Evans Drishti: Çfarë u vu re në tezën e Gjuhës shqipe dhe Letërsisë për Maturën Shtetërore 2024
A keni vënë re diçka domethënëse dhe dominuese në tezën e Gjuhës shqipe dhe Letërsisë? Që të tria pjesët e tezës kishin në qendër familjen si bërthamën e ndërtimin të një shoqërie të shëndetshme...
Nga Evans Drishti
Me publikimin e menjëhershëm të tezës për provimin e Gjuhës shqipe dhe Letërsisë të Maturës Shtetërore 2024, natyrshëm kureshtja e parë ishte vëzhgimi nga afër i teksteve letrare dhe joletrare të rëna si dhe tema e esesë.
A keni vënë re diçka domethënëse dhe dominuese?
Që të tria pjesët e tezës kishin në qendër familjen, si bërthamën e ndërtimin të një shoqërie të shëndetshme.
Kështu:
Pjesa joletrare titulluar “Atdheu” shpaloste një nga plagët e shoqërisë shqiptare dhe jo vetëm, atë të emigracionit, por që në thelb kishte misionin e vërtetë që mbart familja dhe në rastin konkret prindërimi rigoroz. Vërtet që pyetja e drejtuar nga profesori i gjimnazit “Çfarë është për ju atdheu?” të rrëmben që në hapin e parë për një reflektim rreth atdheut, por që kur hyni në brendësi të kontekstit, shfaqet qartazi fuqia e pashtershme e një nëne për t’i qëndruar sa më afër fëmijës së vet duke u bërë edhe nënë edhe mësuese njëherazi për ti përmbushur një “boshllëk” fëmijës për raportin me vendlindjen.
Një tekst i mirëideuar dhe mirëpërpunuar që të rrëmbente në të gjitha dimensionet për të kuptuar procesin e zhvillimin intelektual si të fëmijës ashtu edhe të prindit dhe padyshim edhe të profesorit, të cilët plotësojnë si gjithnjë trinomin që përmbush edhe thelbin e zhvillimit të familjes bërthamë dhe të shoqërisë si një familje e madhe. Kjo kuptohet qartazi edhe nga kjo pjesë e fragmentit: “Dashurinë për atdheun nëna ime e ka shkruar në zemrën time me shkronja shqipe. Unë sot flas dhe shkruaj shqip sikur të mos kem ikur asnjë ditë nga Shqipëria…”. Çdo maturant, i çfarëdo niveli të jetë, ka se ç’të përftojë në mendjen dhe shpirtin e tij duke kuptuar njëherazi edhe nivelin e maturimit të tij/saj.
Pjesa letrare këtë herë solli personazhin e jashtëzakonshëm të Hamletit, sjellë me aq madhështi nga gjeniu i letrave Uilliam Shekspir, dhe sfidat e forta me të cilat u detyrua të përballej në mbrojtje të një dinjiteti të patjetërsueshëm të familjes.
Në thelb, sikurse dihet, mbart një subjekt tejet tërheqës, ku, Klaudi ka vrarë në gjumë vëllanë e tij, mbretin Hamlet të Danimarkës, dhe është martuar me gruan e tij, duke ia rrëmbyer fronin princit Hamlet, pra nipit të vet. Hamleti ndërpret studimet dhe kthehet në shtëpi plot pikëllim dhe dyshime për vdekjen e të atit. Atij i është shfaqur si vegim fantazma e të atit, që i tregon të vërtetën për helmimin e tij. Hamleti zbulon anë të atilla të jetës që deri atëherë s’i kishte menduar kurrë: ungji vrasës i babait, nëna e paqëndrueshme, që hidhet në krahët e tij, degjenerimi i gjithë oborrit danez. Edhe e dashura e tij, Ofelia, ndonëse ka një dashuri të sinqertë e të pastër ndaj Hamletit, është moralisht e pafuqishme për ta ndihmuar,… Tragjedia në vete ngërthen ide të thella humaniste, përmes të cilave ngrihet lart kulti i njeriut i pajisur me virtyte e moral të fortë, i cili gjithmonë ngadhënjen në luftën e tij kundër të keqes, kundër krimit dhe padrejtësive të tjera, që i kanë rrënjët në shoqërinë e kalbëzuar…
Çdo maturant pati rastin që edhe për pak kohë të identifikohej me një “Hamlet” si një parapërgatitje për rrugëtimin e mëpastajmë pas maturimit.
Pjesa e tretë e tezës, siç dihet, solli esenë, dhe këtë herë me një temë shumë domethënëse dhe meditative, ku sërish në fokus ishte familja si bërthama e pazëvendësueshme e shoqërisë.
Titulli i esesë “Po të më jepej mundësia të zgjidhja mes dy alternativave: ose të bëhesha astronaut ose flutur të qëndroja në muret e një shtëpie, do preferoja të bëhesha një flutur të qëndroja pranë familjes sime, pasi familja është institucioni më misterioz dhe më kompleks” tregon shumëçka që një maturant mund dhe duhet të shpalos idetë të qarta dhe konkrete rreth raportit të tij me familjen e vet ashtu sikurse edhe këndvështrimin e gjerë për pozicionin e familjes në kohët e sotme.
Vetë përcaktimi që i bëhet familjes si “institucioni më misterioz dhe më kompleks” e përfshin menjëherë maturantin në një botë meditative për t’i dhënë qasjet e duhura dhe kuptimplote pikërisht familjes.
- Sa i përfshirë është maturanti i sotëm në familjen e tij dhe në familjen shoqërore?
- Sa produktiv është maturanti i sotëm në gjallërimin e familjes?
- Sa vendimmarrës është sot maturanti në familje?
- Si do të dëshironte të ishte në të vërtetë?
- Në ç’raport qëndron maturanti përkrah familjes?
- Sa efikas ka qenë roli prindëror në zhvillimin e tij deri në këtë moshë?
Rrugëtimi i një maturanti është rrugëtimi i një intelektuali në përpjekje të krijimit të identitetit të vet në dimensione dhe kahe të ndryshme.
A u maturuan maturantët me një provim të tillë apo secili prej tyre është maturuar gjatë rrugëtimit të ndjekur në varësi të objektivave të veta, kjo mbetet për tu parë në përballjen e tyre tani e tutje.
Ajo që mbart një peshë të pazëvendësueshme është mbështetja dhe përkrahja që çdo maturant duhet të gjejë në familjen e tij dhe në shoqërinë ku jeton e vepron.
Është dëshpërues fakti se shumë të rinj në kohët e sotme, jetojnë dhe veprojnë “jetimë” në familje dhe në shoqëri. Kjo për shkak të mungesës fizike dhe intelektuale të familjarëve të tyre dhe të shoqërisë ku jetojnë në procesin e një orientimi të shëndetshëm në përcaktimin e linjës apo të linjave të formimit të tyre fizik, mendor e shpirtëror.
Për sa kohë që këta maturantë të mos gjejnë mbështetjen e duhur, natyrshëm që rrugëtimi i tyre do të jetë emigracioni.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Tronditjet në shoqërinë tonë shqiptare/ Përse të rinjtë po rriten “të mbyllur” në një shoqëri të hapur?
Roli i mësuesit në zhvillimin e personalitetit të fëmijës
Si të përgjigjeni saktë në testimin me shkrim dhe me gojë (arsim)