Gëzuar 7 marsin "mësuesi" ynë MEDIA!
Një shkrim sa provokativ, aq edhe realist nga mësuesi Bledi Lipo. Me çfarë “përputhen” sot të rinjtë, me median, apo me librat, ndaj dhe mësuesi nuk di kë të urojë më parë.
Për bisturinë e një mjeku njeriu është kufomë, për kiminë është amalgamë, për fiziologun është një makinë perfekte, për shkencën njeriu mbetet një ndërthurje lëndësh që në mënyrë të pakuptimtë shkemben materie me natyrën.
Por njeriu nuk mund të reduktohet ne materie njejtë sikur piktura nuk mund të reduktohet në një tërësi bojrash apo një poezi ne sintaksën e vet.
Piktura përtej bojrave përmban shpirtin e gjallë të artistit njëjtë sikur poezia trondit përmes gërmave, ashtu edhe njeriu mbart shpirt përtej amalgamës kimike.
Përshkrimi i shkencës është i një anë dhe i mangët nëse njeriun e studion si një jetë të pa jetë, përndryshe ç'kuptim ka Biologjia si shkencë e jetës nëse as i afrohet shpjegimit të jetës, me ç'rast jeta mbetët e pa jetë? Çfarë e dallon njeriun nga një shkëmb betoni apo nga një argjile skulptori? Nga Biologjia mësojmë gjithçka përveç thelbit! Duhet kohë që shkenca të gjejë tek feja qëllimin dhe civilizimi t`i kthehet familjes.
Një shkollë e suksesshme dhe efektive nuk shihet nga kartonat që jep apo sasinë e nxënësve që mbarojnë një nivel, por kur arrin te formësojë karaktere, skalisë morale, themelojë vlera, të formatojë modele, të ndërtojë identitete, te japë gjithë mundin dhe energjjtë e veta në një drejtim, formimin e brumit njerëzor.
Të zgjidhësh një libër me ushtrime nuk ka dhe aq vlerë sa ka edukimi i dikujt dhe udhëzimi i tij drejt arritjeve dhe vlerave. Ndoshta ky është ushtrimi më i vështirë që një mësues duhet të dijë t’i japë zgjidhje, të dijë dhe të dojë. Të zgjidhësh nyjet e mossuksesit tënd dhe ëpas ato të nxënësit, kjo është ajo që duhet planifikuar, synuar dhe punuar për të arritur.
Kur Zoti krioji njeriun e parë i dhuroi shpirtin para diturisë. Çka na jep një mesazh që njeriu apo mësuesi duhet të fusë në profesion funksionimin e shpirtit në mënyrë që dija e tij të jetë vektorialisht e kthyer në kahun e duhur.
Në të kundërt do të kemi intelektualë me tru, por pa mend. Inspirimi i nxënësve apo i shoqërisë nuk mund të bëhet nëse përjashtojmë ekzistencialisht shpirtin. As edukimi si proces nuk arrihet, mund të arrijmë dresimin, ushtrimin ushtarak apo njeriun robotik, por jo atë të edukuar dhe me moral.
Në atë shoqeri ku mungon edukimi i shpirtit njerëzit i frikësohen ligjit si një paralele e tokës karshi qiellit, por forca e rëndesës vepron vetëm mbi trupat e jo edhe mbi shpirtin. Kur njeriu u pajis edhe me dije atëherë Zoti u dha urdhër engjëjve ''Bini përmbys (në shenjë respekti) karshi krijesës (njeriut të parë)! Kur' ani
Pra njeriu u pajis me dije, shpirt dhe me pas u la i lirë të zgjedhë kahun, duke u dhënë një mesazh pasardhësve që edukimi merret në liri të plotë, duke edukuar përshpirtshëm dhe jo ushtarakisht duke i rënduar trupit biologjik.
]Prej atëhere të gjithë mësuesit në histori përfshirë profetët si qendra e dijes unikale, nuk kanë pasur sukses vetëm se duke ndjekur këtë element kyc në pedagogji.
Kur tek njeriu plotësohen këto dy anë të medaljes:
-dija që sjell kompetencën;
-dhe sinqeriteti për të ndryshuar së brendshmi nxënësin që ai të mendojë, të reflektojë, të motivohet, ëedukohet, të aftësohet dhe të pësojë një rezonancë intelektuale, atëhere themi se ai i ngjan formimit të njeriut të parë.
Çdo lajthitje nga këto dy kritere, dije dhe sinqeritet është dalje nga origjina, e cila sjell avari në proçesin e edukimit. Argument për këtë është fakti që ne nuk kemi instrument për të matur sinqeritetin sikur kemi për të matur dijen. Kjo tregon që edukimi në kahun e duhur drejt sinqeritetit mbetet mes robit dhe Zotit, shpirti është dicka për të cilën ka dije vetem Zoti. ''Për të ju është dhënë fare pak dije'' Kur'ani
Pra, të mësuarit është një proces që zgjat gjatë gjithë jetës, prej zanafillës së dijes, ku Zoti e pajisi njeriun e parë me dije, e më pas profetët, e më pas prindërit dhe mësuesit mundohen si pishtarë të ndriçojnë rrugëtimin e njeriut drejt dijes së mirë dhe të dobishme, dijes që çon në virtyte.
