I KEQI I VETES, botimi më i ri i Albas
Janë copëza kujtimesh të një emigranti, fate, ndjesi, ngjarje historike, të vërteta të pathëna, përplasje mendimesh, brejtje ndërgjegjeje apo mbartja e një faji. Është konsideruar "Libri i Javës". E gjeni në stendën e shtëpisë botuese Albas!
Sa herë që më duhet të punoj për redaktimin e një libri, e para gjë që mendoj se nga duhet t’ia filloj, është që të kuptoj stilin e autorit. Përherë kam gjykuar se kjo është shumë e rëndësishme. Patjetër që për këtë më ndihmoi konsultimi i vazhdueshëm me autorin e librit, Gazmend Kapllani. Nuk do të marr përsipër të bëj një vështrim kritik të këtij botimi të ri me fjalë të mëdha, por dua të rrëfej thjesht atë që mendova dhe përthitha, pasi lexova edhe fjalën e fundit të romanit, duke i lënë lexuesit të hapur kureshtinë që t’u shkojë deri në fund faqeve të librit. Pa diskutim, në shumë paragrafë kam ndaluar me vetëdije të plotë, për të përthithur çdo grimcë mesazhi rrëqethës dhe kuptimplotë që autori me mjaft mjeshtri ka ditur të na i përcjellë. Dhe këtë e ka bërë duke përzgjedhur fjalën e thjeshtë, por që mbart forcën e duhur për të lënë gjurmë te lexusi.
Janë copëza kujtimesh të një emigranti, fate, ndjesi, ngjarje historike, të vërteta të pathëna, përplasje mendimesh, brejtje ndërgjegjeje apo mbartja e një faji.
Ai kthehet pas shumë kohësh në vendlindjen e tij, që jo rastësisht ia vendos emrin Tersi dhe banorët e tij i quan tersianë. Çfarë gjen në të, si kishte ndryshuar qyteti dhe vetë banorët e tij? Po njerëzit më të dashur që gjeti? A kishin ndryshuar ata?
Dhe ja ku gjendet në një përplasje realitetesh, në dy kohë të ndryshme. Janë përplasje mendimesh të një emigranti, që ndryshe nga shumë të tjerë ka ndier një dëshirë të fortë për t’u larguar nga atdheu dhe për të mos u rikthyer më. Asgjë s’e lidhte me qytetin e lindjes, përveç kujtimeve. Edhe këto, aspak mbresëlënëse.
Dhe personazhi (në fakt vetë autori) ndihet në faj, por s’arrin ta gjejë burimin e këtij faji. Ai pranon se përherë ka ushqyer një ndjesi keqardhjeje për të gjithë e për gjithçka.
Të vetmet kujtime që ia shtonin dozën e keqardhjes, ishte lidhja e veçantë që kishte pasur me nënën e tij. Vetëm ikja e saj nga kjo botë i krijoi ndjesinë e fortë të fajit se kordoni ombilikal që lidhte ekzistencës e tij me qendrën e botës, me qendrën e jetës, ishte këputur si një anije që furtuna e egër i pret litarët dhe e vërvit në mëshirën e detit të tërbuar.
Atë vazhdimisht e mundon pyetja: Mos, vallë, ishte endur si emigrant nga një vend në tjetrin, me shpresën e pavetëdijshme se do të gjente përsëri atë qendër të botës, atë qendër të vetes, të zhvendosur dhunshëm?
Por ende nuk e ka gjetur përgjigjen.
Shpesh ai gjente ngushëllim për këto përgjigje të pagjetura te vështirësitë e udhëtimit, te largësia apo te psikologjia e emigrantëve. Ata gjithmonë premtojnë se do të kthehen, por shumica nuk kthehen kurrë. Dhe ç’ndodh? Ata e sinjifikojnë veten me Uliksin, që vuan nga ndjenja e fajit për t’u kthyer, por, në fakt, a kishte dëshirë Uliksi të kthehej?
Por e vërteta e Ulikstit nuk ka asnjë lidhje me realitetin e miliona Uliksave që braktisin Itakat e tyre duke shkuar drejt së panjohurës, duke luajtur fatin e tyre në kërkim të një ëndrre apo iluzioni, duke shpresuar se atje ku po shkonin do të rikrijonin veten nga hiçi.
