Fenomeni

Fletorja “fluturuese”...

A jeni dakord me idenë: “Mjafton që i ka shkruar detyrat, edhe pse të kopjuara!”? A mund të jetë realizimi i “detyrës së shtëpisë” një fakt bindës për prindin dhe mësuesin se nxënësi “e ka kuptuar” temën e dhënë? Reflektime dhe shembuj nga Evans Drishti.

Me të hyrë në klasë vëzhgoi me kujdes nxënësit e bankës së parë. Seç po merrnin e jepnin me njëri-tjetrin, ashtu teksa merreshin vesh si nëpër dhëmbë. Një fletore të verdhë përcillnin nëpër duar, disi të trashë, të mbështjellë, të mbajtur mirë. 


Pak çaste më vonë, një tjetër vëzhgim i tërhoqi vëmendjen. Këtë herë “fletorja” kaloi nxitimthi dhe si pa u kuptuar në bankën pas. Dy nxënësit e tjerë e morën rrëmbimthi dhe si të uritur e hapën menjëherë duke nisur të shkruanin në fletoret e tyre, teksa njërin shikim të mprehtë të tyre e pasqyronin pa ndërprerje në fletoren e verdhë. 


Mësimdhënësi ndërkohë, kishte vijuar angazhimin e tij për një proces sa më të shëndetshëm duke çelur dritare të reja për bashkëbisedime të larmishme. Por sërish diçka e pengoi. Ishte sërish ajo fletore, e cila përcillej tashmë në rreshtat e tjerë të klasës. Natyrshëm ai e kishte kuptuar se ç’po ndodhte, por priste nga ana tjetër një reagim nga vetë nxënësit, të cilët pandehnin se mësuesi i tyre s’kishte kuptuar asgjë nga situata e krijuar. 


Pas disa minutash iu afrua një nxënësi të heshtur, të cilit i kishte ardhur radha atij ta “përvetësonte” këtë fletore në dukje “magjike” dhe “dobiprurëse”. Ashtu si në heshtje e pyeti për situatën. I shqetësuar dhe si i zënë në faj u tregua i sinqertë duke dëshmuar se po përgatiste detyrat e shtëpisë, të cilat s’kishte mundur t’i realizonte me kohë në shtëpi. 


Ja reagimi i mësuesit


E ndërpreu mësimin. Nisi të bashkëbisedonte me nxënësit në lidhje me vështirësitë që kishte (sipas nxënësve) ajo detyrë shtëpie. 

Nisi t’i qartësonte në çështje thelbësore për temën e ditës. 

Gjykoi të arsyeshme që atë “detyrë shtëpie” ta realizonin të gjithë bashkërisht në klasë. 

Por kishte edhe diçka për t’u sqaruar; 

ishte fletorja e verdhë, që dukej sikur fluturonte nga njëri cep i klasës në tjetrin duke iu ardhur në ndihmë “të pamunduarve”.


E kujt mund të ishte ajo “fletore fluturuese”? 


Përgjigja në fakt ishte mëse e kuptueshme, pasi i zoti i asaj fletoreje ishte nxënësi më i suksesshëm dhe më i papërtueshëm i klasës. 

Thuajse në çdo orë mësimore ekziston një fletore e tillë fluturuese. 


Ashtu sikurse shpeshherë shfaqet një situatë e ngjashme që në pikënisje të ditës, në momentin kur nxënësit vijnë në shkollë, hynë në klasë dhe pas përshëndetjes me njëri-tjetrin “tentojnë” të rrëmbejnë “fletoren fluturuese”, e cila është “rrëmbyer” nga nxënësi më i mirë, si një mundësi e madhe për t’i shpëtuar vërejtjeve apo vlerësimeve negative që mund të vijnë nga mësuesit e lëndëve përkatëse. 


Vallë nxënësit nuk janë të vetëdijshëm që një i tillë veprim është mëse i kuptueshëm nga mësuesi? 


Vallë mësuesit, edhe pse të vetëdijshëm për një të tillë situatë, i kapërcejnë këto vëzhgime me idenë e thjeshtë: “Mjafton që i ka shkruar, edhe pse të kopjuara”?!... 


Është shumë e rëndësishme që nxënësit të mos ngarkohen shumë me detyrat e shtëpisë, por të kërkohet ana kreative e tyre, dhe jo thjesht një ushtrim plotësues nga tema mësimore. 

A jeni dakord me idenë: 

“Mjafton që i ka shkruar detyrat, edhe pse të kopjuara!”?... 

A mund të jetë realizimi i “detyrës së shtëpisë” një fakt bindës për prindin dhe mësuesin se nxënësi “e ka kuptuar” temën e dhënë? 



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

413 Lexime
8 muaj më parë