OPINION

Fran Gjoka: Viti i Ri, marrëdhënie e re mësues-nxënës!

Nuk mund të ndërtohet shkolla e re e demokratizuar me mësues që kanë ide dhe konceptet e shkollës së vjetër totalitariste. Dëshira e nxënësit për të afirmuar personalitetin, nuk e vë në krizë autoritetin e mësuesit të talentuar.

Koha e re e lirisë dhe demokracisë e ka detyruar shkollën moderne, për t’i përmbysur këto role të determinuar, këto pozicione të “stratifikuara” të qëndrimit dhe vlerësimit interdogmatik, të marrëdhënieve midis mësuesit dhe nxënësit. Është e sigurt që shkolla demokratike shqiptare është duke krijuar dhe konsoliduar një relacion të ri, interaktiv, në marrëdhëniet midis tyre. Kjo do të thotë se raporti i mëparshëm, që njëri flet dhe tjetri dëgjon ka ndryshuar radikalisht. Në shkollën e sotme, marrëdhëniet midis mësuesit dhe nxënësit janë të tilla, që të dy kanë marrëdhënie që ndikojnë mbi njëri-tjetrin, dhe të dy bashkë mbi të tjerët (shoqërinë). Shkolla nuk është më institucion edukativ i mbyllur në guaskën e relacionit të fosilizuar, determinist të mësuesit me nxënësin. Ajo është institucion social i rëndësishëm, në të cilin kultivohen vlerat e shoqërisë dhe individit. 


Nxënësi nuk është më njeriu i klasifikuar sipas metodës së vjetër pedagogjike, në rolin pasiv të dëgjuesit dhe të të nxënit.  


Ai nuk është njësi e thjeshtë statistikore dhe e amzës. Çdo nxënës është një qenie njerëzore me cilësi, botë shpirtërore dhe identitet specifik, që ka qëllimet dhe synimet e veta të personalizuara. Shkolla moderne nuk është më institucion që i ndërton marrëdhëniet e mësuesit me nxënësin mbi parime të vjetra të “paternalizmit mekanicist”, sëmundje e vjetër nga e cila ende nuk është shëruar shkolla jonë. Pedantizmi i mësuesit, mbivlerësimi i rolit të tij dhe nënvleftësimi i personalitetit të nxënësit është njëri nga shkaqet, në mos kryesori që sjell konflikte pedagogjike në marrëdhëniet midis tij dhe nxënësit në shkollë. Personalisht, gjithnjë kam menduar se ka pasur të drejtë Kanti i madh, ky filozof universal i iluminizmit kur thoshte se “despotizmi më i keq është paternalizmi”. Kur flasim për këtë raport pedagogjik delikat të natyrës bipolare, për këtë relacion dinamik, midis dy figurave qendrore dhe të vetme të edukimit në shkollë siç janë mësuesi dhe nxënësi, duhet të mendojmë se nuk kemi përballë dy “qenie të zbrazura” apo “njerëz të kulluar”. 


Mësuesi dhe nxënësi janë dy “entitete njerëzore”, identitete sociale të ndryshme. 


Kjo do të thotë se ato janë dy figura që kanë mendimin e tyre për njëri -tjetrin, të kondicionuar natyrisht nga relacionet sociale të jetës së sotme në vendin tonë, në kontekstin e të cilës “bashkëjetojnë” mësuesi dhe nxënësi. Ata në kushtet e shkollës moderne nuk duhet të jenë “rivalë”, por partnerë që kanë një mision të përbashkët. Në një farë mënyre ajo që po ndodh në shkollën e sotme, është fakti që këto marrëdhënie tentojnë drejt një partneriteti interaktiv, funksionues dhe të barabartë. Në çdo kuptim që ta shikojmë shkollën moderne, ajo është dhe do të jetë një institucion i madh, jo vetëm pedagogjik por dhe i marrëdhënieve të demokratizuara midis mësuesit dhe nxënësit. Shkolla është vatër e madhe e “demokracisë së vogël”. Aty ndërtohen marrëdhënie midis dy subjekteve që e ndërtojnë hierarkinë e tyre, duke respektuar lirinë, identitetin dhe “rolet” e njëri-tjetrit. Demokratizimi i marrëdhënieve mësues -nxënës, natyrisht nuk ka terren për anarki pedagogjike. Por as shkak për të trembur mësuesin që nuk komunikon demokratikisht, apo argument në favor të nxënësit rebel. Në këtë kontekst, shkolla si çdo institucion tjetër social, ka parime ndërtimi dhe rregulla  e rregullore funksionimi që garantojnë marrëdhënie të drejta, lirinë “pozitive” dhe “negative”, për mësuesin dhe nxënësin. Kjo do të thotë që nxënësi dhe mësuesi janë të lirë të ndërtojnë marrëdhënie produktive, duke u nisur nga parimi demokratik dhe pedagogjik, sipas të cilit në shkollë “liria e nxënësit” mbaron aty ku fillon e “drejta e mësuesit”, dhe anasjelltas, e drejta e mësuesit mbaron atje ku fillon liria dhe e drejta e nxënësit për të gjykuar, menduar dhe vepruar. Në tërë këtë hapësirë lirie, nuk ka arsye pse të kemi përplasje midis nxënësit dhe mësuesit. Këto relacione nuk ndërtohen me mentalitete dhe paranojat e pedagogjisë së vjetër autoritariste, që nuk respekton të drejtën dhe liritë e nxënësit për të qenë figurë aktive në shkollë. Koha kërkon që “hapësirat respektive” të mësuesit dhe nxënësit, për të luajtur rolet e tyre si mësues dhe nxënës, të jenë të qarta. 


