Evans Drishti: Shkolla dhe shkollimi, objekti dhe objektivi
Është “integrimi” i fëmijës në shkallët e shoqërisë ajo që duhet t’ju entuziazmojë, pasi vetëm atëherë e kuptoni se fëmija juaj është një “gurë i çmuar” për ju, familjen tuaj dhe shoqërinë ku jetoni.
Kishin kaluar vite në atë vend dhe një gjë të tillë nuk është se e kishte kuptuar më parë, por vetëm atëherë kur u diplomua. Ajo vatër kishte qenë për të një folezë e dijes dhe e kulturës, folezë e edukimit dhe arsimimit, strehëza ku kishte gjetur çdo mbështetje të pritshme apo të papritshme.
E njëjta adresë që ndiqte prej vitesh, e njëjta rrugë, e njëjta shkollë, por jo i njëjti shkollim, edhe pse mësimdhënësit në përgjithësi kishin qenë të njëjtë. Vizionet dhe diapazonet e tyre kishin ardhur përherë në rritje duke sjellw botëkuptime gjithnjë e më të larmishme. Shumë herë e kishte pyetur veten se si kishte mundësi të ngjante një gjë e tillë, por më pas kishte arritur të kuptonte të fshehtën e kësaj “mrekullie”.Këtë e kishte zbuluar përmes “komunikimeve” dhe “bashkëbisedimeve” të herëpashershme me mësimdhënësit e tij, e aq më shumë me ata që kishte më përzemërt.
Kishte kuptuar se ata lexonin shumë, përgatiteshin vazhdimisht në mënyrë rigoroze, sillnin përherë ide dhe mendime të larmishme lidhur me temat ditore dhe javore, hulumtonin përherë jo vetëm në fushën e tyre, por edhe në fushat e tjera të jetës teksa sillnin modele të larmishme të praktikave të ndryshme…
Me kalimin e viteve, me ngritjen e tij në shkallët e edukimit dhe arsimimit kishte reflektuar përherë për ngritjen ideore dhe shpirtërore të një nxënësi për të arritur objektivin që i vë vetes me kohën.
I nxitur nga kuraja, ambicia dhe inteligjenca e mësimdhënësve të tij kishte arritur përherë rezultate të shkëlqyera duke u bërë jo vetëm një nxënës model, por edhe një aktivist model si në projektet brenda shkollore ashtu edhe në ato jashtëshkollore. Kishte këmbëngulur përherë në zhvillimin e pasioneve të veta, të cilat dita ditës i kishte kultivuar duke u bërë pjesë e shumë projekteve dhe trajnimeve intensive dhe tejet produktive.
Vetëm atëherë, në momentin e maturimit dhe veçanërisht në kohën e një vetë llogaridhënieje kishte kuptuar se çdo përpjekje e bërë kishte ndihmuar të ngjiste shkallët e profesionalizmit të tij për një përgatitje sa më dinjitoze në ecurinë akademike. Kishte kuptuar se shkolla ku ishte edukuar dhe arsimuar kishte qenë një përzgjedhje me shumë vend dhe mësimdhënësit kishin kultivuar tek ai shpirtin fisnik të një të riu që ushqen shpresë dhe inteligjencë për vete dhe shoqërinë.
Në këtë prag fillimi të vitit të ri shkollor
Dëshira dhe pasioni
Këto mbeten përherë dy armatat kryesore të mbarëvajtjes në edukim dhe arsimim. Është e rëndësishme të ushqehet tek fëmija kultura e dëshirës dhe pasionit
- Të shkuarjes në shkollë
- Të ambientimit me auditorin e shkollës dhe ambientin përreth
- Të njohjes së librave shkollorë
- Të njohjes së pasioneve dhe dëshirave që mbart fëmija në natyrën e vet
- Të njohjes me mësimdhënësit dhe të krijimit të një dialogu dhe bashkëbisedimi sa më komod.
- Të vënies që në pikënisje të objektivave dhe synimeve që kërkon të arrijë …
Gjeje shokun apo shoqen më të mirë se vetja
Ka shumë rëndësi të krijohen lidhje të sinqerta me shoqërinë e klasës dhe të shkollës në përgjithësi. Këtu qëndron edhe thelbi i shprehjes popullore, ku në fokus vendos njeriun e vlerave të larta njerëzore dhe atë që aspiron në rezultate efektive dhe konkrete. Të shumta janë rastet kur një shoqërizim i gabuar dëmton rëndë jo vetëm rezultatet shkollore, por edhe individualitetin dhe personalitetin e ndërtuar me aq mundim.
Padyshim është detyrë e kujdestarisë shkollore të ndihmojë në orientime të sakta dhe të duhura për një shoqëri sa më të shëndetshme si dhe të parandalojë rastet kur dëmtohet autoriteti dhe figura jo vetëm e një nxënësi, por edhe e një mësimdhënësi.
Është detyrë e prindit nga ana tjetër të informohet vazhdimisht jo vetëm mbi ecurinë e edukimit dhe zhvillimit intelektual të fëmijës, por edhe në orientimet që merr fëmija gjatë këtij procesi.
