“Hajdi”, vjen në shqip me përkthimin e papërsëritshëm të Afrim Koçit
Botimi i plotë i romanit “Hajdi”, vjen në shqip me përkthimin e papërsëritshëm të Afrim Koçit (ndoshta përkthimi i tij i fundit) - një nga botimet e shumta të reja të ALBAS-it.
Libri është përkthyer nga Afrim Koçi, ndoshta i fundit që ai solli në shqip.
VLERËSIM PËR TY, I NDERUAR PËRKTHYES, QË MA BËRE KAQ TË BUKUR KËTË UDHËTIM!
Botimi i plotë i romanit “Hajdi”, vjen në shqip me përkthimin e papërsëritshëm të Afrim Koçit (ndoshta përkthimi i tij i fundit) - një nga botimet e shumta të reja të ALBAS-it.
Po e filloj thjesht... Kur u nda puna që duhet të përmbyllte çdo redaktor në redaksinë e ALBA-sit, sipas një rendi të përcaktuar librash, rastësisht (theksoj, fare rastësisht) m’u caktua të punoj me librin “Hajdi”, publikuar për herë të parë në vitin 1880, e që ka frymëzuar gjenerata të tëra fëmijësh në të gjithë botën.
Libri është përkthyer nga Afrim Koçi, ndoshta i fundit që ai solli në shqip. Të jesh lexuesi i parë dhe mjaft i vëmendshëm i një libri të shqipëruar nga një përkthyes që i ka lënë trashëgimi shqipes një pasuri prej 100 titujsh nga kryeveprat botërore, vërtet më bëri të ndihem e privilegjuar. PËRGJEGJËSI.
“Hajdi”, një histori që ndoshta ka ndodhur vetëm në imagjinatën e autores, por është kaq e besueshme. Simboli i mirësisë, i dashurisë për njerëzit më të afërt të familjes, por jo vetëm për ta. Gojëmbla, çamarrokja, e padjallëzuara, admiruesja më e flaktë e kafshëve, luleve, gjithë qenieve frymuese, e bukurisë natyrore dhe njerëzore. Të gjitha këto veçori autorja i vë në shpirtin e një fëmije trupvogël dhe jo rastësisht ajo e dërgon atë nga një vend në tjetrin. A ia doli Hajdi që me dëlirësinë dhe mirësinë e saj t’i ndryshojë njerëzit me të cilët udha i ndeshi? A triumfoi mirësia e saj në një botë ku ligësia, thashethemet, varfëria, djallëzia bashkëjetojnë? A mundi ajo t’u thotë të gjithë fëmijëve, se jeta është më e shëndetshme, më e bukur, më kuptimplotë nëse e do me gjithë shpirt gjithçka që të rrethon? Po, Hajdi ia doli!
Por edhe më i vërtetë dhe mbresëlënës i vjen ky libër lexuesit shqiptar nga shqipërimi i përkthyesit Afrim Koçi. Një pasuri gjuhe e paçmueshme. Një erudicion i vlerësueshëm. Sa herë ndaloja në ndonjë fjalë, për ta ndryshuar e për ta sjellë më afër gjuhës së përditshme, më dukej sikur ai “më qortonte” dhe më thoshte: “Le t'u japim mundësinë lexuesve që ta njohin më thellë gjuhën shqipe. Ajo është kaq e pasur, ka kaq frazeologji dhe shprehje që do t’ua bëjnë rrëfimin më popullor.”
Unë eca me Hajdin, në çdo stinë, në çdo udhë, përfytyrova, agimin dhe muzgun, gjelbërimi dhe lulet shumëngjyrëshe ma qetësuan vështrimin, aroma e tyre ma mbushi kraharorin, ngjyrat e natyrës m'i përshkënditën sytë.
Vlerësim për ty, i nderuar përkthyes, që me fjalën e përzgjedhur, bukurinë dhe pastërtinë e saj, ma bëre kaq të bukur këtë udhëtim! Faleminderit për këtë punë tënden të fundit, që do t’u shtohet lexuesve në bibliotekën e tyre.
Ajo që mund të them është: Ç’romane gjejmë në bibliotekën e një lexuesi? Kjo varet nga fryma e kohës. Por një gjë është e sigurt: Pjesa më e madhe e librave, e autorëve dhe e përkthyesve që i mundësuan ato, do të jetojnë më gjatë se ne të gjithë.
Blini online librin duke klikuar në www.librarialbas.al
(Artemisa Bushi, Portali Shkollor)
Dhurojuni të vegjëlve tuaj Abetaren mbarëkombëtare!
Libri digjital, Albas prezanton metodologji të mësimdhënies bazuar në TIK
Albas Office përuron librarinë e saj të pestë