mbështetëse për mësuesit, për të mësuar rreth zhvillimeve në formimin e tyre, mbi përvojat më të mira të kolegëve vendas dhe të huaj, ndërkohë që mungon edhe organizimi i trajnimeve online”, tha Nikolla duke shtuar se ka qenë minimal koordinimi me institucionet e arsimit të lartë sa i përket formimit të mësuesve në fakultete e edukimit dhe përfshirjen e tyre në procesin e kualifikimit.

Në fjalën e saj, Ministrja përmendi edhe rëndësinë e krijimit të shkollës së drejtorëve, duke theksuar se do të ketë një diplomë për të gjithë drejtuesit që janë në sistem, por edhe për ata që duan të jenë pjesë e drejtimit të shkollave.

Debati shkencor për skemën e re të zhvillimit profesional të mësuesve, do të vijojë javën që vjen, në konferencën e parë ndërkombëtare mbi zhvillimin profesional të mësuesve, ku ekspertë ndërkombëtare nga vende të zhvilluara evropiane, por dhe nga vende të rajonit, rektorë e pedagogë universitetesh do të mblidhen për të ofruar ekspertizën e tyre në lidhje me skemën ere të zhvillimit profesional, sipas standardeve evropiane.

3,604 Lexime
8 vjet më parë