Etika e komunikimit, fjalori i nxënësve të shkollave si (nuk) duhet të jetë, nga Muhamet Selmani
Etika e komunikimit të nxënësve është një sfidë nëpër shkolla. Fjalori i padenjë i nxënësve të shkollave është një fenomen shqetësues për shkak se nxënësit masivisht në mënyrë të pandërgjegjshme, patologjike kanë keqkuptuar lirinë e fjalës.
Shkruar nga Muhamet Selmani, drejtor i shkollës “Ibrahim Gjorgji” Radomirë, Kala e Dodës, Dibër
Kujdes me fjalën, zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri
Me fjalën rrjedhin përrenj me mjaltë
Pikojnë çezma me helm të zi
Dritëro Agolli
Nëse fjalëve nuk u mbetet kuptim heshtja është madhështore.
Etika është vlerësim i sjelljes njerëzore në dritën e parimeve morale. Të folurit mbi parimet etike tregon për një nivel të lartë të edukimit qytetar. Të bësh dallimin mes lirisë së fjalës dhe mungesës së etikës është një sfidë bashkëkohore. Fjalori që nuk është i denjë tregon se edukimi qytetar është në krizë dhe në një nivel të ulët. Fjalori i padenjë i nxënësve të shkollave është një fenomen shqetësues për shkak se nxënësit masivisht në mënyrë të pandërgjegjshme, patologjike kanë keqkuptuar lirinë e fjalës. Problemi qëndron në faktin se nxënësit në fjalorin e tyre nuk mund të bëjnë dallimin mes lirisë së fjalës dhe mungesës së etikës së komunikimit, duke thënë çfarëdo fjale pa asnjë filtër etik.
Etika e komunikimit të nxënësve është një sfidë nëpër shkolla. Ka një kontradiktë të madhe mes asaj se si duhet dhe si është në realitet. Fenomeni është një lloj devijimi moshor por jo vetëm që po shfaqet gjerësisht si një patologji që cenon institucione edukative shkollat. Sjelljet devijante në komunikim janë pasojë e mosfunksionimit të shumë faktorëve si, individi, familja, shoqëria, institucionet edukative shkollat, podiumet mediatike, rrjetet sociale, figurat edukuese. Nëse nuk hedhim dritat mbi komponentët përgjegjës dhe mirëfunksionimin e tyre edhe ndryshimi vështirë të ndodh.
Etika e komunikimit në traditën shqiptare dje dhe sot
Shqiptarët kanë pasur një traditë të mirë që në prani të vajzave kurrë nuk flisnin me fjalë vulgare. Në realitetin e sotëm pa pikë turpi flitet pa asnjë kufi dallues mes të mirës dhe të ndyrës qoftë edhe në prani të vajzave. Kur njeriu e humbet konceptin e turpit atëherë çfarë nuk flet.
Shoqëria shqiptare ka bërë prapa në etikën e komunikimit, duke thënë se shumë tradita të mira shqiptare janë tejkaluar. Shqiptarët kanë pasur shumë kujdes dhe ishin tepër të përmbajtur që të mos prishnin gjuhën me të tjerët. Nuk ke të drejtë të përdorësh një fjalor që nuk është i denjë. Përvoja e traditave popullore na ka trashëguar përgjegjësinë e lartë për fjalën. Fjala e urtë popullore “Fjala kocka nuk ka por kocka thyen” është dëshmia më e qartë që thekson përgjegjësinë, rëndësinë dhe pasojat e fjalës.
Pesha e fjalës, fjala e keqe dhe fjala e mirë, rëndësia dhe përgjegjësia e komunikimit etiko-njerëzorë
Poezia e shkrimtarit Dritëro Agolli “Kujdes me fjalën” thekson në mënyrë brilante rëndësinë e përdorimit të fjalës.
“ Ka njerëz që flasin me gjuhë.
Ka që me gjuhë ndyjnë”- Dritëro Agolli
Helmi i mendimeve rrjedh nga helmi i gjuhës. Fjala e keqe dhe helmi kanë një të përbashkët peshojnë pak por ndotin shumë.
