Nxënës me aftësi të kufizuara

Hartimi i planit vjetor të shkollës për nxënësit me AK

Plani vjetor i shkollës duhet të përcaktojë qartë se cilat do të jenë synimet dhe objektivat e shkollës për të gjithë nxënësit. Këto synime frymëzohen dhe lidhen ngushtësisht me deklaratën e misionit dhe vizionit të shkollës.

Plani vjetor i shkollës duhet të përcaktojë qartë se cilat do të jenë synimet dhe objektivat e shkollës për të gjithë nxënësit. Këto synime frymëzohen dhe lidhen ngushtësisht me deklaratën e misionit dhe vizionit të shkollës. Përveç objektivave në planin e shkollës duhet të përfshihen edhe procedurat, rregulloret dhe strukturat përgjegjëse për nxënësit me aftësi të kufizuara.


Disa rregulla dhe procedura në planin e shkollës (si dhe rregulloren e saj) mund të jenë të njëjta si për nxënësit e tjerë (p.sh.: pranimi në shkollë, disiplinimi, shëndeti dhe siguria, supervizimi, vlerësimi etj.) ndërsa pjesë të tjera të këtij plani mund të jenë specifike për nxënësit me aftësi të kufizuara (p.sh.: roli i komisionit të shkollës në shkollë për nxënësit me aftësi të kufizuar, PEI-t, pajisjet ndihmëse etj.). 


Për shkollat që hasin vështirësi në hartimin e këtij plani mund të kërkohet ndihma edhe e drejtorisë arsimore rajonale përgjegjëse si dhe të kërkohet inspektim për të vlerësuar nivelin e shërbim dhe mundësive të shkollës kundrejt fëmijëve me aftësi të kufizuara. Inspektimi dhe vlerësimi mund të identifikojë nevojën për rishikimin e rregulloreve dhe politikave aktuale të shkollës ose ndërtimin e strukturave të reja pranë shkollës. Ky ekip inspektues është më i vlefshëm, kur e bën këtë vlerësim, si pjesë të një ekzaminimi më të gjerë të misionit, vlerave dhe programit të shkollës. 


Ekipi inspektues mund të vlerësojë mjedisin fizik të shkollës, kapacitetin e pjesëtarëve të stafit që do të punojnë me nxënës me aftësi të kufizuara, çështjet proceduriale që lidhen me përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara, përbërjen e popullatës së nxënësve të shkollës, duke përfshirë këtu edhe numrin e nxënësve me aftësi të kufizuar dhe llojet e aftësisë së kufizuar. Në bazë të këtyre vlerësimeve mund të merren edhe vendime e të përcaktohen prioritetet e nevojshme.


Në planin vjetor të shkollës duhet të përfshihen fushat/çështjet e mëposhtme që lidhen me arsimimin e nxënësve me aftësi të kufizuar në shkollë:

  • procedurat e regjistrimit të nxënësve në shkollë, duke përfshirë këtu edhe pranimin e nxënësve me aftësi të kufizuara;
  • procedurat për kalimin/transferimin e nxënësit nga kopshti në shkollë dhe nga njëra shkollë në tjetrën;
  • masat për ndryshimet e nevojshme për lehtësimin e transferimit të nxënësve nga një shkollë në tjetrën;
  • procedurat për identifikimin e nxënësve me arritje të ulëta dhe nevoja të tjera të veçanta, të cilët duhen referuar në institucione të specializuara për vlerësim;
  • strukturat mbështetëse për lehtësimin dhe përfshirjen dhe komunikimin me prindërit;
  • rregullimet e nevojshme për përshtatjen e mjediseve fizike të shkollës për të akomoduar nxënësit me aftësi të kufizuara;
  • lidhjet me agjencitë dhe shërbimet e tjera në komunitet;
  • politikat, rregullat dhe procedurat e vlerësimit;
  • hartimin, zbatimin dhe rishikimin e planit individual të edukimit;
  • qartësimin e roleve dhe përgjegjësive të anëtarëve të stafit pedagogjik në lidhje me nxënësit me aftësi të kufizuara;
  • procedurat, sipas të cilave do të kryhen provimet shtetërore për nxënësit;

Kryesisht në këtë manual, ofrohet informacion për ato procedura që janë specifike për nxënësit me aftësi të kufizuara. Megjithatë, sa here është gjykuar e nevojshme, janë përshkruar edhe procedura, të cilat janë të njëjta ose të ngjashme për të gjithë nxënësit e shkollës.


Si mund të kuptojmë se, planifikimi në nivel shkolle përfshin dhe merr në konsideratë nevojat e të gjithë nxënësve duke përfshirë edhe ata me aftësi të kufizuara?


