Fituesit e privatëve do të regjistrohen online në shtet
"Në datën 5 shtator shpallen fituesit, ndërsa një ditë më pas na i sjellin ne elektronikisht. Jashtë liste nuk mund të fusin asnjë student, sepse nuk e lejon sistemi..."
Universitetet jopublike do të jenë të monitoruara nga Ministria e Arsimit për studentët e rinj që do të pranojnë. Për herë të parë, maturantët që do të shpallen fitues për të ndjekur studimet e larta në universitetet jopublike, do të regjistrohen “online” pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve, nëpërmjet së cilës edhe kanë aplikuar.
Ministria e Arsimit vlerëson se në këtë mënyrë, universitetet jopublike janë të monitoruara dhe nuk mund të regjistrojnë asnjë student jashtë kuotave që kanë deklaruar.
“Sekretaritë, regjistrimin e bëjnë ‘online’ te ne pasi marrin dokumentet dhe ne kontrollojmë të gjitha listat. Ato janë të detyruar që rankimet të na i sjellin neve. Në datën 5 shtator shpallen fituesit, ndërsa një ditë më pas na i sjellin ne elektronikisht. Jashtë liste nuk mund të fusin asnjë student, sepse nuk e lejon sistemi. Pra, nëse kanë aplikuar le të themi 300 veta për 100 kuota, nëse që në fazën e parë universiteti regjistron të 101-tin, ne i paralajmërojmë për shkelje”, thotë Arben Fagu, drejtor i bazës së të dhënave në AKP.
Fagu u kërkon maturantëve të bëjnë kujdes në momentin që do të zgjedhin degën e tyre për t’u regjistruar. Sipas tij, këtë vit nuk ka rëndësi renditja e degëve që preferon. Mjafton të jesh shpallur fitues, por mund të regjistrohesh vetëm një degë dhe vetëm një herë.
“Mund të jesh shpallur fitues nga 10 preferenca në 7 prej tyre. Maturanti duhet të vendosë se në cilin do të regjistrohet në mënyrë përfundimtare. E pasi merr vendimin që nga ato të shtata zgjedh njërën, pavarësisht renditjes, në momentin që regjistrohet me dokumente ai nuk do të ketë më mundësi të ndërrojë gjë. Ky moment është shumë delikat dhe shumë i rëndësishëm për maturantin”, tha më tej Arben Fagu për Top Channel.
Në datën 11 gusht mbyllet procesi i aplikimit të maturantëve, ndërsa më 5 shtator, sekretaritë e universiteteve shpallin fituesit, emrat e të cilëve do të kalojnë “online” pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve.
Hartimi i projektit kurrikular
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!
Kualifikimi i mësuesve sipas udhëzimit të ri