REZULTATET

Hartimi i PEI-t për një fëmijë me autizëm, studim nga mësuesja Selime Barolli

Do te sjellim një këndvështrim për hartimin dhe zbatimin e PEI-t për fëmijët me AK në institucionet arsimore, duke sjellë refleksione përmes hulumtimit dhe pyetësorëve. Për të zhvilluar pyetësorin morën pjesë 46 mësues mbështetës.



Një studim tepër interesant ka kryer mësuesja e fillores nga Devolli, Selime Barolli e shkollës 9-vjeçare ‘’Hasan Bitincka’’. Ajo ka hulumtuar mbi mënyrën e hartimit të Planeve Edukative Individuale (PEI) për fëmijët me autizëm. Në këtë studim janë përfshirë rreth 46 mësues mbështetës. “Qëllimi i këtij hulmutimi është se sa rezultate jep ky plan në punën me fëmijët me nevoja te veçanta (autizëm), a zbatohet plotësisht nga mësuesit, a pëlqehet nga prindërit hartimi e zbatimi i këtij plani, a është i plotë si plan apo duhet të nxirret ndonjë model i ri për mënyrën e hartimit të PEI-t apo duhet te ndryshohet diçka tek ky plan?” – kështu ka cituar mësuesja Selime Barolli, në brendi të hulumtimit, përfundimet dhe rezultatet e të cilit i gjeni më poshtë. 


Abstrakt:

Në shoqërinë e ditëve të sotme krahas shumë problematikave të AK ne hasim në institucionet tona arsimore dhe prezencën e CSA te fëmijët e moshës shkollore. Për vetë natyrën e këtij crregullimi këta fëmijë nuk mund të integrohen dhe të përparojnë në mësime si fëmijët e tjerë. Janë hartuar strategji për përfshirjen e këtyre fëmijëve në klasa normale dhe kemi rezultate positive për këta fëmijë, por për mësuesin e klasës përsëri puna me një fëmijë autik dhe me 30 nxënës është një sfidë e vështirë. Për t'u ardhur në ndihmë këtyre fëmijëve janë ngritur struktura vlerësimi dhe i ofrohet shërbim dhe edukim përmes mësuesve ndihmës dhe PEI-t të hartuar për secilin nxënës pasi fëmijët autikë janë të ndryshëm në aftësi dhe nevoja. Sipas udhëzimeve të MAS me këta fëmijë punohet me PEI dhe me mësues ndihmës. Po cili është rezultati? A kemi mësues ndihmës qe u qasen objektivisht fëmijëve dhe hartojnë PEI konkrete për nevojat e këtyre fëmijëve? Do te sjellim një këndvështrim për hartimin dhe zbatimin e PEI-t në institucionet tona arsimore duke sjellë refleksione përmes hulumtimit dhe pyetësorëve për efikasitetin e PEI-t në mbështetje te këtyre fëmijëve.

 

Fjalë kyce: edukim, metoda studimore, PEI, mësues ndihmës, vlerësim, CSA, aftësi e kufizuar, veprimtari e drejtuar etj.


                                                                      Hyrje 

Në institucionet tona arsimore janë të integruar në klasa normale edhe fëmijët me AK me CSA. Për vetë natyrën e CSA fëmijët me këtë cregullim kanë nevojë për hartimin e PEI për secilin prej tyre sepse AUTIZMI nuk shfaq problematikë, natyrë dhe vështirësi të njëjtë tek të gjithë personat e prekur prej tij. Vihet re vitet e fundit shtimi i fëmijëve qe preken nga CSA dhe shkaku akoma nuk dihet përfundimisht. Në shkollat tona ne përballemi me prezencën e këtij crregullimi i cili na dikton ne si mësues të jemi më të informuar me vecoritë e këtij crregullimi në mënyrë që tu qasemi më objektivisht këtyre fëmijëve. Ky problem sot ndiqet nga MASR përmes integrimit të këtyre fëmijëve në klasa normale ku mësuesi i klasës bashkë me mësuesin ndihmës(mbështetës) punojnë me nxënësit autikë me PEI.

