Gripi, MAS mbyll çerdhet, kopshtet dhe shkollat
Në bazë të nenit 7, pika 4 (masa të veçanta) të Ligjit 15/2016 Ministria e Arsimit dhe Sportit ka urdhëruar mbylljen e çerdheve, kopshteve dhe shkollave të arsimit parauniversitar në datat 4, 5, 6, 7 Janar 2017.
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka urdhëruar mbylljen e çerdheve, kopshteve dhe shkollave tëarsimit parauniversitar në të gjithë vendin në datat 4, 5, 6 dhe 7 janar. Vendimi vjen menjëherë pas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë për shkak të situatës së rënduar nga virusi i gripit në vend i cili vazhdon të jetë në rritje i favorizuar edhe nga kushtet e motit me temperatura shumë të ulëta, të cilat do të vazhdojnë edhe disa ditë.
Në bazë të nenit 7, pika 4 (masa të veçanta) të Ligjit 15/2016 ("Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive") sipas udhëzimeve kombëtare, të përgatitura nga Instituti i Shëndetit Publik, neni 26 i ligjit nr. 69/2012, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka urdhëruar mbylljen e çerdheve, kopshteve dhe shkollave të arsimit parauniversitar në datat 4, 5, 6, 7 Janar 2017.
Në mbledhjen e datës 3 janar Këshilli i Ministrave vendosi caktimin e datave 4, 5 dhe 6 janar 2017, ditë pushimi për prindin kujdestar të fëmijëve të mitur.
Në mbështetje të neneve 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi:
1. Caktimin e datave 4, 5 dhe 6 janar 2017, ditë pushimi për njërin nga prindërit kujdestarë të fëmijëve, që frekuentojnë/ndjekin ose jo çerdhet, arsimin parashkollor dhe arsimin fillor, që janë nëpunës civilë dhe punonjës të tjerë të administratës publike, të nivelit qendror dhe vendor, si dhe në institucionet e tjera shtetërore.
2. Për shkak të mbylljes së çerdheve dhe institucioneve arsimore, në vijim të masave parandaluese të Ministrisë së Shëndetësisë, si pasojë e motit të ftohtë, jo të zakonshëm, që pritet të vijë dhe të gjendjes gripale në vend, iu bëjmë thirrje të gjithë punëdhënësve privatë që të gjejnë mundësitë për trajtimin me pushim të punëmarrësve të tyre, sipas pikës 1, të këtij vendimi.
Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik rekomandon masat e mëposhtme për parandalimin, kufizimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive nga përhapja e virusit të gripit:
Masa të higjienës dhe kontrollit të infeksioneve
- Mbulimi i gojës dhe hundës me shami (mundësisht letre) gjatë kollitjes dhe teshtitjes e cila të hidhet menjëherë në koshin e mbeturinave.
- Të teshtihet apo kollitet duke përdorur gropëzën e bërrylit si mburojë.
- Të mos pështyhet në tokë.
- Larja e menjëhershme, dhe sa më shpesh, e duarve me ujë të rrjedhshëm dhe sapun, ose pastrimi i tyre ato me alkool apo dezinfektantë.
- Mënjanimi i prekjes së syve, hundës dhe gojës.
- Përdorimi i maskave gjatë kollitjes apo teshtitjes, apo në mjedise të mbyllura ku ka grumbullim masiv të njerëzve për një kohë të gjatë.
Masa të distancimit social
- Mënjanimi i kontaktit të ngushtë me njerëzit të cilët janë të sëmurë, pra, çdo i sëmurë, duhet të mbajë distancë nga të tjerët për t'i mbrojtur ata.
- Qëndrimi në shtëpi për çdo të sëmurë.
- Njëkohësisht, në këtë sezon gripi, duhet të përpiqemi të kufizojmë sa më shumë takimet dhe grumbullimet.
Vaksinimi
- Mjeti më i mirë për të parandaluar gripin është vaksinimi.
- Ministria e Shëndetësisë pas rekomandimeve të grupit të ekspertëve dhe ISHP po kryen falas vaksinimin e punonjësve shëndetësorë si grup i rëndësishëm risku.
- Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik kanë siguruar 93 250 doza vaksinë kundër gripit, të parakualifikuar nga OBSH-ja.
- Kjo vaksinë po shpërndahet në të gjitha DRSH/DSHP-të sipas një plani të përgatitur nga ISHP dhe më pas shpërndahet në qendrat shëndetësore dhe aplikohet falas për të gjithë personat, kryesisht si më poshtë:
- Persona të moshuar mbi 60 vjeç;
-Persona që vuajnë nga sëmundje kardiovaskulare;
- Persona që vuajnë nga diabeti;
- Persona që vuajnë nga sëmundje obstruktive të aparatit respirator;
- Persona që vuajnë nga astma bronkiale;
- Persona me sëmundje kronike të veshkave, apo sëmundje kronike të tjera (hepatike etj.);
- Persona me sëmundje tumorale;
- Persona obezë;
- Gra shtatzëna;
- Personel shëndetësor.
- ISHP rekomandon vaksinimin gjatë të gjithë këtij sezoni të gripit, për të mbrojtur çdo person nga gripi dhe për të parandaluar format e rënda të gripit sidomos tek personat e sipërpërmendur.
Masa të tjera të kujdesit shëndetësor
- ISHP rekomandon trajtimin me medikamente antivirale për gripin me rekomandimin e mjekut, kryesisht në mjediset spitalore, pasi këto medikamente lehtësojnë shenjat e gripit, kufizojnë kohën e sëmundjes me 1 ose 2 ditë, dhe parandalojnë komplikacionet e gripit si pneumonitë, sidomos në personat që bëjnë pjesë në grupet e përmendura më lart.
- ISHP rekomandon trajtimin simptomatik të gripit sipas rekomandimeve të mjekut.
- Të mos neglizhohet asnjë shenjë e gripit por sidomos vështirësia në frymëmarrje e cila kërkon oksigjenim dhe kujdes shëndetësor të menjëhershëm dhe të funksionojë menjëherë sistemi i referimit për kujdes spitalor sipas nevojës.
- Gjatë këtij sezoni të gripit përpiquni të menaxhoni stresin, konsumoni sa më shumë lëngje, fruta dhe sidomos ushqime të shëndetshme dhe përpiquni të jeni fizikisht aktivë.
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!
Kualifikimi i mësuesve sipas udhëzimit të ri
Fondi i pyetjeve për provimin e licencës, për të gjitha profilet