Botimi ri

"Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare 1" - një botim i ri për fëmijët shqiptarë në diasporë 

Ky botim vjen nga bashkëpunimi i dy shtëpive botuese, ndër më të njohura në trevat shqiptare, ALBAS dhe DUKAGJINI. Teksti është fitues i konkursit të shpallur nga Komisioni i Përbashkët i Shqipërisë dhe i Kosovës, MASR dhe MASHT, i koordinuar dhe i mbështetur nga Qendra e Botimeve për Diasporën.

Lajmin e bukur për këtë botim e ndajmë së pari, me mësueset dhe mësuesit e gjuhës shqipe dhe prindërit e fëmijëve që jetojnë në diasporë. Gjuha shqipe mund të mos jetë më mbizotëruese për shumë fëmijë shqiptarë që jetojnë me prindërit e tyre në vende të ndryshme të botës. Por të mësuarit e saj është jo vetëm i domosdoshëm, por dhe bukuri komunikimi mes familjarëve, miqve, njerëzve që jetojnë në trevat shqiptare. Është dashuri që buron nga rrënjët e vendlindjes së gjyshërve e stërgjyshërve, se identiteti kombëtar formësohet te secili fëmijë shumë më natyrshëm përmes gjuhës së nënës. Në fund do të thosha se mësimi i gjuhës shqipe është njëkohësisht shpresë se shumë nga këta fëmijë nesër, kur të rriten do të mund ta vënë dijen e tyre në shërbim të kombit.


Ky botim vjen nga bashkëpunimi i dy shtëpive botuese, ndër më të njohura në trevat shqiptare, ALBAS dhe DUKAGJINI. Teksti është fitues i konkursit të shpallur nga Komisioni i Përbashkët i Shqipërisë dhe i Kosovës, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës, i koordinuar dhe i mbështetur nga Qendra e Botimeve për Diasporën. 

Në emër të shtëpisë botuese ALBAS falënderoj për një bashkëpunim mjaft profesional e mirëkuptues gjithë ekipin e përbashkët Shqipëri-Kosovë, autoret e paketës Natasha Pepivani, Saranda Kumnova Pozhegu, Linda Mëniku, Adelinë Selmani, Dhurata Nixha, autoret e librit të mësuesit Ilda Alushaj, Venera Caka; dizajneret dhe ilustrueset Semela Mero, Diellza Gojani, Ledia Kostandini, redaktorët përgjegjës, Ervisa Paloka dhe Fatjon Zekaj, që luajtën dhe rolin e koordinuesit të çdo pune; redaktorët shkencorë Naim Berisha, Frashër Demaj, si dhe drejtuesit e projektit Erza Mati dhe Fatlum Hetemi.

Ky botim, i përshtatshëm për Nivelin I (klasa 1,2,3), është një paketë që përmban: Tekstin e nxënësit, të ndarë në tri shkallë, Fletoren e punës, Fjalorin me ilustrime, një Antologji të vogël me vjersha dhe Librin e mësuesit, të cilat do të përdoren nga nxënësit/et e të tria klasave. 

Teksti është në formën e librit të shtypur dhe në atë digjitale.E gjithë paketa është hartuar duke respektuar "Kurrikulën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në Diasporë e në Mërgatë".

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,782 Lexime
3 vjet më parë