Planifikimi në nivel shkolle siguron:

• vazhdimësi të kurrikulës për të gjithë nxënësit, duke përfshirë edhe nxënësit me aftësi të kufizuara, gjatë gjithë viteve dhe niveleve të shkollimit;

• zhvillim të proceseve të qarta dhe delegim të përgjegjësive që bëjnë të mundur punë optimale të mësuesit dhe ndihmon proceset dhe procedurat bashkëpunuese;

• ndërtimin e praktikave të përshtatshme pedagogjike, duke siguruar dije dhe përmbajtje pedagogjike nga çdo fushë e të nxënit;

• kulturë vlerësimi që u mundëson të gjithë nxënësve me aftësi të kufizuara përfshirje në detyra sfiduese;

• burime të mjaftueshme që u mundësojnë nxënësve me aftësi të kufizuara të tregojnë atë çfarë kanë mësuar;


Rregullorja e brendshme e shkollës

Një tjetër dokument me rëndësi i institucionit arsimor është edhe rregullorja e brendshme. Edhe ky dokument, në kuadër të përmirësimit të ligjit duhet të pasqyrojë ndryshimet e nevojshme edhe në lidhje me arsimimin e nxënësve me aftësi të kufizuara.


Si procedurë, rregullorja e brendshme hartohet dhe ndryshohet me propozimin dhe nën drejtimin e drejtorit të institucionit arsimor, nga grupe të gjera pune që përbëhen nga mësues, nxënës, prindër dhe përfaqësues të tjerë nga komuniteti; paraqitet për shqyrtim nga drejtori i institucionit arsimor te bordi i institucionit; paraqitet për miratim nga drejtori i institucionit arsimor tek titullari i njësisë arsimore vendore përkatëse. Nxënësit dhe prindërit e tyre kanë të drejtë të informohen për rregulloren e brendshme të institucionit arsimor. Drejtori i institucionit ka për detyrë të organizojë informimin e tyre.


Procedurat e regjistrimit të fëmijës me aftësi të kufizuara në shkollë

Sipas Dispozitave Normative, shkollat janë të detyruara që për nxënësit me aftësi të kufizuara të ndiqen të njëjtat procedura regjistrimi, si për të gjithë nxënësit e tjerë. Mosha e pranimit të nxënësve me aftësi të kufizuar në klasën e parë të shkollave të zakonshme është 6 vjeç. Për fëmijët me aftësi të kufizuar të vlerësuar nga KMCAP ose komisioni pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale për aftësinë e kufizuar, prindi dorëzon edhe dokumentin e hartuar nga ky komision.


Në nenin nr 13 të dispozitave normative shkollat gjejnë pikat e mëposhtme në lidhje me këtë procedurë:


1. Regjistrimi i nxënësve në klasën e parë të shkollave publike bëhet në dy javët e fundit të muajit qershor.


2. Në gjashtë ditët e para kanë të drejtë të regjistrohen në klasën e parë të një shkolle publike vetëm nxënësit që i përkasin zonës së shkollës. Kur largesa e banesës së fëmijës nga dy shkolla publike është e diskutueshme, prindi zgjedh njërin nga të dyja shkollat. Në katër ditët pasuese kanë të drejtë të regjistrohen edhe nxënës që u përkasin shkollave të zonave të tjera. Regjistrime të veçanta pranohen deri ditën para fillimit të vitit shkollor.


3. Regjistrimi i fëmijës në klasën e parë bëhet me këto dokumente: a) Certifikata e lindjes e fëmijës. b) Vërtetimi i vaksinimeve nga qendra shëndetësore. b) Raporti nga okulisti. c) Adresa e fëmijës; ç) Vërtetimi i ndjekjes së kopshtit sipas grupeve, i firmosur nga drejtoresha e kopshtit. (nëse ka)


4. Në raste të veçanta, kur prindi dëshiron të regjistrojë fëmijën në klasë e parë, por nuk disponon certifikatën e lindjes ose/dhe vërtetimin e vaksinimeve veprohet si në rastet analoge me kopshtet. Stafi i shkollës duhet të vihet në dijeni mbi çdo faktor që mund të verë në rrezik jetën e fëmijës me aftësi të kufizuara ose fëmijëve të tjerë. Për këtë arsye shkollat udhëzohen të strukturojnë me kujdes procedurat e regjistrimit që të sigurohen se prindërit kanë mundësi të informojnë stafin e shkollës për këta faktorë, pa thyer privacinë e individit dhe familjes.


(Portali Shkollor)

20,586 Lexime
7 vjet më parë