Analizë

Evans Drishti: Çfarë solli rezultati i provimit të Letërsisë?

Çfarë solli rezultati i provimit të Letërsisë, dëshirë për leximin e librave apo “distancim” ndaj leximit? Artikull nga Evans Drishti.

Për të gjithë ju, që ndoshta s’jeni në dijeni… 

Në programin orientues të maturës shtetërore ofrohet si “detyrim” leximi i 14 veprave letrare si më poshtë: 


  1. Homeri -  “Iliada” 
  2. Eskili  -  “Prometeu i mbërthyer” 
  3. Dante Aligeri - “Ferri” 
  4. Shekspiri - “Hamleti” 
  5. Gëte - “Fausti” 
  6. Viktor Hygo - “Katedralja e Parisit” 
  7. Jeronin de Rada - “Këngët e Milosaos” 
  8. Balzaku - “Xha Gorioi” 
  9. Albert Kamy - “I Huaji” 
  10. Lasgush Poradeci - “Ylli i zemrës” 
  11. Migjeni - “Novelat e qytetit të veriut” 
  12. Dritëro Agolli -“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” 
  13. Ismail Kadare - “Pallati i ëndrrave” 
  14. Azem Shkreli - “Lirikë me shi” 


S’ka dyshim që secila nga këto vepra mbetet bashkëkohore, origjinale dhe universale për vetë tematikat dhe fenomenet që janë marrë në trajtim në kohën kur janë shkruar si vepra e duke mbërritur tepër aktuale edhe në kohët e sotme. 


Ka shumë rëndësi që të bëhet një statistikë në lidhje me leximin e këtyre veprave nga ana e nxënësve gjimnazistë: 

Në ç’përqindje qëndron vallë: 

  • Leximi 
  • Përfshirja në kontekste 
  • Trajtimi i tematikave 
  • Analiza e fenomeneve 
  • Kuptimi i stilit gjuhësor 
  • Përthithja e fjalëve dhe frazave kyçe 
  • Reflektimi në origjinalitetin që përcillet 
  • Pasqyrimi i botëkuptimeve 
  • Niveli vizionar 

Nxënësi i notës dhjetë (10) bëri përpjekjet maksimale për të qenë sa më rigoroz në tërë këtë proces, jo vetëm nga dëshira e zjarrtë për të poseduar notën maksimale, por edhe për të kuptuar diçka më shumë rreth botëkuptimeve dhe vizioneve të ofruara. 

Sa ia doli?... 

Mësimdhënësi profesionist dha tërë energjitë e veta për të sjellë trajtesa dhe analiza sa më koncize letrare e gjuhësore për t’i ardhur në ndihmesë natyrës së çdo nxënësi. 


Ç’treguan rezultatet?... 


Një telefonatë e orës së vonë të pasdrekes, pikërisht në momentin e daljes së rezultateve, vinte nga një nxënës që kishte marrë notën dhjetë. Tejet entuziast, plot gjallëri, plot impulsivitet, plot shkathtësi, do të kish mbërritur në një tjetër botë, përcjell lajmin që mezi e kish pritur. Një kënaqësi e papërshkrueshme!...  

Pritshmëria vijonte edhe për të tjerë nxënës, që vërtetë e meritonin të mbërrinin në notën dhjetë, por s’ndodhi kështu. 

  • 27 180 numri i maturantëve që kanë hyrë në provim 
  • 444 ngelës 
  • Vetëm 15 maturantë me notën maksimale 10 
  • 7.34 rezulton nota mesatare për këtë provim 


A mund të ishin vërtetë vetëm 15 maturantë që meritonin notën 10?... Mendoni një analizë krejtësisht të thjeshtë: 

Në çdo klasë mature ka të paktën 2 ose 3 nxënës që janë vërtetë për t’u admiruar për shkathtësinë, mprehtësinë, mënyrën e interpretimeve, të komenteve, të analizave… Për të mos folur pastaj për dëshirën dhe pasionin e tyre ndaj leximit, jo vetëm të librit shkollor, jo vetëm të librave të ofruara në programin orientues, por edhe për sa e sa libra të tjerë jashtëshkollorë, të cilët kjo kategori ekselence i ka lexuar prej kohësh. 


Kjo kategori maturantësh dinë mjaft mirë 

  • Të lexojnë 
  • Të kuptojnë 
  • Të argumentojnë 
  • Të përshkruajnë 
  • Të rrëfejnë 
  • Të analizojnë 
  • Të komentojnë 
  • Të studiojnë 
  • Të hulumtojnë 
  • Të interpretojnë 
  • Të arsyetojnë 
  • Të meditojnë 
  • Të reflektojnë … 

Të gjitha këto procese kjo kategori maturantësh nuk i arritën as për një orë mësimore as për një periudhë vjetore, përkundrazi punuan pareshtur me një seriozitet të paparë dhe me një ambicie të hekurt jo thjesht për të marrë një dhjetë, por për një ngritje intelektuale të domosdoshme, sidomos në realitetin ku jetojmë. 


Është një punë mjaft gjithëpërfshirëse e mësimdhënësve të tyre jo vetëm gjatë një viti maturimi, por gjatë të tre viteve të gjimnazit. Janë këta mësimdhënës që bashkëjetuan me lëndën dhe nxënësit për të arritur në një frymë të këtyre niveleve të larta. 


Prandaj sot, kjo nota dhjetë duhej të ishte një shifër shumë herë më e lartë se ajo që na paraqitet. 


Sot duhet të kuptojmë më së miri: 


  • Në ç’përqindje është numri i nxënësve ekselentë në rezultatet e Letërsisë në shkolla me atë që doli nga ky provim. 
  • Në ç’përqindje do qëndrojnë tani e tutje numri i lexuesve të këtyre veprave dhe jo vetëm? 
  • Sa u afruan nxënësit me “leximin” dhe sa u distancuan? 
  • Sa përqind e këtyre maturantëve, sot e më tutje do integrohen akoma më shumë drejt leximit të veprave të ndryshme letrare e jo vetëm? 


Dihet tashmë formula “Letërsia është arti i fjalës”, por prej kohësh duket se është kthyer në “artin e shkrimit”. 

Mbetet domosdoshmëri që provimi i letërsisë të ruajë me një dinamikë të fortë “artin e fjalës” , ashtu siç ishte edhe më parë. 

Një gjë e tillë mund të arrihet atëherë kur provimi i letërsisë të kthehet në “provim gojor”, e për rrjedhojë të kuptohet më qartë niveli i çdo maturanti në të shprehurit e mendimeve nëpërmjet ofrimit të analizave letrare. 


“Eseja” mbetet përherë mënyra më precize për të kuptuar botëkuptime të larmishme në tematikat e ofruara. 


Nga Evans Drishti

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,128 Lexime
1 vit më parë