REFLEKSION

Eva Qorri: Një vit shkollor që iku....

Frikërat dhe pasiguritë e vitit shkollor që kaluam ishin të shumta. Eva Qorri, mësuese, sjell refleksionet e saj, duke ngritur disa pikëpyetje, mbi mënyrën se si mësimi do të zhvillohet vitin e ardhshëm. A do të vazhdojmë të ndiejmë pasiguri?

Iku dhe ky vit shkollor!  


Gongu ra! 


Startoi plot eufori, gëzim 16 Shtatori 2019-të. Me synime dhe objektiva për t'i përmbushur. Me sfida që na prisnin në rrugën e dijes. Vogëlushët e kopshtit dhe të klasës së parë ishin plot emocion dhe padurim për eksperiencën e re shkollore. Në sytë e qeshur të tyre, dukej padurimi për të eksploruar rrugën e gjatë të dijes. 

Filloi viti i ri shkollor më 16 Shtator 2019. Në çdo klasë ndihej "Mirë se ardhja e fëmijëve". Shkollën e kishte marrë malli për zërat zhurmues të fëmijëve. Sigurisht edhe ne mësuesve, për përqafimet e tyre. Sa dashuri dhurojnë fëmijët! Po ky vit shkollor do të shkruhet në histori, si një vitë i mbrapshtë, sepse i tillë u nis. 


21 Shtator 2019, ditë e Shtunë, ora 16:05, toka tronditet... Bashkë më të edhe çdo qelizë e trupit tonë. Ndjemë frikë, panik. Tërmeti, godet vendin tonë pas 30 vitesh qetësi. Ankth, stres, pasiguri. E mblodhëm veten për momentin, duke i dhënë forcë me shprehjen: Nesër është një ditë e re! Por frika ishte aty me ne. 


26 Nëntor 2019, dy muaj e 5 (pesë) ditë pas 21 Shtatorit, ora 03:54, mëngjes, qetësi varri, çdo gjë në heshtje, gjumë. Toka tronditet për 1 minut nga një tërmet, që jetën tonë e ktheu përmbys. U shkatërruan qytete, shtëpi, shkolla. Shumë njerëz humbën jetën, njerëzit e dashur, shtëpinë. Trishtimi dhe pasiguria e ditës së re, ishte në sytë e çdo njeriu. Shkollat mbyllen, disa prej tyre të dëmtuara. Ndër to edhe shkolla jonë. 

Toka nuk gjen qetësi, as ne.

9 Dhjetor 2019, rikthehemi në bankat e shkollës, por jo në shkollën tonë. Për dy javë, fëmijëve u bëjmë mësim praktik për tërmetin dhe se si duhet të mbroheshin nga ai. Personalisht, (besoj jo e vetmja) kam qenë me qetësues, për një kohë të gjatë, e tmerruar, frikësuar, pagjumësi e theksuar. 

Iku dhe tërmeti! 

Mezi prisnim Vitin e Ri 2020. Menduam se do të ishte një vit i mbarë. Por jo, na shpiket COVID-19, i përhapur në Wuhan/Kinë, që në dhjetor 2019. Mijëra të infektuar dhe të vdekur. 


8 Mars 2020, vendi ynë infektohet nga pandemia globale. 9 Mars 2020, shkollat mbyllen sërish. I gjithë procesi mësimor zhvillohet on-line. Totalisht të patrajnuar mbi mënyrën e mësimdhënies on-line. 

Sfidë me veten! 

Ia dolëm! Po si? 

Jemi koshient, që jo të gjithë fëmijët kishin mundësinë të kryenin mësimin on-line. Mësimet kaluan edhe në ekranin e televizionit TVSH, WhatsApp, Viber, Skype, Zoom, Schoolme... 

Vetëm këto dëgjoheshin në bisedat e çdo prindi, fëmijëve, mësuesve. Edhe mediat on-line, nuk na kursyen me lavdërimet e tyre denigruese, përçmuese për figurën e mësuesit. U lodhëm, u stresuam, punuam fort, që të përçonim te fëmijët përgatitjen mësimore në mënyrën më perfekte të mundshme. Ia dolëm! Po, po, e them me zë të lartë: "Ne sfiduam veten". 


Shkolla mbaroi për këtë vit, më 29 Maj 2020-të. Me një program mësimor të reduktuar me dy javë, të cilat do të zhvillohen në vitin e ri shkollor. Java e fundit e qershorit, iu dedikua ndarjes së dëftesave. 


Gongu ra! 


Pyetjet që qarkullojnë në mendjet tona janë:

 - Po viti i ri shkollor, si do të jetë? 

- COVID-19, do të bëhet COVID-20? 

- Do të rritet edhe ai bashkë me ne, duke na përndjekur sërish? 

Pasiguria vazhdon ...



Nga Eva Qorri, mësuese filloreje, shkolla “Murat Toptani”, Tiranë

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,241 Lexime
4 vjet më parë