Evans Drishti: Është koha e olimpiadave; le të garojmë në cilësi!
“Një lider i fortë në një olimpiadë është një lider i fuqishëm edhe nesër në drejtimin e një vendi .Është koha tashmë të garojmë në cilësi!...”, shkrimi i radhës nga bashkëpunëtori ynë, mësuesi Evans Drishti.
Një punë këmbëngulëse bëhej atëherë për të arritur më të mirën e mundshme në sferën e “olimpiadave”. Që në pikënisje të vitit shkollor përcaktoheshin grupet përkatëse të punës sipas lëndëve dhe natyrshëm interesimit të nxënësve në shkencat përkatëse. Tekstet shkollore tashmë “ishin përpirë” nga mendjet e ndritura të nxënësve olimpiadistë, të cilët padyshim synonin të kapërcenin me të shpejtë fazat e konkurimit.
S’pyetej aspak për “oraret” e punës. Angazhimi i mësimdhënësve ishte maksimal. Por s’mjaftohej me kaq, ndërgjegjësimi i secilit prej tyre vlente së tepërmi, pasi qëllimi ishte sublim.
Dilnim herët në mëngjes për të kryer “konsultat” e para të ditës.
Ora mësimore ishte për nxënësit e kësaj kategorie një “orë impenjative” për të kapërcyer dhe për të ngritur nivelet.
“Konsultimet” pas orëve mësimore përbënin bazën kryesore të punës kërkimore. Të shumta ishin mjetet që përdoreshin, tekste të ndryshme, studime të ndryshme. Një punë voluminoze dhe me plot përgjegjësi.
Rezultatet ishin të padiskutueshme dhe nga një punë e këtillë natyrshëm dilte në pah edhe një cilësi e lartë. Kjo bënte që nxënësi të fitonte personalitetin e tij që në hapat e para të “karrierës” individuale. Nga ana tjetër, “mësuesi i olimpiadave” përbënte figurën qëndrore jo vetëm në kolektiv, por edhe në rangun e intelektualëve të vendit.
Puna impenjiative me olimpiadat vijon edhe në kohët e sotme, pavarësisht ngërçeve që hasen për të qenë sa më në kontakt me nxënësit olimpiadistë dhe për t’u shtruar më rigorozisht me materiale plotësuese “enkas” për olimpiadat.
Puna kërkimore për nxjerrjen në dukje të elementeve të duhur që në pikënisje të vitit shkollor mbart një rëndësi të posaçme, për të patur një përgatitje dhe një pjesëmarrje sa më të gjerë në fazën e parë që zhvillohet në rang shkolle. Natyrshëm që në këtë drejtim kërkohet një mbështetje e sigurtë si nga drejtoria e shkollës ashtu edhe nga stafi pedagogjik në reflektimin e një mbështetjeje që duhet t’u jepet nxënësve pjesëmarrës në olimpiada të lëndëve të ndryshme.
Përgjegjshmëria nis e rritet kur nxënësit kalojnë në fazën e dytë, tashmë në rang “Qarku”, ku Drejtoritë Arsimore Rajonale mirëpresin elitat e sistemit parauniversitar. Nxënësi në këtë rast mbart të tjera emocione, pasi ka kaluar në një fazë ku “konkurenca” merr ngjyrime të forta, sepse secili pjesëmarrës kërkon të arrijë “finalen”.
Për të vijuar më pas në fazën e tretë dhe finale që zhvillohet në Kryeqytetin tonë, atje ku “më të mirët” përballen me një sfidë të fortë dhe të hekurt.
Ata janë krenarë që kanë mbërritur në fazën finale dhe kjo ka të bëjë me formimin e një elite të sigurtë.
Të mos harrojmë:
Përgatitja e një nxënësi në një olimpiadë s’ka të bëjë vetëm me zhvillimin dhe formimin më të gjerë të nxënësit në një fushë të caktuar, përkundrazi objekti i këndvështrimit tonë detyrimisht duhet të jetë më i gjerë.
Kjo sepse nëpërmjet këtyre konkurimeve përgatiten elitat e shoqërisë shqiptare, të cilët do të krijojnë gurëthemelet e intelektualitetit shqiptar.
Një nxënës fitues në lëndën e Matematikës, të Fizikës, të Letërsisë, të Historisë, të Gjeografisë, të Tikut, të Biologjisë, të Kimisë bëhet një intelektual i fortë jo vetëm në lëndën përkatëse, por edhe një lider i fuqishëm që të nesërmet përfaqëson me dinjitet jo vetëm veten dhe familjen, por edhe grupimin e tij shoqëror prej nga vjen.
Çështja e stimulimit
- Të gjithë ne e dimë se sa rëndësi ka mbështetja që duhet dhënë këtyre nxënësve dhe padyshim edhe mësuesve që merren me olimpiadat.
- Plotësimi i këtyre grupeve me materialet e nevojshme;
- Vënia në dispozicion nga ana e drejtorisë së shkollave të një kohe të caktuar dhe të mjaftueshme për një përgatitje sa më efikase;
- Çertifikimi dhe mbështetja edhe në aspektin financiar të nxënësve dhe mësuesve pjesëmarrës që në fazën e parë të këtij angazhimi e deri në fazën finale;
- Krjimi i tryezave të punës mes grupeve olimpiadiste të shkollave të ndryshme mbetet një pikë kyçe për një angazhim dhe impenjim sa më serioz në këtë drejtim;
- Krjimi i kushteve të nevojshme për konsulta jashtëshkollore me nxënësit e olimpidave për një “trajnim” sa më efikas si të nxënësve ashtu edhe të mësuesve të angazhuar me këtë detyrë.
Prezantimi i elitave fituese në rang shkollor, në rang qarku apo edhe vendor në mënyrë që edhe nxënësit të jenë të qartësuar dhe të mobilizuar në marrjen me seriozitetin e duhur të këtij impenjimi.
Një lider i fortë në një olimpiadë është një lider i fuqishëm edhe nesër në drejtimin e një vendi
Është koha tashmë të garojmë në cilësi!...
Nga Evans Drishti
©Portali Shkollor– Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Prindërimi i suksesshëm, sfida më e madhe e familjes së sotme!
Tronditjet në shoqërinë tonë shqiptare/ Përse të rinjtë po rriten “të mbyllur” në një shoqëri të hapur?
Për t'u edukuar nuk mjafton arsimimi