Mësimdhënia zgjat gjatë jetës, pasi njeriu është enë që nxe njohuri, aftësi dhe vlera dhe ndërshkëmben me të tjerët, jep dhe merr duke u trajtësuar dite pas dite.
Ai merr nga familja, prindërit apo gjyshërit, edukatorët, mësuesit, komuniteti ku rritet por edhe nga mësuesit virtuale si telefoni dhe televizori.
Në këtë kontekst duhet të shohim sa minuta në ditë ushqejnë mendjen e auditorit nga mediat dhe shoqëria në krahasim me minutat ku prindi apo mësuesi ushqejnë pozitivisht te menduarit, botëkuptimin apo identitetin e fëmijëve dhe sidomos atë adoleshent.
Mësimdhënia është një proces që kërkon dhënësin dhe marrësin e një mesazhi, kështu t'i mund të nisësh një mesazh, por që thirrja jote transferohet për disa arsye:
1- Interesat e marrësit janë ndryshe nga të tuat;
2- Receptorët marrës të tij mund të jenë të okupuar;
3- Mesazhi që ke përgatitur nuk është në nivelin e duhur;
4- Interferenca e valëve të tua me ato të mediave bëjnë që auditori të çoroditet;
5- Rrjeti i transmetimit mund të ketë difekt në infrastructure;
6- Auditori nuk e sheh mesazhin me interes për të ardhmen jo vetëm për shkak të papjekurisë së tij.
Mësuesit të mësojnë atë që syri yt nuk e gjen në libër, por gjithnjë nëse auditori ka dëshirën e mirë të pyesë, të hulumtojë etj. Një të varfri është mirë t'i mësosh si peshkohet se sa t'i japësh një peshk. Po ashtu të mësuarit kërkon përvijimin apo trajnimin e të menduarit.
Ajo qe na lind si pyetje sot është, të festojmë 7-marsin e Medias si mësues apo të vlerësojmë mësuesinë si trampolinë drejt suksesit?
Nëse pranojmë që media është mësuesi atëhere është e qartë që zbehet disi roli i mësuesit i cili përkujtohet ndonjë ditë në vit, dhe përdhoset, që nga fakti që një pjesë vijnë pa libra, pa detyra, ngërdheshen, tallen me të ardhmen, me dijen apo mësuesin dhe preukopohen më shumë për memorien e telefonit, instagramin dhe dukjen në rrjete sociale, se sa për memorien e trurit të tyre, dukjen në këndin e nderit të klasës etj.
Me media kam qëllim programacionin televiziv, orientimin kurrikular, infrastrukturën, telefonat e gjithcka tjetër që interferon, duke u mbivendosur mbi efektin valor dhe vleror që duhet ketë dhe të japë mësuesia apo të mësuarit si proces.
Nëse do shpikim apo sajojmë një emision apo media që të përputhen të rinjtë me leximin apo arsimin, atëherë do të përputhemi me qëllimin e krijimit. Çdo përputhje tjetër është përçartje.
Faqet e një libri edhe pse në dukje të sheshta, kanë relievin e tyre në aspektin e të domosdoshmes dhe së mundshmes. Kështu jo çdo gjë është e domosdoshme të kuptohet nga të gjithë dhe jo çdo gjë është e mundshme të kuptohet prej të gjithëve. Prej këtej rrjedh se i takon mësuesit të ndërtoje klimën e klasës duke pasur parasysh edhe mikroklimat e saj.
Por faktorët që interferojnë në suksesin e mësuesit nuk janë vetëm fizike, si psh mungesa e trajnimit adekuat për një mësim përmes platformash online, apo mungesa e internetit e dritave etj si këto, jo, faktorët që interferojnë me tepër se keto janë të një tipi tjeter. Vala që ofron mësuesi duhet të jetë mbi atë që ofrojnë aktorët e mossuksesit, mbi median, mbi telefonat, mbi televizorin, mbi rrjetet sociale, madje duhet të jetë njohës i mirë i makinacioneve të ketij tipi që të trajtojë me gishta psiken e plagosur të një adolesheneti.
Shpesh na ndodh të bisedojmë me adoleshentë që nuk dinë të përdorin zoom-in sipas tyre, por që realisht ata kanë një foto ne aplikacion ndryshe nga mësuesi i cili interesohet për të nxënët, adoleshenti interesohet për dukjen, por nuk mbaron me kaq, se në fund te fundit nuk ka asgjë të keqe të dukesh, adoleshenti ka një foto provokuese, vala edukuese e mësuesit duhet të tejkalojë edhe veshjen momentale të një adoleshenteje, por më shumë se kaq duhet të depërtojë në memorien e nxënësit, pasi mësuesi ka hyrë në linjë për të nxënit si proces.
