Evans Drishti: A është nxënësi i suksesshëm produkt i mësuesit të suksesshëm?
Pritshmëritë e nxënësit ndaj teje si mësues janë të shumta; zemra dhe mëndja e tij tenton të përfshihet në botën tënde për ta parë jetën me një tjetër sy, ashtu siç mundohesh ta shohësh edhe ti, pasi ti je “modeli” për të…
Ishte përgatitur në atë moment të niste të pyeste disa prej nxënësve lidhur me temat e orëve të fundit. Këtë herë kishte përgatitur edhe disa “teza pyetjesh”, si një orientim edhe më i saktë dhe më i qartë për nxënësit si dhe për të kuptuar më mirë aftësitë e tyre përkatëse. I kuptonin nxënësit të tilla momente… Reagimi vinte i menjëhershëm nga një nxënës tepër i shkathët dhe sistematik, si diçka e pritshme në fakt, pasi kështu ndodhte përherë.
Ishte në natyrën e tij të mos priste “ditën” kur ta pyeste mësimdhënësi, pasi për të çdo ditë ishte obligative për të përvetësuar diçka të re, ndryshe nga një ditë më parë. Lexonte ai nxënës së tepërmi dhe s’mjaftohej vetëm me tekstin shkollor, përkundrazi kishte një ego të fortë dhe aspironte të lexonte sa më shumë, jo thjesht informacione të internetit, siç kishte ardhur edhe koha, por dëshironte me plot zell “ta shfletonte librin” dhe të nxirrte prej tij “thesare” që do ia zgjeronin vizionin dhe diapazonin e tij, dhe për këtë ishte më se i bindur. Kërkonte vazhdimisht nga vetvetja, pasi ishte më se i vetëdijshëm se ajo që “përftonte” s’përbënte gjithçka. Vetëm kur ishte i bindur se i kishte kuptuar më së miri tekstet e dhëna në libër, ulej me plot pasion të bënte analizat e duhura dhe të nxirrte fjalët apo frazat kyçe që përbënin edhe boshtin e një analize. Përpiqej vazhdimisht të ishte maksimalisht i përqendruar në atë çfarë shpjegohej, qoftë ajo e thënë me zë qoftë edhe e shkruar në dërrasë. Për çdo pikëpyetje që mund të krijohej s’hezitonte të drejtonte pyetje të menjëhershme. Angazhimin me “fletoren e detyrave të shtëpisë” nuk e shihte si diçka formale, përkundrazi si një metodë mjaft efikase për ti konceptuar akoma më mirë dhe më thellë konceptet dhe njohuritë e përftuara. S’harxhonte shumë kohë në fakt për t’i kuptuar çështjet, pasi e kishte krijuar tashmë perceptimin e saktë dhe të duhur se si duhej kuptuar “koncepti” dhe si duhej “lexuar” në variantet e dhëna. S’nguronte ai nxënës të krijonte raporte të mirëfillta dhe integruese me të gjithë mësimdhënësit, pasi që të gjithë i kishte pranuar si “vlera të padiskutueshme” prej të cilëve kishte plot ç’të merrte. Ishte në natyrën e tij të merrte pjesë edhe në shumë evente të ndryshme sociale dhe kulturore, pasi ishte më se i bindur se secila prej tyre s’ishin tjetër veçse një lloj “laboratori” i atij bagazhi që përvetësonte dita – ditës dhe të tilla raste nuk i shihte si diçka për të kaluar kohën, por i vinte vetes objektiva të lartë që të reflektonte sa më shumë, e ku më pas të zbulonte se ku e gjente vallë veten për të krijuar “boshtin qendror” të së ardhmes. Ishte në natyrën e tij të mos qëndronte në heshtje, por të ishte pjesë e diskutimeve të ndryshme, madje pse jo, edhe të ishte vetë shtysë e çeljes së debateve me karakter formues, ku në fokus ishin temat e kohës. Ishte në natyrën e tij të mos humbiste kohën “e vyer” me gjëra të vogla dhe pa peshë, por të zbulonte ato që fshiheshin pas asaj që ofrohej, të gjykonte përtej teorive të matematikës apo formulave të fizikës apo ushtrimeve të Kimisë, të kthjellohej më së shumti në veprat klasike për të cilat s’reshtej së foluri rreth tyre dhe për vlerat e tyre, të realizonte më së miri dhe “pa mëdyshje” projektet kurrikulare që kërkoheshin në çdo lënde duke kuptuar edhe më mirë rolin dhe peshën e tyre në praktikë…