Fëmijët vijnë nga familje me status të ndryshëm ekonomik dhe shoqëror dhe familja e ka te vështirë të pranojë dhe mbështesë vështirësitë e fëmijës gjë e cila e bën edhe më të vështirë integrimin dhe përparimin e këtyre fëmijëve në shkollë. Pavarësisht se për këtë problem të ditëve të sotme në plot vende të botës janë shënuar arritje dhe integrim për personat me autizëm për tu integruar me minimumin e pavarësisë së tyre për një jetë normale në shoqëri , për shoqërinë tonë kjo është akoma tabu. Në vendin tonë kemi mjaft qendra që ofrojnë terapi zhvillimi për këta fëmijë por për shkak të shtrirjes gjeografike të fenomenit jo të gjithë personat e prekur nga ky crregullim i nënshtrohen terapive të zhvillimit, kjo dhe për shkak të kostos së lartë të këtij shërbimi. Kështu që hartimi i PEI-t dhe puna me këta fëmijë e mësuesve ndihmës është e domosdoshme per t'i ardhur në ndihmë zhvillimit të këtyre fëmijëve. Janë një sëre komponentësh që duhet të koordinojnë veprimtaritë e tyre për të vlerësuar dhe shërbyer sa më objektivisht këtyre fëmijëve.

Autizmi, sfidë për shoqërinë…


                                                                         Sfondi  teorik  


Ç’është plani PEI?


PEI është një dokument i shkruar përgatitur për nxënësit i cili specifikon qëllimet mësimore që duhet të arrihen nga nxënësit në një periudhë të caktuar kohore. Tek ky plan jepen hapat që mësuesi ndjek për të ndihmuar nxënësit me AK. Përshtatja dhe ndihma e dhënë do të jetë në varësi të nevojave që kanë nxënësit. Plani thekson aspekte të programit mësimor të nevojshme për përshtatje dhe modifikim dhe fokusohet në nevojat më parësore të nxënësit. Jo cdo nxënës me AK do të ketë nevojë për një plan të tillë. Ai është një dokument pune ku identifikohen përshtatjet e nevojshme të rezultateve të të nxënit në dallim nga ato rezultate që parashikohen për nivelin arsimor tipik bazuar në standartet e arritjet të kompetencave sipas shkallëve IZHA MASR 2016. Plani PEI është një instrument për nxënësit, për prindërit e për të gjithë ata që kanë përgjegjësi në edukimin formal e informal të këtyre fëmijëve.


1- Pse quhet PEI?

P = Plan që përfshin objektivat që duhet të arrijë nxënësi me AK ose me vështirësi në të nxënë. Koha është afati që duhet të përmbushen objektivat. Hapat janë hapat që duhet të ndiqen. Kriteret janë ato që do të merren parasysh për verifikim e vlefshmërisë së ndërhyrjeve të zhvilluara.

E = Edukativ sepse projektohet të prekë të gjitha fushat e vlerat morale e shoqërore.

I = Individual sepse strategjitë vendosen në funksion të karakteristikave individuale të cdo nxënësi me AK ose vështirësi në të nxënë. 


2 - Ku dhe kur hartohet PEI .

PEI hartohet për të gjithë fëmijët për të cilët është marrë vendimi nga komisionet përkatëse pra mbasi është kryer vlerësimi i fëmijës nga KMADR,KIANAK sic parashikohet në DN.Vendimi merret mbas një kohe të caktuar dhe vendoset nëse me nxënësin do të punohet ose jo me PEI . Më pas ai hartohet në shkollë me mësuesen ndihmëse ,mësuesen kujdestare ,prindërit e psikologen e shkollës.


