Reflektim

Evans Drishti: Dëftesa e periudhës së parë, përballje apo kënaqësi?...

Çfarë ndodh në përfundim të periudhës së parë pasi mësuesit dhe prindërit takohen për të bërë le të themi një “bilanc” të mbarëvajtjes së fëmijëve në mësime?! Cila është situata e zakonshme kur prindërit informohen se gjërat nuk kanë shkruar ashtu siç janë dukur, pas një dhome që mbyllet për të mësuar?


Përballja


Hyn në shkollë me hapa të shpejtë, në nxitim për të mbërritur orarin e lajmëruar të shpërndarjes së dëftesave të Periudhës së Parë.

Jemi në prag të nisjes së 2023 duke shpresuar për një fillesë të mbarë pas një përfundimi ashtu - kështu të një periudhe… 

Pas një pritje disa minutëshe në mbërritje të stafit pedagogjik, vjen “përballja” me mësuesen kujdestare, ku natyrshëm përplasen buzëqeshjet e rastit për një fillim të këndshëm të një bashkëbisedimi frytdhënës… 

Je i bindur se do krenohesh me rezultatet e shumëpritura dhe si i tillë ke përgatitur edhe veten shpirtërisht dhe mendërisht, por ja që s’vonon zhgënjimi… Mësuesja kujdestare reflekton me profesionalizmin e saj “gjendjen reale” të fëmijës, ku shprehet: 

“Po hasemi me disa vështirësi me fëmijën tuaj, pasi nuk po tregon vëmendjen e duhur në orët mësimore...”

“Siii? Po si ka mundësi?...” 

“Sa herë që pyetet jep përgjigje të luhatura, madje aty – këtu edhe të pabazuara.”

“Ouuuu… Po ai mëson tërë ditën dhe s’e heq librin nga dora…” 

“U kontrollohen detyrat e shtëpisë, por në të shumtën e rasteve, e sidomos kohëve të fundit, nuk i ka të rregullta.”

“E pamundur, se më thotë çdo ditë se detyrat i kam prioritet të parë.”

“Mëson me hope, ndoshta edhe se tashmë ka hyrë në një adoleshencë të hershme dhe është i prirur më tepër tek loja se tek mësimi. Madje edhe në testin e fundit u vlerësua me notën 6”.


Dhe këtu, ti si prind pëson një “goditje të fortë” nga zhgënjimi që të përplas në fytyrë realiteti.

“Po mua më ka thënë se ka marrë notën 9? Si kështu?”

“Ju lutem!” vijon mësuesja, teksa ruan edhe një lloj gjakftohtësie, me plot mirësjellje dhe respekt natyrisht, “Është mirë t’i qëndroni sa më pranë dhe mos ta lini vetëm në ‘botën e tij’ gjatë kohës që merret me mësime”… 


I tërë ky “tension” i krijuar në atë moment, për fat të keq do të “shfryhet” pikërisht në ambientin familjar duke përçuar “irritim”, “shfryrje”, “egërsi”, “tendencë”, “arrogancë”, “nervozizëm”, “mospërmbajtje”, “pakënaqësi”… pasi ti si prind, mendon se gjithçka e bërë ka shkuar “DËM” sepse nuk po merren frytet e lodhjes tënde… 


Kjo sepse, je nisur me plot “dashamirësi” në kredhjen e intelektit dhe sovranitetit të fëmijës tënd, je mjaftuar përherë me më të “paktën” duke gjykuar se fëmija që shkon në shkollë “mëson vetë”, “bën detyrat vetë, “gjykon vetë”, “ushtrohet vetë” dhe se si i tillë ka më shumë “lirinë” e disponueshme për ta arritur atë që “kërkon”… 


I nisur nga të gjitha këto, fëmija yt, tashmë ka ndërtuar në mendjen e vet idenë sipas së cilës “do të durojë” ditën e marrjes së dëftesës çdo lloj “tërbimi” dhe “acarimi” në shtëpi, dhe se e nesërmja do kthehet në rutinën e zakonshme, e tashmë të mirë pëlqyer edhe prej tij e natyrshëm edhe prej prindërve… 


Kënaqësia 


Ti si një prind i kujdesshëm, që çdo ditë merresh rregullisht me fëmijën tënd, jo vetëm me bashkëbisedime të larmishme dhe të domosdoshme, por edhe duke shfletuar dhe punuar edhe me librat e shkollës së tij dhe jo vetëm, je shumë herë më i azhurnuar me atë “proces edukativ” që merr fëmija në shkollë. 