Dhe si i tillë, natyrshëm që ky nxënës spikaste edhe në ambientin e klasës, por jo vetëm. Me të marrë tezën e pyetjes në dorë, s’kishte nevojë të priste gjatë, dhe përgjigjet vinin të menjëhershme. Pasi në mendjen e tij ishte më se i qartë dhe i kthjelluar. I kishte kuptuar me kohë qoftë shpjegimet korrekte të mësimdhënësit, qoftë argumentet e ofruara, qoftë konceptet bazë që përbënin edhe thelbin e çështjeve qoftë logjikën e shëndoshë të asaj që reflektohej…
…
Megjithatë ishte nxitur ky nxënës edhe nga vetë mësuesi i tij, për shkak edhe të një raporti mjaft korrekt që kishte krijuar prej kohësh. Bisedat e tyre të shpeshta jo vetëm brenda orës mësimore, por edhe përtej saj e kishin forcuar dukshëm këtë marrëdhënie, e cila në fokus kishte përgatitjen sa më dinjitoze të tij, jo vetëm te lënda, por edhe në fusha të ndryshme të jetës. Diskutonin së bashku edhe për libra të ndryshëm, qoftë për klasikët shqiptarë, qoftë për krijimtaritë poetike qoftë për vlerat e pakundërshtueshme të klasikëve botërorë, diskutonin veçanërisht për pasionet dhe dëshirat që ofronte e përditshmja, për shijet dhe gustot, për çështjet “shqetësuese” dhe “rrugëzgjidhjet” përkatëse, diskutonin edhe për familjen dhe shoqërinë, për karakteret e njerëzve, për batutat e ndryshme, diskutonin edhe për vlerat e traditës dhe të kulturës popullore …Pasi jo vetëm nxënësi përfitonte së tepërmi prej mësimdhënësit, por edhe vetë mësimdhënësi ishte më se i bindur se përfitonte shumë prej tij dhe nxënësve të tjerë, pasi “ai rritej dhe zhvillohej së bashku me ta”.
S’mungonin asnjëherë materialet shtesë që ofronte mësuesi për të dhe për kategorinë e atyre që kërkonin diçka më shumë, herë ua ofronte me shënime e herë në forma të tezave të ndryshme për ta pasur më të lehtë “përvetësimin”. Të shpeshta ishin edhe “pyetjet rrufe” që drejtonte në klasë për të ngacmuar sado pak edhe mendjen e njomë të fëmijëve, dikush nguronte të përgjigjej e dikush tjetër fliste sa për të treguar se ishte i pranishëm në klasë, e ndërkohë përgjigjet e sakta vinin të menjëhershme prej atij nxënësi dhe të tjerëve që interesoheshin. Gjithsesi mësimdhënësi kurrë s’tregohej i ashpër në komunikim, as cinik as ofendues, përkundrazi e kishte aftësinë t’ua blinte mendjen me një të hedhur shikimi.
Ndodhte të dilte edhe nga tema në mënyrë që t’ua tërhiqte vëmendjen “disave” që për momentin gjendeshin diku përtej, “të humbur” në iluzionet e tyre, e profesionalizmi i mësimdhënësit me batutat e çastit ndryshonte menjëherë atmosferën, teksa ngacmonte lehtazi edhe ndjesitë dhe përjetimet e atyre fëmijëve. Ky ishte një “relaksim” për “nxënësin e suksesshëm” si për ti dhënë të kuptojë se kishte mbërritur në “stacionin e një pauze të shkurtër”.
S’kuptohej se si kalonte ajo orë mësimore, pasi jo vetëm mësimdhënësi që ishte tepër aktiv dhe koherent në çdo çast, por edhe vetë nxënësit dëshironin përherë një orë të atillë, pasi e shihnin më shumë si një “argëtim” se një “angazhim i bezdisshëm”. E natyrshëm që në këtë mes një rol të veçantë luante edhe nxënësi i suksesshëm dhe të tjerët e interesuar, pasi largpamësia dhe shpirti human i tij ofronte përherë ndihmesë edhe për shokët e klasës, jo në atë klasiken për t’u dhënë “fletoren e detyrave” për “kopjim”, por duke dhënë shpjegime të qarta, ashtu siç i kishte kuptuar dhe vetë, për shumë ushtrime apo teorema të ndryshme, pse jo edhe për analiza të teksteve të larmishme. Kjo pasi ai i kishte vënë vetes si qëllim të ishte “një shok i mirë dhe i sigurtë” në çdo moment. Mos vallë të ishte edhe kjo një shtysë nga mësuesi i tij “besnik”? Natyrisht që po! Megjithatë ishte edhe në natyrën e tij, nga modelet që kishte marrë edhe në familjen e vet….