3 - Hapat e realizimit të planit PEI.

a) Referimi në Komisionin e vlerësimit pranë DAR/ZA 

Prindi dhe drejtori i shkollës dorëzojnës pranë DAR/ZA një kërkesë me shkrim për vlerësim të nevojave të nxënësit .

b) Vlerësimi i nxënësit nga Komisioni Vlerësimit.

Komisioni kryen identifikim e nevojave funksionale të nxënësit e ndërton profilin dinamik te tij

c) Fitimi i së drejtës për marrjen e shërbimeve

 Shihet qe nxenesi paraqet nevoja te vecanta ose jo.

d) Hartimi I PEI-t

Komisioni i shkollës i ngritur sipas DN ne bazë e të vlerësimit ngaZA/DAR harton PEI-n. 

e) Zbatimi i PEI-t

Të gjithë personat përgjegjës përfshirë dhe prindërit paijsen me nga një kopje .

f) Rishikimi i PEI-t

Komisioni i shkollës vlerëson se sa janë arritur objektivat në fund të cdo periudhe 3 mujore.

d) Rivleresimi i nxenesit. Komisioni vlerësimit duhet të rivlerësojë fëmijën në cdo vit shkollor.Arritjet që ka patur nxënësi i raportohen prindit.


 4 - Cfarë përmban PEI?


Emër/mbiemër, klasa, kushte specifike nëse ka.

Emrat e pozicionet e anëtarëve të komisionit të vlerësimit, emrin e mësueses ndihmëse, emrin e prindërve, dhe emri i psikologes. 

a) Arsyeja pse hartohet PEI.

b) Historiku dhe trajtimi mjekësor terapeutik.

c) Gjendja aktuale shëndetësore.


                                                    Fushat e zhvillimit të PEI-t


1. Zhvillimi shqisor motorik

2. Zhvillimi gjuhësor dhe komunikimi

3. Zhvillimi social dhe emocional

4. Zhvillimi njohës

5. Zhvillimi i autonomisë personale


Puna e psikologes 

Ajo bën një përshkrim të gjendjes aktuale të nxënësit sipas fushave të mësipërme. Psikologia duhet të jetë në hartimin e PEI-t, të kontrollojë ecurinë e planit, të kontrollojë nxënësin në shumë aspekte, të konsultoje mësuesin ndihmës duke i dhënë udhëzime për metoda pune me AK(autizëm) të fëmijës me të cilin punon.


                                   Rezultatet e pritshme bazuar në fushat e zhvillimit.

                                   Mjetet dhe metodat për realizimin e PEI-t.

                                   Bashkepunimi me familjen.


Mjetet ndihmëse

Janë një grup mjetesh që perdoren për nxënësit me AK 

Ato janë: tabela e alfabetit, tabela me numra, kompjuter, makina llogaritëse, softwer didaktik, libra të ndryshëm për vizatime ngjyrosje.



Puna e mësueses kujdestare

Për vetë natyrën që ka CSA mësuesja e klasës duhet të jetë e informuar për problematikat që shfaq CSA te fëmija i prekur nga autizmi dhe vecoritë e fëmijës autik te cilin ka në klasë.Mësuesja e klasës duhet të krijojë një mjedis shoqëror me nxënësit e klasës në mbështetje të shokut të tyre me AK (autizëm) duke diskutuar shpesh për veprimet e tij dhe tolerancë ndaj tij. Vetë kurrikula mësimore edukon nxënësit me frymë positive në mbështetje të këtyre nxënësve duke trajtuar tema mësimore për gjithëpëefshirje, respektim të të drejtave dhe lirive të njeriut.

N.q.s fëmijët kanë frekuentuar kopshtin një pjesë e tyre janë familjarizuar me shokun e tyre autik që në kopësht dhe janë socializuar me të. (nga përvoja)

Mësuesja e klasës duhet të ndërtojë marëdhenie positive me prindërit e FA dhe me prindërit e tjerë në mbështetje të FA dhe prindërve të tij duke ju paraqitur në takimet me prindërit edhe pjesën ligjore për këta fëmijë dhe pjesën njerëzore për sensibilizim të shoqërisë në mbështetje të prindërve me FA.