Prej këtej pyesim sa e gatshme është memoria e një nxënësi të nxë njohuri të reja nëse rëndësia primare për të janë rrjetet sociale, dukja në instagram, fryrja e buzëve dhe photoshopi?
Sa memorie ka për librat?
Këtu del nje rregull: Zbrazja para mbushjes! Ne si mësues nuk mund të mbushim enën që quhet nxënës me idetë e librave nëse më parë nuk jemi të aftë të intervenojmë në brendinë e tij, duke e zbrazur nga çdo çoroditje apo lajthitje momentale, nuk mund t`a mbushësh një enë me qumësht pa e zbrazur më parë nga bërlloku.
Nuk po hy me gjatë në minutat që na vjedh televizori ne si mësues, apo prindërve si partnerët tanë, por duhet të theksoj se ne mësuesit jemi pak a shumë si ai që sharton ferra, në mos në brezninë e parë në të dytën do të lindë ndonjë trendafil.
Normalisht në fidanishtet tona ka dhe lëndina me lule, por unë po flas për atë pjesë të fidanishtes ku ka rënë një sëmundje e ketij tipi si më lart.
Më pyet një vajzë se unë nuk mund të nxe profesor jo se s`dua të mësoj, apo njëherë tjetër më thotë nëse të mësuarit është gjenetike? I them se njeriu është si një brumë që nëse e gatuan me të mirën bëhet i mirë dhe nëse e gatuan me të keqen bëhet lehtë i keq, para se të mbushesh memorien me të mirën, duhet ta zbrazësh nga veset e keqia. Krahaso minutat e tua më te cilat përputhesh me mediat dhe minutat e tua me të cilat përputhesh me librat! Shiko USB-në tënde apo memorien e telefonit çfarë gjen me shumë në të këngë, valle, fashion, rrjete sociale, mode, stilime, veshje-zhveshje, apo mësime dhe testime?
Seç m’u kujtua letra e Umberto Eccos për nipërit e tij, vetëm se ai ia drejton një nipi në njëjës, une mendoj se ai ka nipër edhe në të dyzetat, edhe midis mësuesve, edhe midis prindërve, madje ka edhe ndonje nip më të madh se vetja.
Nxënësja tha si kështu profesor më te madh se vetja? Po sepse ti me pyete nëse të mësuarit është gjenetike? Dhe unë të them se dardha bie nën dardhë, por ka raste që edhe nga ferra del trendafil, në këtë rast ndonjë gjysh me i madh se Umberto është dardha nga ku ti ke rënë, jo gjenetikisht, por ashtu gradualisht duke rrjedhur ujë, prej atëherë ka rrjedhur shumë ujë. Sepse në një familje ku televizori është më i madh në ekran se sa sipërfaqia e bibliotekës tënde familjare, nuk mund të presësh që ti të marrësh nga gjyshi, tiparin për të qenë trendafil.
Po unë profesor jam trëndafil, vijoi vajza me ironi të tipit adoleshent. Dhe profesori vijoi me të njejtën gjuhë atë brubuzhelit, se ndryshe nuk merresh vesh me brubuzhelet: Jo jo ti je karafil, por nga këta karafilat e shartuar që jepen për 7 mars, që nuk kanë atë aromën e natyrshmërisë gjenetike. "Nëse natyrshmërinë e njeriut do e nxirrje jashtë nga dera, ajo do të hynte nga dritarja."
Pa u zgjatur më shumë them se një pjesë e jona janë si gjethet. Disa gjethe përdridhen deri në përfundje...
Të përdridhesh është art i gjetheve që kanë humbur vlerën, gravitetin. Të shohësh gjethet si valviten në dallgët e jetës andej nga fryjnë erërat. Çdo stinë ka gjethet e veta, erërat e veta, frutet po ashtu. Problemi qëndron tek mbarsja e luleve apo tek ushqimi që marrin gjethet?! Nuk dimë ç’bëhet nën rrënjë ne shohim vetëm valsin fals të gjetheve. Përdridhuni sa më shumë para përfundjes. Ne jetojmë për të sjellë pranverën duke shpresuar që gjethet e reja të mos përdridhen ende pa gjethëzuar.
Nuk di kujt t’i uroj gëzuar mësuesve apo medias?
Me respekt për kolegët e mi!
Nga Bledar Lipo
Publikim Parajsa Shtini
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Prindërimi i suksesshëm, sfida më e madhe e familjes së sotme!
Për t'u edukuar nuk mjafton arsimimi
Përkujtimi i gjuhës amtare, vëmendjen ta kthejmë nga përdorimi drejt i gjuhës shqipe