Jemi më se të vetëdijshëm si mësimdhënës, kudo që ndodhemi për të ushtruar profesionin tonë fisnik se në çdo laborator edukativ “padiskutim” janë të shumta figurat e një “nxënësi të suksesshëm” me të cilin apo me të cilët ta ka ënda të punosh, ta ka ënda të flasësh, të diskutosh, të analizosh, të debatosh, të konceptosh, të arsyetosh… Prania e tij të jep një tjetër ndjesi, një tjetër emocion, një tjetër përjetim, një tjetër predispozicion… Je më se i bindur se profesionalizmi yt mezi pritet prej tij, vëmendja e tij është vetëm te ti, në atë se çfarë do të shpjegosh, në atë se çfarë do të tregosh, në atë se si do ta presësh përgjigjen dhe për rrjedhojë përgatitjen e tij… Pasi pritshmëritë e tij ndaj teje janë të shumta, zemra dhe mëndja e tij tenton të përfshihet në botën tënde për ta parë jetën me një tjetër sy, ashtu siç mundohesh ta shohësh edhe ti, pasi ti je “modeli” për të….
Një nxënës i suksesshëm është i karakterit të tillë që:
- Përvetëson plotësisht materialin e dhënë në libër, jo me idenë për të marrë një “10 (dhjetë)” në kuptimin mekanik, por duke krijuar logjikën e shëndoshë në konceptimin e temave
- Është i gatshëm të ofrojë pikëpamjet e tij të qarta për çdo tematikë të trajtuar dhe analizuar gjatë procesit dhe jo vetëm.
- Është një lexues i rregullt i pikëpamjeve dhe botëkuptimeve që ofrojnë librat e natyrave të ndryshme duke bërë një përzgjedhje të duhur për formimin e një identiteti “të kërkueshëm”.
- Tregohet i kujdesshëm në realizimin e plotë të projekteve kurrikulare dhe ekstra kurrikulare të organizuara si brenda ashtu edhe jashtë shkollës.
- S’ngelet thjesht vetëm në përvetësimin e lëndëve shkollore duke i qëndruar besnik njohurive të ofruara, por tenton dhe guxon të shkojë akoma më tej duke u munduar të krijojë lidhjet e ngushta me shkencat e ndryshme.
- Merr pjesë në konkurse dhe olimpiada të niveleve të ndryshme duke mos i parë të tilla pjesëmarrje si sipërfaqësore, por të një efektiviteti të lartë.
- Zhvillon veten të luajë funksione të ndryshme në përditshmërinë e tij qofshin ato organizative apo edhe kreative duke vënë në shërbim të gjitha njohuritë e fituara.
- S’heziton të vihet në përballje me realitete të ndryshme duke ruajtur gjithnjë etikën e një komunikimi intelektual.
- Ndjek hap pas hapi shtypin e ditës dhe aktualitetin duke ofruar opinione të larmishme rreth zgjidhjeve të mundshme.
- Aspiron në një përzgjedhje të saktë të orientimit të vet për të ardhmen, duke guxuar edhe më tej, qoftë në thellimin e njohurive për fushën e preferuar qoftë në krijimin e bazës organike të nevojshme.
- Tregohet i gatshëm të jetë një natyrë eksploruese duke tentuar të përjetojë eksperienca interesante.
- S’njeh “justifikime” as për nga mundësia as për nga angazhimi, pasi është më se i vetëdijshëm se “koha në dispozicion” është e pakthyeshme.
- Njihet dhe përvetëson gjuhë të huaja duke u përfshirë në sa më shumë horizonte.
- S’heziton të hulumtojë të shkuarën e tij të afërt apo të largët për të ndërtuar një “të tashme” të qëndrueshme dhe një “të ardhme” aspiruese.
Le të përpiqemi të vijmë “të ndryshëm” përpara fëmijëve, e veçanërisht përpara “nxënësve të suksesshëm”…
7 Marsi ynë është më i bukur kur jemi me të tilla vlera, ashtu sikurse 8 Marsi për nënat bëhet edhe më i bukur kur shohin “produktin” që e vlerëson dhe vlerësohet në shoqërinë ku jeton…
Nga Evans Drishti, mësues i Gjuhës dhe Letërsisë pranë Medresesë së Shkodrës
Publikim N.Allkja Biçaku
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Për t'u edukuar nuk mjafton arsimimi
Prindërimi i suksesshëm, sfida më e madhe e familjes së sotme!
Përkujtimi i gjuhës amtare, vëmendjen ta kthejmë nga përdorimi drejt i gjuhës shqipe