Duhet të bashkëpunojë me mësuesen ndihmëse për të përmirësuar në mënyrën më të mirë të mundshme trajtimin dhe integrimin e FA në klasë.


Roli i mësuesve ndihmës

Që një mësues të jetë mësues ndihmës për nje FA duhet të jetë i informuar për CSA dhe vecoritë e FA që do të punojë pasi FA është e vështirë të pranojë të bashkëveprojë me të, pra një periudhe rreth dy-mujore vëzhgimi ku mësuesi ndihmës të sigurojë minimumin e njohurive të sjelljes së tij në mënyrë që të planifikojë rrugën dhe mënyrën e ndërhyrjes tek ai për punë individuale. Mësuesi ndihmës duhet të konceptojë veprimtarinë e tij me FA si mision dhe të zbatojë legjislacionin e detyrueshëm për t’iu përgjigjur nevojave të tij. Mësuesi ndihmës duhet të ketë njohuri për metodat e punës dhe terapive që ndiqen për fëmijët me CSA.

Që një mësues të jetë mësues ndihmës duhet të plotësojë disa kritere.

Që prej vitit 2014 ka dalë udhëzimi për kriteret e mesuesit ndihmës dhe pritet një ndryshim në udhëzimin nr 38 ku do te ketë një pikë të vecantë për emërimin e këtyre mësuesve ku prioritet do ti jepet mësuesve që kanë mbaruar shkolla speciale në rast se nuk ka të tillë do të merren të parët nga portali sipas ciklit ku është nxënësi, në rast se nxënësi është në ciklin fillor do merren mësues të ciklit sipas rradhës në portal, në rast se nxënësi është në AMU do të merren mësues nga profilet AMU. Mësuesja ndihmëse do të emërohet në bazë të numrit të nxënësve me AK që ka shkolla dhe detyra e tij është mësimi i nxënësit me Ak jo vetëm nga ana mësimore por dhe në fushën sociale.

Prania e mësuesit ndihmës lehtëson punën e mësues kujdestare dhe mbështet FA të zhvillohen dhe integrohen në shoqëri.



Roli i prindërve

Të jesh prind i një FA është shumë e vështirë në shumë aspekte sepse përballesh me të qenurit ndryshe në cdo hap që hedh. Prindi i FA përballet me pamundësine e ndikimit tek fëmija i tij si tek fëmijët e tjerë. Prindërit e FA përballen me fëmijën në cdo moment, me psikologët , me mjekët, me edukatorët me komunitetin dhe shoqërinë, me jetën për të gjetur rrugën, mënyrën, mjetet, format, mjekimet për t’u ardhur në ndihmë femijëve të tyre FA. Familjet që kanë femijë me autizëm përballen dhe me vështirësi ekonomike dhe financiare për shkak të kostos së lartë të seancave terapeutike për fëmijët dhe medikamenteve që duhet të përdorin për problemet e ndryshme shëndetesore që shfaq CSA(epilepsi). Autizmi shpesh shoqërohet edhe me divorc të prindërve të fëmijëve me CSA pasi prindërit nuk e pranojnë dhe menaxhojnë dot problemin e fëmijës së tyre.

Që PEI i hartuar për FA të tij të funsinojë dhe të japë rezultat duhet edhe puna dhe bashkëpunimi i prindërve. Prindi duhet të bashkëpunojë me psikologen e shkollës, mësuesin ndihmës, me mësuesin e klasës për ta ndihmuar FA sa më shumë duke i siguruar fëmijës mjete dhe mundësira për ta integruar më shumë në shoqëri. (Kemi shembuj pozitivë). Prindi është vëzhguesi dhe raportuesi më i mirë i ecurisë së FA duke ndjekur pa u ndalur ecurinë e FA në shumë aspekte të zhvillimit të tij. 