Normalisht sipas meje, liria pedagogjike dhe demokratizimi i marrëdhënieve mësues-nxënës, nuk mund të realizohen duke ndërhyrë padrejtësisht në hapësirat e njëri-tjetrit, duke krijuar anarki dhe kakofoni pedagogjike, marrëdhënie kaotike, të paqarta, që sjellin konflikt midis tyre. Këto situata jo arkaike të vjetra pedagogjike, as me mentalitete paranojake reciproke, midis mësuesit dhe nxënësit. Mbase ka ardhur koha për të riparë këtë relacion, në të dy drejtimet kryesore të demokratizimit të shkollës dhe marrëdhënieve mësues - nxënës. Kjo kërkon që nga njëra anë të ridimensionohet koncepti për “autoritetin e mësuesit”, duke e forcuar dhe demokratizuar jo si “autoritet të jashtëm”, që sjell autoritarizëm dhe konfliktualitet në marrëdhëniet me nxënësin. 



Por nga ana tjetër, nuk duhet asnjë lëshim në konceptin që liria e nxënësit në shkollë është pozitive, që do të thotë që ai është i lirë të mësojë dhe edukohet duke ju respektuar prirjet, dëshira dhe personaliteti. Por ajo është edhe “liri negative”, në kuptimin që sjellja e nxënësit është e detyruar të jetë e përputhur me rregullat, rregulloret, parimet pedagogjike të shkollës, si institucion social. Ndërkaq mësuesi është i detyruar që me mjeshtërinë, përvojën, aftësinë, fleksibilitetin pedagogjik, (jo me dogmatizëm) të krijojë kushtet normale dhe atë “situatë pedagogjike”, në të cilën nxënësi të ketë mundësi të zgjedhë alternativa veprimi, kulturimi në përputhje me dëshirat, aftësitë dhe prirjet personale. Kjo liri pedagogjike, nuk ka pse të jetë e huaj për shkollën tonë moderne, në se mësuesi dhe nxënësi dinë të respektojnë njëri - tjetrin, duke luajtur secili rolin e vet. Me fjalë të tjera, ka ardhur koha që në shkollë të punojmë që duke e demokratizuar atë dhe marrëdhëniet midis mësuesit dhe nxënësit nga njëra anë, po kaq seriozisht të mendojmë për një “rikonceptim të roleve” dhe statusit të secilit, si mjet për mbarëvajtjen e punës dhe procesit mësimor dhe edukativ. 


Çështja e njohjes dhe respektimit të statusit të mësuesit dhe nxënësit, ndikon në krijimin e një atmosfere të veprimit të “hierarkisë shkollore”, e cila është e domosdoshme për një institucion të tillë, me mision social dhe pedagogjik siç është shkolla. 