Sipas studimeve rezulton që rreth 75% të ditës e shpenzojmë në komunikim. Cilësia e komunikimit në mjaft raste mund të jetë me mangësi apo defekte serioze larg rrjedhës normale. Si shprehje e këtyre devijimeve në komunikim interpretohen shumë nga mosmarrëveshjet, grindjet që shpesh shpërthejnë në kontakte të hapura dhe në akte dhune.
Komunikimi etik dhe fjalori i nxënësve të shkollave
Kur dëgjon fjalorin e nxënësve, thënia në fillim e fjalës së fundit pa asnjë filtër etik të duket sikur po jeton në kohën e marrëzisë. Një sjellje jo edukative që bie në sy në shkollë, në rrugë, në lidhjet komunikative interpersonale. Gjuha banale e nxënësve është kthyer në një mënyrë të zakonshme komunikimi si nga nxënësit e shkollave 9-vjeçare ashtu edhe gjimnazeve, brenda dhe jashtë ambientit të shkollës.
Mësuesit e ndiejnë shumëpërdorimin e një fjalori të tillë jashtë etikës morale njerëzore. Fëmijët fillojnë me një fjalor të papërshtatshëm që në moshën e hershme, që kur jo gjithmonë e kuptojnë atë që thonë. Te nxënësit e shkollave ka filluar si zhargon nga rrjetet sociale dhe sot është bërë fenomen.
Fjalori jo etik në shkolla është një fenomen i përhapur edhe në Europë. Në Gjermani ky fenomen ishte bërë problem, ngaqë kur ktheheshin fëmijët nga shkolla prindërit shikonin që fëmija vinte me një fjalor ndotës që e mësonte nga shokët e shkollës. Në shkollë ka nxënës nga shtresa të ndryshme të nivelit kulturor dhe nxënësit infektoheshin në aspektin eduktiv nga njëri-tjetri. Ky shqetësim arriti deri aty që prindërit e nivelit të lartë kulturorë filluan t’i tërhiqnin fëmijët nga ato shkolla që nuk garantohej edukim qytetar. Roli shkollës për të garantuar një edukim qytetar është thelbësor.
Roli i shkollës dhe mësuesve në edukimin e nxënësve me etikën e komunikimit
Shkollat sot ndryshe nga dje nuk e kanë më monopolin e “rojës së edukimit”. Shkolla po e humb ndikimin pozitiv si qendër edukim. Epoka digjitale ka bërë të mundur që çdo kush që ka një telefon në dorë dhe qasje në internet të dëgjojë dhe të shikojë çfarë i thotë mendja dhe i rrok syri. Mësuesit ndryshe nga dje janë të sfiduar me një brez të një kohe tjetër të cilët marrin informacione nga të gjitha anët, pozitive e negative. Roli i mësuesit si orientues, ndërgjegjësues edukativ i nxënësve dhe jo vetëm mësimdhënës është domosdoshmëri. Mësuesi duhet të jetë aktiv në rolin e tij të përmirësimit dhe formimit të shëndoshë të gjeneratës së ardhme. Ata që janë në batkun e komunikimit t’i nxjerr prej aty.
Mjedisi i shkollës duhet të jetë edukues dhe jo moçal infektues. Sa rrimë e ankohemi për mushkonjat më mirë të thajmë kënetën. Një institucion shkollor funksional është atëherë ku drejtohet me rregulla dhe disiplinë, ku aktorët e edukimit të jenë profesionistë, të përkushtuar e të përgjegjshëm për rolin që kanë do të ishte esenciale për të diagnostifikuar problematikën e etikës së komunikimit të nxënësve të shkollave. Sistemi i mirë i shkollës i bën nxënësit e mirë. Nxënësit janë si brumi, ju bëni formën që dëshironi. Mendja është një enë dhe gjuha është një mjet që shpreh atë që përmban ajo. Atë që e fsheh mendja e tregon gjuha. Çdo fjalë që del nga gjuha është produkt i asaj që ke vendosur në mendjen tuaj.