ARSIMIMI I PERSONAVE ME AUTIZËM

Fëmija me nevoja të veçanta ka të drejtë për kujdes të veçantë, për arsimim dhe trajnim, për t’i nihmuar që të gëzon jetë të përshtatshme me dinjitet të plotë dhe të arrij dinjitetin më të lartë të vetbesimit dhe mundësi të integrimit social (Zabeli, 2001).


Konventa e të drejtave të fëmijëve

Neni 23: Fëmijët që kanë çfardo lloji të aftësisë së kufizuar, kanë të drejtë për kujdes të veçantë nga shteti, për përkraje dhe arsim, në mënyrë të tillë që ata të bëjnë jetë të plot dhe të pavarur deri në maksimumin e aftësive të tyre (Sylhasi, 2010).


Arsimimi sipas Ministrise se Arsimit

MASR i përgjigjet arsimimit të fëmijëve me autizëm në kuadër të gjithpërfshirjes, ka ndërmarre legjislacione, dokumente, nene, strategji, per fëmijët që janë të integruar në klasat e rregullta. 

Legjislacioni (neni2): Arsimimi gjithëpërfshirës - përcaktuar në bazë të dispozitave të Konventës së OKB-së për të Drejta të Fëmijës (1989), të Deklaratës së Salamankës të UNESCO-s (1994) dhe Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (2007) 


Formulimi i problemit dhe qëllimet e hulumtimit 

Megjithëse kanë kaluar 5 vjet që kur në shkolla filloi hartimi PEI-t përsëri ka shumë paqartësi nga mësuesit ndihmës, mësuesit kujdestarë dhe prindërit të fëmijëve me AK në lidhje me hartimin e zbatimin e tij. Qëllimi i këtij hulmutimi është se sa rezultate jep ky plan në punën me fëmijët me nevoja te vecanta (autizëm), a zbatohet plotësisht nga mësuesit, a pëlqehet nga prindërit hartimi e zbatimi i këtij plani, a është i plotë si plan apo duhet të nxirret ndonjë model i ri për mënyrën e hartimit të PEI-t apo duhet te ndryshohet dicka tek ky plan?


Pyetjet  dhe  hipoteza e hulumtimit

Ky studim u zhvillua për të evidentuar e për të nxjerrë në pah rolin dhe funksionimin e planit PEI. Ky studim do të evidentojë detyrat, rolin dhe përgjegjësitë e mësuesit ndihmës duke shërbyer gjithashtu si një material ndihmës jo vetëm për mësuesit ndihmës por edhe mësuesit mbështetës.


Metodat dhe teknikat e hulumtimit

Metodat që u përdorën janë: Hulmutim, vëzhgime, pyetësorë, përvoja jetësore. Pyetësori u realizua me pyetje me alternative dhe pyetje të hapura nëpërmjet google form online. Për të zhvilluar pyetësorin morën pjesë 46 mësues mbështetës.


Rezultatet e hulumtimit 

Pyetjes së parë nëse plani PEI është një model i mirë për fëmijët Autikë, 80.4% janë shprehur të kënaqur. Gjë që vërteton se është plan i mirë ndërtuar e i pranueshëm për mësuesit. 13 % mendojnë se është pak i mirë.

Pyetjes nëse jep apo jo rezultate plani PEI tek fëmijët me AK, 56% e mësuesve i janë përgjigjur se planiPEI jep shumë rezultat në ecurine e fëmijëvë autikë; 23.9% i janë përgjigjur se plani PEI jep pak rezultat në ecurine fëmijëvë autikë; 15.2% i janë përgjigjur se plani PEI jep shumë pak rezultat. Pati dhe mësues që mendojnë se PEI nuk jep rezultat për fëmijët autike .

Pyetjes nëse mësueset ndihmëse dhe mësueset kujdestare janë të kënaqura me rezultatet e planit PEI për FA 95.7% e mësuesve i janë përgjigjur se janë shpesh të kënaqura dhe rreth 4% e mësueseve nuk janë asnjëherë të kënaqura.