Në se do të arrimë që në shkollë të kemi përfytyrime të drejta për statusin e mësuesit dhe nxënësit, duke respektuar të drejtat institucionale të secilit, atëherë kemi për të patur një atmosferë marrëdhëniesh të mirëkuptimit reciprok. Kjo është ajo që i duhet shkollës, për të patur eficencë dhe efikasitet socio pedagogjik, rezultate të prekshme dhe gjurmë të thella të relacioneve shpirtërore midis mësuesit dhe nxënësit. Nuk ka pse të ngatërrojmë shkollën me koncepte të skajshme konservatore, arkaike të pedagogjisë së vjetër e të re, që janë provuar se kanë qenë dhe janë kundër produktive, të panatyrshme për shkollën moderne shqiptare, në stadin e sotëm. As nxënësi, por as mësuesi nuk janë ata që kanë qenë dikur, as marrëdhëniet e tyre nuk ndërtohen mbi parime të vjetra që ngatërrojnë “stauset reciproke”, që dëmtojnë punën e shkollës. Shkolla nuk është as vend i “pavarësisë së nxënësit” nga mësuesi, por as fushë beteje për të treguar “unin” apo egocentrizmin pedagogjik të këtij të mësuesit. Natyrisht mësuesi është në një situatë të veçantë, sepse është i detyruar të komportojë sjelljen dhe “unin” e tij, me nxënësit e tij që janë në të njëjtën kohë ”grup”, “tërësi kolektive” që duhet njohur, punuar dhe respektuar jo vetëm si grup, por dhe individualisht. Natyra e profesionit dhe e marrëdhënieve të tilla kontradiktore, të punës me “grupin” dhe “individin” në të njëjtën kohë, është ajo që e bën të vështirë, delikate, me përgjegjësi dhe të lodhshme punën e mësuesit në shkollë. Ndaj është aq shumë e respektuar puna e mësuesit të vërtetë, të cilën nuk mund ta bëjë kushdo. Ai është mjeshtër për të gjetur “masën”, midis lirisë dhe disiplinës që duhet të respektojë nxënësi në shkollë. Kjo do të thotë që duhet me kujdes të shikojmë atë raport delikat të të drejtave dhe lirive të natyrshme që ka nxënësi (liria pozitive), me atë të drejtë që ka shkolla dhe mësuesi për nxënësin që të respektojë rregullat dhe parimet e ndërtimit dhe funksionimit të shkollës (liria negative). Sipas mendimit tim midis këtyre “dy lirive”, midis mësuesit dhe nxënësit është ajo situatë që ndikon në përcaktimin e statusit të tyre, është pikërisht ajo gjendje që mundëson funksionimin ideal të marrëdhënieve, pa cenuar dhe nëpërkëmbur të drejtat e njëri - tjetrit. Shkolla është institucion dhe natyrisht që ka nevojë për “hierarki” vlerash dhe njerëzish, që kanë role të ndryshme bashkëpunuese. Konceptet e vjetra të shkollës hierarkike, janë shpesh shkak për konflikte dhe situata të pakëndshme, midis mësuesit dhe nxënësit. Në se do të duhej të gjeja një term, që mund të përcaktojë se si duhet të jenë në kohën tonë marrëdhëniet e mësuesit me nxënësin, unë do të preferoja që ato në esencë të jenë në pozicionin e “hierarkisë së harmonishme”. 



Nuk mund të ndërtohet shkolla e re e demokratizuar me mësues që kanë në mëndje ide dhe konceptet e shkollës së vjetër totalitariste që e shtypte lirinë e nxënësit. Tani është kohë tjetër dhe natyrshëm shkolla është e detyruar të mbajë “barrën e lirisë”, të institucionit të lirë,  që nuk ka për mision të edukojë nxënës  të trysnuar me parime të moralit dhe pedagogjisë së vjetër. Shkolla tani është një institucion që ka tjetër mision, të edukojë qytetarë aktivë, të guximshëm, humanë, antikonformistë, me personalitet të fuqishëm e të pavarur. Këto vlera dhe cilësi që duhet të kultivojë shkolla, nuk mund të realizohen me konceptin e vjetër të statusit të mësuesit si tutelë mbi nxënësin pasiv, timid, të flashkët, pa vetëdije personale. Shkolla është vendi i parë ku nxënësi kërkon të afirmojë personalitetin dhe identitetin e vet të dallueshëm. Kjo kërkesë dhe dëshirë e natyrshme e nxënësit, nuk ka pse të cenojë personalitetin e mësuesit të “lëkundur”, i cili nga që mund të mos jetë i aftë të përballojë këtë kërkesë legjitime, trembet e kap paniku dhe nervozizmi pedagogjik. Dëshira e nxënësit për të afirmuar personalitetin, nuk cenon aspak, nuk e vë në krizë autoritetin e mësuesit të talentuar, që di të kuptojë këtë aspirate të nxënësit, duke ndërtuar ndërkaq marrëdhënie të mira ndikuese me të. 


Nuk është e drejtë frika që kanë disa mësues, për “kufijtë” e cenuar të autoritetit të tyre. Sipas mendimit tim, pavarësisht proceseve demokratizuese që kanë përfshirë shkollën tonë, ka për të qenë kurdoherë e pranishme dhe e diskutueshme pyetja e mësuesit se “deri ku duhet të shtrihet autoriteti” i tij. Por ndërkaq edhe nxënësi ka po aq të drejtë të pyesë, se “deri ku janë kufijtë e lirisë” së tij. 


Kjo situatë dikotomike midis “autoritetit të mësuesit” dhe “lirisë së nxënësit”, është dhe do të jetë problem i përjetshëm, ekzistencial i shkollës. Asnjëherë shkolla nuk është normale, në se nuk ka të kristalizuar misionin, qëllimin, funksionin dhe natyrisht edhe statusin dinamik të dy figurave të përjetshme të saj: mësuesit dhe nxënësit.


       

                    Nga Fran Gjoka, mësues dhe gazetar i njohur shqiptar 



(Portali Shkollor)

3,082 Lexime
4 vjet më parë