Je i njohur me mbarëvajtjen e fëmijës, me procesin arsimor, me materialet që fëmija punon në shkollë, me lëndët e ndryshme dhe përmbajtjet e teksteve, me konceptet që ofrohen në tekstet shkollore, me tematikat e larmishme në lëndët bazë: Gjuha shqipe dhe Letërsia, Matematika dhe Fizika, Kimia dhe Biologjia, Historia dhe Gjeografia, Artet etj… 


Je i njohur me “punën me shkrim “ dhe “vlerësimet e vazhdueshme” që bëhen gjatë proceseve mësimore, me kërkesat që ofrojnë mësuesit e lëndëve përkatëse në lidhje me zhvillimin integral të fëmijës tënd, me programet që zhvillon shkolla gjithnjë në shërbim të integrimit të tij, me mënyrat si sillen mësuesit e ndryshëm gjatë proceseve edukative dhe arsimore… 

Nisur nga këto njohje, ti si prind je treguar përherë i gatshëm të paraqitesh vazhdimisht në shkollë për të zhvilluar konsulta të ndryshme me mësuesit përkatës, jo thjesht për “verifikim mangësish”, por për një “bashkëpunim” në lehtësimin e procesit në të mirë të fëmijës tënd… 

Për rrjedhojë, kjo “këmbëngulje” e jotja si prind ka ndërtuar “ndërgjegjësimin e duhur” edhe tek fëmija edhe tek mësuesit duke sjellë një “koordinim të saktë dhe mjaft të gjetur” për arritjen e rezultateve të shumëkërkuara… 


Për rrjedhojë, ti, si një prind i kujdesshëm dhe i ndërgjegjshëm, ke arritur të ndërgjegjësosh tashmë edhe vetë fëmijën tënd se e gjithë ajo punë “voluminoze” paraqitet dhe prezantohet në një “dëftesë” si një “dokument zyrtar” i një rëndësie të veçantë që do të të tregojë në vijimësi të hapave të jetës atë çfarë ke synuar dhe ke arritur gjatë arsimimit, ndaj edhe momenti i marrjes së kësaj “dëftese” s’mund të të sjellë asnjë lloj “zhgënjimi”, përveçse një KËNAQËSI dhe shpërblim të një përkushtimi dhe detyrimi njëkohësisht… 


Marrja e një dëftese plot arritje, ty si prind të nxit akoma më tepër t’i japësh fëmijës tënd diçka më shumë nga ajo çfarë posedon deri tani, diçka më plotësuese dhe më argëtuese njëkohësisht… Madje, tashmë ke krijuar bindjen se produkti i jetës tënde ka të gjitha aftësitë të kapërcejë shumë sfida me shumë lehtësi për t’u bërë diçka më shumë se sa edhe vetë ti si prindi i tij, diçka më shumë se edhe profesioni që ke, diçka që kapërcen edhe dëshirat dhe ambiciet e tua si prind, por këtë herë tashmë me krahë më të sigurta dhe ballëhapur… 


SHKOLLA MES PËRBALLJES DHE KËNAQËSISË


Ti si mësimdhënës je plotësisht i vetëdijshëm se kur hyn në auditorin tënd do hasesh edhe me “përballjen” edhe me “kënaqësinë”, pasi si kudo e kurdoherë natyrat dhe temperamentet e fëmijëve orvaten në zhvillime relative si në kahje pozitive ashtu edhe në ato negative. 

Ti si mësimdhënës je mëse i vetëdijshëm se në fokusin e angazhimit tënd është “mbikëqyrja” hap pas hapi e zhvillimit integral të fëmijës duke e reflektuar dhe e pasqyruar vazhdimisht tek prindi përkatës. 

Ti si mësimdhënës ke aftësinë e duhur intelektuale të “gërmosh” në intelektin e fëmijës duke mbjellë në të, farëzat e një kulture dhe diapazoni gjithëpërfshirës, pasi që në pikënisje të profesionit tënd ke kuptuar se fëmija është dhe ngelet shëmbëlltyra e angazhimit tënd. 


Prandaj, mbetet përherë një domosdoshmëri: 


  • Rritja dhe angazhimi me leximet e larmishme jo vetëm për nxënësit, por edhe për mësimdhënësit dhe padyshim edhe për prindërit… 
  • Pasurimi i botës leksikore për të sjellë një botë ideore të larmishme me qëllim ofrimin e sa më shumë alternativave jetësore në funksion të zhvillimit individual… 
  • Mos ngelja të kufizuar vetëm në plotësimin e një “ditari” dhe “regjistri” si për ta bindur veten se detyra “u krye” 
  • Rritja dhe zgjerimi i konsultave të ndryshme jo vetëm brenda një procesi mësimor, por shumë më tepër jashtë tij për të njohur temperamentet dhe aftësitë për zhvillim të secilit… 
  • Azhurnimi i vijueshëm me ndryshimet bashkëkohore për të reflektuar gjithçka të frytshme në dobi të ndërtimit të një personaliteti të shëndetshëm… 
  • Rritja dhe forcimi i konsultave me familjet e nxënësve, të çfarëdo niveli qofshin ato, duke sensibilizuar më shumë ambicien për arsimim. 


Sot jemi më shumë të vetëdijshëm se mësimdhënësi s’edukon thjesht dhe vetëm një nxënës, por edhe familjen e tij, e për rrjedhojë një shoqëri të tërë… 

Sot jemi mëse të vetëdijshëm se çdo mësimdhënës dhe prind detyrimisht ndërton historinë e një qenie njerëzore për të cilën mbajmë përgjegjësi… 

Sot jemi mëse të vetëdijshëm, se të gjithë ne s’jemi produkt i rrethanave, por i vendimeve që marrim.

Me shpresën që çdo vendimmarrje të jetë produktive dhe efikase… 





Nga Evans Drishtimësues i Gjuhës dhe Letërsisë pranë Medresesë së Shkodrës


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.


2,058 Lexime
1 vit më parë