Pyetjes nëse hasin vështirësi mësueset për ndërtimin e planit PEI, 43.5% e mësuesve i janë përgjigjur se hasin shpesh vështirësi në ndërtimin e planit PEI; 26.1% e mësuesve hasin vështirësi disa herë në ndërtimin e planit PEI; 19.6% e mësuesve hasin rrallë veshtirësi në hartimin e planit PEI dhe pati dhe pak mësues që u përgjigjën se hasin vështirësi gjithmonë dhe nuk hasin vështirësi asnjëherë.

Pyetjes nëse janë apo jo të kënaqur prindërit me rezultatet e fëmijëve të tyre nga zbatimi i PEI-t, 50% e mësuesve i janë përgjigjur se prindërit janë të kënaqur me rezultatet e fëmijëve të tyre; 39.1% i janë përgjigjur se janë pak të kënaqur me rezultatet e fëmijëve të tyre; 8.7% janë shumë pak të kënaqur me rezultatet e fëmijëve të tyre.

Pyetjes nëse kane mjete të mjaftueshme mësueset ndihmese për të punuar me FA, 47.8% e mësuesve i janë përgjigjur se kanë pak mjete të mjaftueshme; 23.9% i janë përgjigjur se kanë shumë pak mjete te mjaftueshme; 19.6% i janë përgjigjur se nuk kanë aspak mjete të mjaftueshme dhe 8.7% kanë shumë mjete për të punuar me FA.

Pyetjes nëse femijet me Ak (autizem) duhet të trajtohen te trajtohen me plan PEI Brenda klasave të zakonshme apo në shkolla speciale, 63% e mësuesve u përgjigj se duhet të trajtohen në klasa të zakonshme dhe 37% e mësuesve iu pergjigj se duhet të trajtohen në shkolla speciale.

Pyetjes nëse gjejnë bashkëpunim mësueset ndihmëse dhe mësueset kujdestare nga psikologia apo drejtoria e shkollës dhe kolegët, 47.8% e mësuesve i janë përgjigjur se gjejnë shpesh bashkëpunim; 34.8% i janë përgjigjur se gjejnë gjithmonë bashkëpunim dhe 15.2% e mësuesve i janë pergjigjur se gjejnë rrallë bashkëpunim me psikologen e shkollës, drejtorinë e shkollës dhe kolegët.

Bazuar te përgjigjet për pyetjen e hapur në pyetesor lidhur me mendimin e mësuesve për PEI-n mësuesit janë të kënaqur me mënyrën e punës për FA me plan PEI dhe për rezultate pozitive që arrihen nëpërmjet trajtimit FA dhe AK me PEI dhe kjo është pozitive për zhvillimin e FA në fushën e të nxënit dhe të socializimit.

Disa mësues mendojnë që PEI duhet të hartohet dhe aplikohet më me profesionalizëm per FA pasi FA kanë nevojë për punë më profesionale dhe mësuesit ndihmës duhet të kenë njohuri për CSA dhe aftësi për të krijuar lidhje me FA për të zbatuat PEI-n që kanë hartuar për ta. Mësuesit ndihmës duhet të hartojnë dhe zbatojnë planet PEI për FA duke vendosur objektiva të qarta për periudha të caktuara dhe duhet të bashkëpunojnë me të gjithë personat përgjegjës për hartimin dhe zbatimin ePEI-t duke i kerkuar secilit te kryejë detyrat e caktuara.

Ka mësues që mendojnë se zbatimi i PEI-t në klasa speciale është më frytdhënës por për kushtet e vendit tonë kjo duket e pamundur për shkak se shtrirja gjeografike e FA është e gjerë dhe FA duhet të jetojnë me familjet e tyre. Si përfundim plani PEI u vjen në ndihmë FA në fushën e socializimit të tyre me shokët dhe komunitetin ku jeton duke krijuar rutinën e përditshme dhe sistemet e veprimeve të përditshme por nuk mjafton për zhvillimin mendor të këtyre fëmijëve me FA dhe aftësimin e tyre për jetën me zotërimin e aftësive minimale për një jetë të pavarur.

