Reflektim

Evans Drishti: Ndërprisni mësimin për pak çaste, sepse…

Sa “reale” dhe “vërtetuese” është qasja, sipas së cilës “faji qëndron tek sistemi”, ndërkohë që shumë lehtë çdo mësimdhënës ka aftësitë e plota dhe të duhura “të reflektojë” në ofrimin e një atmosfere “argëtuese” duke mos “e mbytur” auditorin e të rinjve vetëm me “dijen teorike"...

Hyri në klasë pak para se të binte zilja e nisjes së orës së mësimit… 

Dhe ç’të shihte!... 

Pjesa më e madhe e nxënësve në këmbë, teksa “grindeshin” në lojë e sipër, dikush shtynte njërën e dikush tjetrin, dikush kishte marrë shkumësat, tek po zhgarraviste me të madhe në tabelë gjëra krejtësisht të pakuptimta, dikush përpiqej “të fluturonte” në bordurën e dritares sikur po “shijonte” natyrën e pakapshme… 

Një pluhur i rënduar kish mbështjellë auditorin duke përcjellë një shije aspak të hijshme dhe të papërballueshme… Vazot e luleve thuajse qenë shtrembëruar nga peshat e pazakonta të ca çantave “të shkreta” të hedhura tutje si në përpjekje për t’iu shmangur procesit “edukativ”… 


***


Ruajti seriozitetin… 

Pak momente heshtje… Një sulm nxitimthi i “të shumtëve” në përpjekje për të zënë vendet përkatëse… 

Mbulesa e tryezës qendrore ish shtyrë në një qoshe buzë murit e pluhurosur nga mjegullnaja që kish kapluar auditorin… 

U deshën vetëm pak çaste që “salla” të vihej në terezi, por ç’mund të bëhej me ato “mendje” dhe “shpirtra” të shkujdesur”?... 

I dukej sikur kishte shkuar “dëm” e tërë ajo “përgatitje” dinjitoze për një proces mësimor sa më produktiv, por jo… 


***

Nuk e nisi “si zakonisht”… përkundrazi… 

U tregoi një laps që mori në dorë duke i pyetur “Sa kushton?” 

U tregoi një libër duke i pyetur “Për çfarë duhet?” 

U tregoi një çantë duke i pyetur “Përse e mbartni çdo ditë mbi supe?” 

U tregoi mbulesën e tryezës qendrore duke i pyetur “Përse përdoret?” 

Vijoi… me rrëfime të ndodhive të ndryshme nga vetja dhe jeta në përgjithësi… 

U rrëfeu se ç’punë intensive bënte mësimdhënësi i tyre për një përgatitje sa më serioze dhe produktive të procesit… 

I ktheu në kohë pas… 

U rrëfeu sakrificat e inxhinierëve, arkitektëve, punëtorëve, mësimdhënësve e prindërve të tyre që në kushte e rrethana aspak të favorshme mbijetuan dhe arritën të ndërtonin gjithçka që ky brez sot zotëron… 

U rrëfeu se çdo gjë që zotëronin duhej ta kuptonin si një “amanet” të rëndësishëm, që mbart një peshë dhe një vlerë të pamohueshme dhe të patjetërsueshme… 

U kërkoi “ta vlerësonin” çdo mjet pune si një “gurë të çmuar” që duhej të ndriçonte rrugëtimin e tyre në çdo moment të përditshmërisë… 


***

U kërkoi t’ia dinin vlerën çdo “shpenzimi” që bëhej në udhën e ndërtimit të personalitetit të tyre… 

U kërkoi që herë pas here “të gjykonin” dhe “të mendonin” rreth arsyes dhe arsyetimit të qëllimit “të qenurit i suksesshëm” dhe jo thjesht një nxënës “i zakonshëm”… 

U kërkoi të mendonin pak më shumë rreth “punëve” dhe “sjelljeve” TË MIRA që patjetër u jepnin më shumë avantazh dhe lehtësim për të qenë “modeli” i shoqërisë… 

U kërkoi të kuptonin se sado “shpjegime” të përkryera teorike të bëheshin në auditor nga çdo mësimdhënës, asgjë s’do kishte “domethënie” pa një arsyetim dhe çiltërsi në përditshmëri… 

