Libër i ri

“Gjuha e lashtë shqipe (pellazgjishtja)”

“Gjuha e lashtë shqipe (pellazgjishtja)” bën një analizë përmbledhëse të fakteve të shumta gjuhësore, për të pasqyruar sa më qartë veçoritë kryesore të gjuhës së lashtë shqipe, evolucionin e saj të pandërprerë deri në trajtat e sotme të saj.

Muharrem Abazaj u lind në Skrapar në vitin 1940. Në vitin 1968 kreu Fakultetin Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës dhe u emërua drejtor në shkollën 8-vjeçare dhe më vonë të mesme, ku punoi për rreth 25 vjet.


Fillimisht i tërhiqnin vëmendjen disa emërtime territoresh në fshat dhe përreth tij, si: Shkozas, Zhukas, Vidhas, Gurës, Shpellas, Dardhas, Ferras, Qarrishtë, Mallas, Dëllinjas, Urëdhish, Kalot etj. dhe filloi të studiojë për formimin gjuhësor të tyre. Mbi bazën e analizës së këtyre emërtimeve, ai e shtriu këtë studim te një numër i madh emërtimesh të vendbanimeve jo vetëm në territorin e vendit tonë, por edhe shumë më gjerë. Duke vënë re një formim të njëjtë gjuhësor të të gjitha këtyre emërtimeve, të formuara nga përngjitja e fjalëzave njërrokëshe identike ose të përqasura me fjalë të shqipes së sotme, ai arriti në përfundimin se në lashtësi ka ekzistuar një gjuhë e përbashkët për të gjithë këtë territor që përfshinte jo vetëm Ballkanin, por edhe shumë më gjerë.


Kjo gjuhë duhej të ishte pellazgjishtja e lashtë, për të cilën kishin folur shumë studiues. Ai studioi të gjithë ata autorë që kishin mbrojtur tezën e prejardhjes pellazgjike të gjuhës shqipe.


Kur krijoi bindje se të gjitha këtyre emërtimeve u zbulohej përmbajtja kuptimore me gjuhën e sotme shqipe, atij i lindi mendimi t’i identifikonte këto fjalëza njërrokëshe edhe në mbishkrime të lashta. Filloi kështu deshifrimin e mbishkrimeve të lashta. Pas shumë vitesh përpjekjesh arriti që këto fjalë njërrokëshe të shqipes t’i gjejë në mbishkrimin e hershëm “Lapidari i Lemnosit”, mbishkrim i shek. VI pes. Burimi kryesor ku ai gjeti mbishkrime të cilave u zbulohej përmbajtja me anën e shqipes së sotme, ishin mbishkrimet etruske, të cilat kishin tekste me disa qindra fjalë secili. Kur u bind se kishte zbuluar këtë gjuhë të lashtë kaq të përafërt me gjuhën shqipe, ai u sigurua se këtu kishim të bënim me një vazhdimësi gjuhësore pellazgo-shqipe. Me këto fakte gjuhësore ai i botoi sprovën e parë “Kodi i gjuhës pellazgo-shqipe” (2011). Në vitin 2013 botoi sprovën e dytë, librin “Pellazgët kanë folur dhe shkruar shqip”.


“Gjuha e lashtë shqipe (pellazgjishtja)” bën një analizë përmbledhëse të fakteve të shumta gjuhësore, për të pasqyruar sa më qartë veçoritë kryesore të gjuhës së lashtë shqipe, evolucionin e saj të pandërprerë deri në trajtat e sotme të saj.


(Portali Shkollor)

3,555 Lexime
6 vjet më parë