S’duhet harruar se të ashtëquajturat “vese të këqija” merren në shoqëri të hapura dhe larg syve të njerëzve. Për rrjedhojë “një komunikim” frytdhënës i vazhdueshëm me fëmijën në çdo interval kohor ndihmon përherë në parandalimet e situatave të pakëndshme.
Jepni fjalën …
Jepni fjalën fëmijës që do i gjendeni përherë pranë në çdo moment dhe rrethanë, se do e përgëzoni vazhdimisht në çdo arritje të tij apo të saj, se nuk do e qortoni me egërsi në raste të vështira, por përkundrazi do bashkëbisedoni për gjetje të zgjidhjeve të problematikave të shfaqura…
Përherë është krijuar një ide nga prindërit: “Ia kam plotësuar të gjitha kushtet, tani e ka në dorë vetë të mësojë.”
Harrohet se në realitetin e sotëm çdo plotësim i kushteve dhe rrethanave është një domosdoshmëri dhe nevojë e pakontestueshme që nuk ju bën të merrni asnjë lloj medaljeje pasi është kusht i të qenurit “prind”. Harrohet gjithashtu se çdo fëmijë ka nevojë për një mbështetje dhe përkrahje në rrugëtimin e tij, pasi gjithnjë është në kërkim të së resë. Prandaj kjo “e re” duhet marrë bashkë me prindin dhe të kuptohet në formën dhe mënyrën e duhur sipas natyrës së fëmijës.
S’është “nota” ajo që duhet t’ju lumturojë, por ndryshimi që shihni në ngritjen e nivelit të personalitetit të fëmijës suaj.
Është “integrimi” i fëmijës në shkallët e shoqërisë ajo që duhet t’ju entuziasmojë, pasi vetëm atëherë e kuptoni se fëmija juaj është një “gurë i çmuar” për ju, familjen tuaj dhe shoqërinë ku jetoni.
Që një fëmijë të jetë i mirëarsimuar dhe i integruar, këta dy komponentë duhet të jenë domosdoshmërish të pranishëm edhe tek mësimdhënësi edhe tek prindi.
Si mund të mendoni që një fëmijë t’i vihet leximit kur:
- s’ka një klimë të përshtatshme në klasë apo në auditore të ndryshme të shkollës për kryerjen e një leximi të qetë dhe të rregullt,
- kur biblioteka e shkollës s’vihet në shërbim të fëmijëve,
- kur nuk sheh mësimdhënësin e tij të sjellë diçka të re në shpjegim apo edhe më e keqja kur vetë mësimdhënësi s’di të shpjegojë,
- s’ushtrohet në veprimtari të ndryshme që nxisin të kuptuarin dhe të menduarin
- nuk sheh prindërit e tij në familje të ulen e të lexojnë?...
Si mund të mendoni që një fëmijë të nxitet të flasë dhe komunikojë bukur dhe me fjalë të përzgjedhura kur bisedat e zhvilluara në shoqërinë e klasës apo të shkollës mbeten të një niveli tejet të ulët apo edhe më e keqja kur vetë prindërit në familje nuk krijojnë një ambient të përshtatshëm për një komunikim të këtillë, kur “fjala” e fëmijës nuk merr peshën dhe rëndësinë e duhur apo siç ndodh rëndomte kur “shpërfillet” dhe “nënvlerësohet”?
Prandaj
- Ta zbërthejmë çdo ditë natyrën dhe botëkuptimin e fëmijës si në shkollë ashtu edhe në shtëpi,
- Ta shohim fëmijën si një i ri/e retë porsaardhur që mbetet përherë në pritje të një “risie” që do i ofrohet,
- Të nxjerrim në pah botën e tij/të saj krijuese në fushat përkatëse duke e integruar atje ku është e nevojshme,
- Të diskutojmë me fëmijën për temat shkollore të lëndëve të ndryshme, të kuptojmë së bashku fjalët dhe frazat që paraqiten në tekste shkollore në mënyrë që të kuptojmë me ç’botëkuptim brumoset qenia që kemi në dorë,
- Të planifikojmë kohë të mjaftueshme për kultivimin e pasioneve dhe dëshirave që mbart në shpirt fëmija duke sjellë më shumë çaste të lumtura në përditshmërinë e tij,
- Të qëndrojmë sa më larg imponimit, presionit, vrazhdësisë, hakmarrjes, ironizimit, dashakeqësisë.
Mos pandehni se fëmija është i dobët dhe i pavlerë kur merr një vlerësim të dobët, përkundrazi kuptoni ngërçin dhe shqetësimin që mbart ai/ajo fëmijë në shpirtin dhe mendjen e tij/të saj, pasi në fund do të kuptoni se ajo qenie është dashuria juaj e parë dhe e vetme.
Nga Evans Drishti
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Tronditjet në shoqërinë tonë shqiptare/ Përse të rinjtë po rriten “të mbyllur” në një shoqëri të hapur?
Portofoli i praktikës profesionale, profili Gjuhë shqipe dhe Letërsi
Prindërimi i suksesshëm, sfida më e madhe e familjes së sotme!