U kërkoi që herë pas here “të dilnin” dhe “të shkëputeshin” nga bota e internetit, të përpiqeshin maksimalisht të kuptonin më mirë “veten” dhe “tjetrin” duke respektuar vlerat e patjetërsueshme njerëzore e duke kuptuar që: 

  • Një lojë e nisur si me shaka mund të të çojë në një zënkë të padëshirueshme 
  • Një fjalë e thënë pa u peshuar dhe pa u menduar mund të të çojë në lëndime fizike e shpirtërore 
  • Një veprim i nxituar mund të degradojë një proces të tërë 
  • Një “këmbëngulje” e inatosur mund të hapë telashe të paimagjinueshme 
  • Një mungesë përqendrimi mund të sjellë humbje ekuilibri e për rrjedhojë dëmtim të personalitetit… 


***


Kuptoi se minutat kishin kaluar si pa u ndjerë, e ndërkaq edhe atmosfera kish ndërruar “pamje” dhe “shije”… 

Pas një reflektimi të çastit, gjykoi të sillte “një argëtim”, ku në fokus të ishin “ca njohuri thelbësore” të përftuara në orët e mëparshme… 

Më pas, brenda një minutazhi tejet të limituar ofroi ca të dhëna “praktike” të procesit të ri, si një bërthamë bazike që s’duhej humbur… 


***


Sa rëndësi ka të ndërpritet procesi mësimor për pak çaste?... 

Sa “rëndësi” dhe “peshë” kanë të gjitha ato “NJOHURI” TEORIKE të shpjeguara me detaje dhe imtësi me të vetmin qëllim dhe objektiv sipas të cilit “Realizojmë objektivat e përcaktuara”?... 

Ç’pritshmëri dhe ç’reflektim kanë anëtarët e këtij brezi të ri nga strukturat lëndore dhe përmbajtjesore?... 

Sa “reale” dhe “vërtetuese” është qasja, sipas së cilës “faji qëndron tek sistemi”, ndërkohë që shumë lehtë çdo mësimdhënës ka aftësitë e plota dhe të duhura “të reflektojë” në ofrimin e një atmosfere “argëtuese” duke mos “e mbytur” auditorin e të rinjve vetëm me “dijen teorike” me idenë e qartë se përbën një “armatë jetike”, por “duke gërshetuar” atmosferën relaksuese dhe inspiruese të nxënësit me aspektin praktik të njohurisë...!  

Sa funksional është ky “bagazh teorik”, ndërkohë që në realitetin e përditshmërisë shfaqet diçka “tjetër”?... 


Le të mos harrojmë se brezi i dy dekadave të fundit është “brezi i teknologjisë”, i rritur dhe “edukuar” sipas frymës teknologjike, e si të tillë kanë nevojë për më shumë:

1.Komunikim dhe reflektim të ideve 

2.Përforcim të imazhit praktik në funksion të shqisave dhe ndjesive njerëzore 

3.Perceptim dhe gjykim të “vlerave” që plotësojnë identitetin dhe karakterin njerëzor të tilla si: 

  • respektimi i vetes dhe i tjetrit, 
  • dëgjimi dhe kuptimi i fjalës së tjetrit, 
  • ruajtja e sendeve dhe orendive personale dhe ambientale, 
  • ofrimi i një atmosfere paqësore dhe kulturore 
  • përfshirja në projekte dhe aktivitet sociale e kulturore që sjellin ritëm dhe integrim…


E nisur nga kjo e fundit, jemi më se të vetëdijshëm se sa më e larmishme të jetë përditshmëria e një të riu aq më “i kthjellët” dhe më “i plotësuar” dhe për rrjedhojë edhe më “i integruar” do jetë jo vetëm në auditorin e tij, por në çdo ambient dhe rrethanë…


Të gjithë e kuptojmë se një proces i këtillë s’mund të kufizohet vetëm brenda “NJË ORE” mësimore, prandaj përpjekja e vazhdueshme mbetet “ngritja” e nivelit mbi bazën e një “leximi” të vijueshëm dhe integrimi profesional dhe shoqëror. 



 

Nga Evans Drishti 

 © Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,549 Lexime
1 vit më parë