Edhe pse personazhi prej vitesh e ndiente veten si koleksionues keqardhjesh, ai gjithmonë e më tepër ndiente se kishte gjetur, më në fund, një atdhe të ri, ku mund të ëndërronte të ardhmen, ku mund të rikrijonte një identitet të ri, ku mund të dashuronte me pasion apo me mendjelehtësi, ku mund të jetonte, të eksperimentonte, të gabonte.
Përgjatë gjithë faqeve të librit, interesante është përplasja e mendimeve dhe e gjykimeve mes vetë personazhit kryesor (autorit) dhe të vëllait. Në fakt, duket sikur kjo i ka shërbyer autorit për t’ia dhënë fjalën edhe vetë ndërgjegjes së tij, që e gjykon dhe e ndjek ngado që shkon: çfarë duhet të ndiente dhe çfarë ndiente. Ky dyzim dhe kjo përplasje ndjesish e vendos lexuesin në pozicionin e gjykuesi.
Ndoshta i takon gjykimit të tij të kuptojë se si mbërritën emigrantët shqiptarë në vendet e tjera – si rrënojë – dhe se pse menduan se ata që i pritën ishin një strehë. Çfarë i detyroi ata të largoheshin përtej kufijve, në atdhe të huaj, mes njerëzve të huaj, në realitete të huaja, duke mbartur vetminë e ikanakëve, të etur që të linin pas të kaluarën dhe të krijonin veten nga hiçi.
Personazhi-ikanak do të shkojë në qytete të tjera, realitete të tjera, ku do të ndihet i poshtëruar, i vlerësuar, i gjykuar, i dashuruar, i zhgënjyer, i etur nga dëshira të rrëfejë të vërtetat, të pathënat dhe të thënat, por sërish do të rikthehet në Ters. Sepse nuk mund të dish se ku po shkon (liria?), pa kuptuar më parë se nga ke ardhur (të ndierët vetëm?).
Sepse, edhe pse dashuria për njerëzit dhe qytetet, kudo që të jesh është pothuajse e njëjta gjë, është ndjenjë që të vendos në paqe me veten dhe me universin e pafundmë, dashuria më e mistershme është ajo që lind nga dhembja dhe frika e vetmisë. Sepse kështu e ka gatuar natyra njeriun. “Të dojë, para së gjithash, pjesën e njerëzimit së cilës i përket. Të dojë, para së gjithash, ata që kanë të njëjtin gjak, që flasin të njëjtën gjuhë, që kanë të njëjtën ngjyrë lëkure, që ndajnë të njëjtin fat, që lagen nga i njëjti shi, nga i njëjti det, që tronditen nga i njëjti tërmet, që ndajnë bashkë të njëjtën ëndërr, të njëjtin qiell, të njëjtën tokë, të njëjtën frikë…”
Ja, kjo është e vërteta (thelbi i tersakut dhe i tersakëve në çdo vend të botës): Njerëzit dashurojnë jetën, lirinë; ata janë në kërkim të fatit të tyre, koleksionojnë ndjesi keqardhjeje dhe faji, e më pas rikthehen në origjinë, ku fajtorët e vërtetë nuk pendohen kurrë dhe të pafajshmit ndihen ngaherë fajtorë.
“I keqi i vetes”, është një lloj psikanalize letrare, që ndriçon skutat më të errëta të nënvetëdijes – kjo është pika më e fortë e romanit. Është ai çasti kur diçka – një ëndërr a një ngjarje – duket e habitshme apo e veçantë për lexuesin, por autori merr përsipër ta rrëfejë, ta nxjerrë nga ai korridor i errët e i ngushtë, për të mos u ndier i burgosur më në këtë labirint ndjesish, ndoshta një kalvar i gjatë i jetës së tij, duke u çliruar plotësisht nga e vërteta që e mundon.
(Përgatiti redaktorja Artemisa Bushi)
“Një lot fëmije në shtëpi ngujue, më detyroi këtë vjershë me e shkrue...”
“Antigona” dhe “Edipi Mbret” në përkthimin e ri të Sokol Çungës, veçanërisht për letërsinë shkollore
Intervistë me shkrimtarin Virion Graçi për romanin “Shtatë dritaret”