Për FA nevojitet më tepër terapi zhvillimi dhe aftesi e mësuesve ndihmës për të njohur metodat e punës me FA dhe do të ishte më efektiv nëse ne rolin e mësuesve ndihmës do të ishin terapistë që zoterojne njohuri për metodat e punës me FA.


Si përfundim:


Plani PEI është një strukturë shumë e mirë për të punuar me AK por me FA suksesi mësuesit ndihmës varet nga vecoritë individuale te FA dhe shkallës së autizmit të cilën FA vuan; nga njohuritë dhe aftësitë e mësuesit ndihmës për të bërë lidhjen e autizmit me integrimin e FA në jetë dhe shoqëri.

Puna me FA mbetet një sfidë për FA, mësuesin e klasës, për mësuesin ndihmës dhe për gjithë shoqërinë për shkak se CSA është shumë i gjerë dhe shumë i thellë.

Arritjet e FA në punën me planin PEI lënë shumë për të dëshiruar sepse kjo lloj aftësie e kufizuar dikton terapi më të specializuar individuale me FA.

Gjithëpërfshirja dhe integrimi i FA vërtet sot mund të konsiderohet dhe është hap shumë pozitiv në socializimin e FA në shkollë. Efikasiteti I planit PEI për zhvillimin e FA në fushat e të nxënit lë shumë për të dëshiruar për shkak të natyrës të CSA dhe të kapaciteteve të mësuesve ndihmës që ofrohen për të realizuar planin PEI për FA.

Mësuesit ndihmës hasin vështirësi në punën me FA sepse dhe mjetet që duhet të përdorin ne zbatimin e PEI-t i kanë të kufizuara dhe të kushtueshme.

Në shkollat tona nuk ka ose përdoren shumë pak aty ku ka mjedise të vecuara në shkollë ku mësuesi ndihmës të punojë individualisht me FA. Për FA gjithëpëefshirja dhe integrimi në klasa të zakonshme eshtë shumë i dobishëm por që FA të arrijë rezultate duhet të punohet dhe individualisht me të në klasë të vecuar.

 Për FA është shumë e vështirë që gjatë gjithë kohës është nën mbikqyrje të mësuesit ndihmës dhe është i detyruar të qëndrojë pa lëvizur për orë të tëra mësimorë. Përvec moshës dhe problemi që FA bart i dikton atij nevojë për të qenë më i lirë fizikisht që ai të fitojë minimalisht pavarësi të veprimeve rutinë që bejnë dhe shokët etij.

PEI  sukses por për FA PEI është sfidë për mësuesit dhe për gjithë sistemin tonë arsimor.


                            Autizmi është sfidë për shoqërinë tonë! 



Literatura

Dispozitat normative 2013; 

Udhëzues praktik për hartimin dhe zbatimin e PEI-viti 2017;

 Udhëzimi për emërimin e mësueseve ndihmëse nga MASR.



LISTA E SHKUTESAVE TË PËRDORURA NË PUNIM

CSA – Crregullim i Spektrit të Autizmit

FA – Fëmijë Autik

AK – Aftësi e Kufizuar

PEI – Plan Edukativ i Individualizuar

MASR – Ministria e Arsimit Rinisë dhe Sportit

DAR\ZA – Drejtoria Arsimore Rajonale\ Zyra Arsimore

DN – Dispozita Normative

OKB – Organizata e kombeve te bashkuara

KMDAR – Komisioni multidisiplinor i Drejtorisë Arsimore Rajonale

KIANAK – Komisioni i institucionit arsimor të zakonshëm për nxënësit me aftësi të kufizuar 




(Autori Selime Barolli, Portali Shkollor) 

16,234 Lexime
5 vjet më parë