Rënia e nivelit edukativ ka ardhur edhe për shkak të rënies së sistemit disiplinor të shkollave por edhe rënies së personalitetit dhe autoritetit të mësuesve për shkak të mungesës së profesionalizmit të duhur për misionin që ka. Nëse vetë mësuesve u mungon etika e komunikimit atëherë nxënësve u mungon shembulli i mirë dhe imitojnë atë model që kanë. Shkolla pa vendosur disiplinë nuk mund ta luaj rolin e misionit që ka. Një faktor tjetër ndikues në etikën e komunikimit është edhe media, emisionet televizive dhe rrjete sociale. Shkolla është në betejë me medien në aspektin e etikës në përgjithësi dhe atë të komunikimit në veçanti. Shkollat nuk duhet t’ia lejojnë vetes që fuqinë ndikuese të shkollës tek nxënësit ta marrin mediet dhe rrjetet sociale.
Etika e komunikimit të nxënësve dhe ndikimi mediatik, rrjetet sociale në epokën digjitale
Nxënësit e shkollave “ushqehen” thuajse shumicën e kohës me ligjërime të rrjeteve sociale dhe ligjërime të tipit “Big Brother” e emisione të tjera simotra, atëherë lind vetiu rreziku që këto ligjërime me fjalor të papërmbajtur të kthehen në model imitues duke hyrë në fjalorin e përditshëm të nxënësve. Emisione ku dëgjohen ofendime, sharje, ekspozohet mungesa e virtyteve janë një moçal që prodhon dekadencë e shkatërrim edukativ të vlerave tek gjenerata e re.
Modele jo të denja në drejtim të etikës së komunikimit ofrohen edhe në rrjetet sociale deri aty saqë edhe disa të ashtuquajtur këngëtarë këndojnë me një fjalor të padenjë dhe jo etik. Modele të tilla prodhojnë ndikim negativ te fëmijët dhe bëhen ngjitëse duke u përhapur sikur të ishte një virozë. Në kushtet kur shoqëria përjeton krizë vlerash banaliteti kthehet në normalitet. Humorin e zuri fjalori ku refreni i batutës janë fjalët banale që po shokojnë familjet shqiptare. Duke abuzuar zbatimin e ligjit në mungesë të etikës. Në këtë aspekt ka përgjegjësi struktura AMA si rregullatore dhe garante e zbatimit të kodit të etikës të paraparë nga ligji në komunikim edhe më gjerë nga podiumet mediatike. Viktimat e para janë veta ata që duhet të jenë gardianët e ruajtjes së etikës mediatike.
Letra e mësuesit Italian Marco Galice shkruar për drejtuesit e programeve më të njohura televizive në Itali kohë më parë , formate të ngjashme me “Big Brother” tani në Shqipëri. “Unë iu akuzojë se jeni ndërfajtorët kryesorë të dekadencës kulturore të vendit tonë, të brezave të rinj, varfërimit etik të fëmijëve tanë. Unë flas si mësues që shoh nxënësit që imitojnë banalitetin që përhapin personazhet tuaja”. Një realitet i tillë është tani në Shqipëri dhe ne mësuesit jemi në të njëjtën situatë siç kolegu ynë nga Italia ka përshkruar vendin e tij vite më parë.
Ekspertët e medieve vetë e thonë se “etika është gjëja e fundit që i shkon në mendje medies”. Gjuha toksike që përdoret në disa media është një turp social dhe problem kulturor. Etika e komunikimit e rrezikuar pikërisht nga ato që duhet të ishin gardianët e saj është një kontradiktë. Të kultivosh një publik që argëtohet me budallallëk është një dilemë profesionale. Etika e fjalës e rrezikuar nga media është një kritikë për cenimin e etikës.
Nuk ka dyshim se shoqëria shqiptare është përballë një realiteti tëri, në të cilin interneti është bërë një faktor ndikues në jetën e kujtdo. Komunikimi digjital ndikon në mënyrën se si komunikojnë sot nxënësit në veçanti dhe të rinjtë në përgjithësi. Po të shikojmë fëmijët duke komunikuar në rrjetet sociale kupton se ata reflektojnë atë që u serviret.
Si (nuk) duhet të flasim
“Edukatë në bashkëbisedim nuk është vetëm të flasësh fjalë të mira, është konditë të mos flasësh fjalë të ligë dhe të mos e lesh tjetrin ta thotë”- Naim Frashëri
- