Hapen aplikimet për Programin Kombëtar të Praktikave të Punës, punësim për mbi 200 më të mirët
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka hapur për herë të pestë aplikimet për Programin Kombëtar të Praktikave të Punës, në administratën shtetërore dhe institucionet e tjera, publike e jopublike.
Të rinjtë që dëshirojnë të përfitojnë përvojë pune në Administratën Publike duhet të zgjedhin institucionin në qytetin ku jetojnë që të mund të bëhen pjesë e programit, për të fituar eksperiencën e dëshiruar të punës.
Në portalin e Praktikave http://praktika.arsimi.gov.al/ janë publikuar pozicionet e praktikës në 16 institucione shtetërore qendrore, 185 institucione të varësisë dhe 10 institucione të pavarura në të gjithë qytetet e Shqipërisë, në 61 bashki dhe 20 shoqëri tregtare.
Këtë vit janë 2500 pozicione për praktikantë që japin mundësinë për të rinj profesionistë nga mosha 21 deri 26 vjeç, të cilët kanë përfunduar minimalisht ciklin e parë të studimeve ‘Bachelor’ dhe nuk kanë qenë pjesë e programit gjatë thirrjeve të mëparshme. Ata duhet të tregojnë interes për sektorin e përzgjedhur si dhe të kenë aftësi shumë të mira analitike e komunikimi. Pas vlerësimit të aplikimeve Institucionet përkatëse lajmërojnë fituesit nëpërmjet adresës së tyre elektronike.
Faza e parë e këtij programi, e njohur si ‘periudha e praktikës’ zgjat tre muaj dhe njihet si përvojë pune gjatë rekrutimit në institucionet e administratës publike dhe është pa pagesë. Qëllimi mbetet përfitimi i një përvoje kualifikuese për zhvillimin e mëtejshëm të aftësive profesionale, akademike dhe personale.
Ndërkohë faza e dytë ofron mundësinë për të fituar kontratën një – vjeçare të punës, bazuar në performancën individuale dhe kërkesat e vetë institucioneve.
Praktika e punës është përvoja profesionale, e cila u ofron studentëve shanse për të fituar dije të rëndësishme dhe aftësi në fusha që lidhen me formimin e tyre akademik. Praktika e punës duhet të jetë në përputhje me qëllimet dhe interesat e studentit, për t’i mundësuar atij kalimin e suksesshëm, nga universiteti drejt tregut të punës.
(Nanila Allkja Biçaku, Portali Shkollor)
Të drejtat dhe detyrat e nxënësve, mësuesve e prindërve
Udhëzuesi i përditësuar për mësimin në kushtet e shtëpisë
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!