Libër i ri

Legjenda e balada shqiptare

Legjendat vazhdojnë… po kështu dhe të tjerat në këtë libër si Legjenda e Rozafës, Kënga e Gjergj Alisë, Udhëtimi i Ago Ymerit, e të tjera. Legjenda e balada ku gjenia popullore shndrit me një forcë të jashtëzakonshme.

Kur Rita Petro më kërkoi të shkruaja mbi legjendat e baladat shqiptare, në fillim më befasoi por ideja për të hyrë në botën dhe mitologjinë e legjendave më joshi. Fillova të jetoj me ata personazhe të mbinatyrshëm dhe mjedise ku ndodhin drama, gëzime e gjëma të mëdha por me një simbolikë të vetën, që populli i ka trashëguar nga një brez në tjetrin, në një transformim të përhershëm apo motërzime që pasurojnë fondin e tyre. Aq më tepër u befasova kur pashë ilustrimet e mrekullueshme të Ledia Konstandinit, çka i jep vlerë të veçantë këtij libri.

Legjenda e Kostandinit dhe Doruntinës është âdyshim një nga perlat e folklorit shqiptar dhe shprehje e gjenialitetit të krijimit të popullit shqiptar. Jacob Grimm, shkruante në kohën e tij se «kjo legjendë është një nga këngët më tronditëse të popujve në tëgjitha kohërat». Kjo legjendë gjendet edhe në foklorin e popujve të tjerë, veçanërisht ballkanikë, në trevat e shtrira nëpër Shqipëri, Greqi, Bullgari, Serbi dhe Bosnje, etj., ndërkohë që kënga gjermane «Leonore» me po të njëjtën temë, është shkruar në shekullin e XIX nga një poet gjerman, August Bürger, çka është një krijim i mëvonshëm. Padyshim që është nga legjendat më të vjetra shqiptare, të cilën konsulli francez që e dëgjoi në Shqipëri e botoi menjëherë në Paris në vitin 1875, në përmbledhjen e tij «Contes albanaises» (Tregime të moçme shqiptare). Tek varianti shqiptar nuk është Zoti ai që i dikton Konstandinit të ngrihet nga varri, por fjala e dhënë nënës së tij që tashmë ka mbetur e vetmuar, besa e dhënë se Kostandini t’ia kthente motrën kur ajo do ta kërkonte. PO si vëllezërit e tij ashtu dhe Konstandini kishin vdekur në luftra (apo nga mortaja).


Rilindasi Thimi Mitko e gjeti këtë legjendë tek arbëreshët e vendosur në Italinë e jugut dhe e botoi nën titullin «Udhëtimi i Kostandinit të vdekur», ndërkohë që Dhimitër Kamarda e ka botuar nën titullin «Konstandini dhe Doruntina». Një jehonë të veçantë i bëri kësaj legjende dhe Dora d’Istria në esenë e saj të botuar në Francë në vitin 1866, Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore (La nationalité albanaise selon les chansons popullaires). Kjo legjendë ka frymëzuar deri në ditët tona shumë letrarë e artistë, si Ismail Kadareja me romanin Kush e solli Doruntinën etj., të cilët e kanë vënë në themel apo janë frymëzuar për romanet e tyre, pjesët teatrale, kompozimet muzikore, në artin figurativ, etj. Shkruaj për këtë legjendë dhe më rivjen një fragment i saj, siç e shkrova unë nën diktimin e popullit dhe në besnikëri ndaj frymës së tij:

«… Dhe të nesërmen, Kostandinin e futën në varrin te varrezat e kishës, që nxinte nga zija e madhe që kishte rënë në atë vend. Varri i tij ishte larg vëllezërve të tjerëve. Vetëm në shtëpi, nëna qante e kërkonte Doruntinën. Po kush t’ia sillte atë. Shtatë male kaptuar… Mbylli dritaret njëherë e mirë me gozhda; oxhakun e prishi siç ishte zakoni kur vdiste dhe pinjolli i fundit, shkuli lulet dhe pemët në oborr; mbylli portën e shtëpisë dhe ashtu kalonte ditët e zeza të saj. Të djelën që erdhi vajti në kishë. Pas meshës, shkoi në varret e bijve dhe bëri kryqin mbi ta. Qante mëma shkretë. Të vrarë, të vdekur, varre. Dhe atje tej, syri i saj shikonte atë varr më vete ku nuk donte të shkonte më. Ishte varri i Kostantinit. Ah Kostandin! - pëshpëriti mëma. Zonja mëmë vuri qirinj te secili varr i njëmbëdhjetë djemve të saj. E megjithatë, këmbët e çuan drejt tij. Atje, mbi varr, nëna zuri te rënkojë dhe zemërimi e kapi. - Kostandin që më bëre gjëmën! Ç’më bëre Konstandin! Kush do të ma sjellë tani Doruntinën!... Ku është besa që më dhe! Shkonte e vinte rreth varrit e përsëri ajo thërriste: -Konstandin më dhe fjalën Kostandin se ti do më sillje bijën time! Dhe ja tani…ti je poshtë nën dhé ndërsa mua më le qyqe mbi dhé! Mallkuar ajo ditë që me dhe fjalën Kostandin i vogëli! Nëna ngriti duart lart qiellit, ofshau dhe njëherë dhe i ktheu kurrizin varrit duke shkuar nëpër mjegull. Nata ra. Nëna kishte ndezur kandilin dhe lutej e mjera për bijën e saj. Kisha me kryqin e saj të madh kishte rënë në qetësi. Varret po ashtu. Dhe ja tek një zhurmë u dëgjua nën dhe. Diçka e rëndë lëvizte. I vdekuri Kostandin ngrihej nga toka ashtu gjithë pluhur e dhé. I vdekuri u ngrit nga varri. A thua kishte dëgjuar mallkimin e nënës së tij?... Po, zëri i saj i vinte sërrish: - Kostantin ku e ke fjalën që më dhe?! Më le qyqe në mes të varreve!... Dhe atë natë, guri i varrit të Konstandinit u bë kalë, dheu iu bë shalë dhe kryqi iu bë yzengji. I vdekuri i hipi kalit dhe u nis si furtunë. Ku shkonte kështu Kostandini nëpër natë? Shtatë male kaptuar, në erë e furtunë?...


Vajza që i ishte premtuar diellit

Dielli ka qenë simbol i shumë qytetërimeve dhe i shumë popujve, veçanërisht në kohën e paganizmit, por dhe më pas. Ai është parë si burimi jetësor, për çka njerëzit lidhnin fatet dhe të ardhmen e tyre. Siç kanë vënë re dhe mitologët, jo rrallë dielli paraqitet me fytyrë njeriu apo si një figurë njerëzore e me forcë të madhe. Edhe në krijimtarinë popullore shqiptare ai luan një rol aktiv: ai ecën, kundron botën, u flet zogjve, shtyn retë, natën bie në gjumë dhe të nesërmen në ag zgjohet. Një nga legjendat e bukura është dhe Vajza që iu premtua diellit, e cila ka një karakter qytetar por sigurisht në botën e të mbinatyrshme dhe të imagjinares.

Studjuesi francez Auguste Dozon e bëri të njohur këtë legjedë që e pikasi përmes miqve të tij shqiptarë, mes të cilëve dhe Naim Frashëri, kur ishte në Janinë, duke e shqipëruar e botuar pastaj në Paris, edhe pse rilandasit tanë e kishin botuar ndërkohë. Kjo legjendë tregonte historinë e një gruaje që donte të mbetej shtatzënë dhe të rriste një fëmijë, por nuk arrinte dot. Një ditë iu lut diellit me lotë në sy, duke i thënë: “Më ndihmo o diell ta lind një vajzë dhe nëse e lind do jem gati të ta jap ty kur ajo të mbushë 12 vjeç”. Dielli e dëgjoi këtë fjalë dhe shkoi të perëndojë në heshtje, ndërkohë që kjo nënë trishtohej gjithnjë e më shumë. Por shpejt ajo e kuptoi se kishte mbetur shtatzënë dhe e falenderoi dhe njëherë diellin që e ndihmoi. Vajza lindi, u rrit dhe kur po i afrohej moshës 12 vjeçare dielli iu shfaq në rrugë, duke i kërkuar t’i kujtonte nënës premtimin e dhënë…


Legjendat vazhdojnë… po kështu dhe të tjerat në këtë libër si Legjenda e Rozafës, Kënga e Gjergj Alisë, Udhëtimi i Ago Ymerit, e të tjera. Legjenda e balada ku gjenia popullore shndrit me një forcë të jashtëzakonshme.  


Blini online librin që dëshironi duke klikuar në www.librarialbas.al


(Luan Rama, Portali Shkollor)

19,563 Lexime
7 vjet më parë