Fakulteti i Drejtësisë jo më me sistemin e Bolonjës
“Për vitin e ri akademik do të përgatitemi të fillojmë me program të integruar: 5-vjeçar, me master të nivelit të dytë. Është një detyrim që vjen nga ligji, jo vetëm për fakultetin tonë, por për këdo që ofron arsimim juridik...”
Studentët që do të shpallen fitues në Fakultetin e Drejtësisë për vitin akademik 2017-2018 nuk do të ndjekin studimet sipas sistemit të Bolonjës, 3 plus 2, por sipas një programi të integruar.
Sipas dekanit të këtij fakulteti, Artan Hoxha, ky program është i përcaktuar në ligjin për arsimin e lartë.
“Për vitin e ri akademik do të përgatitemi të fillojmë me program të integruar: 5-vjeçar, me master të nivelit të dytë. Është një detyrim që vjen nga ligji, jo vetëm për fakultetin tonë, por për këdo që ofron arsimim juridik, duke u larguar nga programi i mëparshëm”, ka deklaruar Hoxha.
Në Fakultetin e Drejtësisë këtë vit do të pranohen 110 studentë më shumë se një vit më parë, duke qenë se drejtësia mbetet një ndër degët më të preferuara nga maturantët.
“Për shkak se kemi një program të vetëm, për hyrjet e reja këtë vit në universitet kemi llogaritur një numër që e vlerësojmë si të pranueshëm për Fakultetin e Drejtësisë. UT, Fakulteti i Drejtësisë, do ketë vend për 750 studentë që fillojnë vitin e ri me programin e ri të studimeve”, ka saktësuar Hoxha.
Universitetet këto ditë janë duke informuar maturantët për kriteret e pranimit dhe kurrikulat e tyre.
(Portali Shkollor)
Vlerësimi përfundimtar, përshkrimi i notës
Datat e provimeve të lirimit 2021
Etika e komunikimit, fjalori i nxënësve të shkollave si (nuk) duhet të jetë, nga Muhamet Selmani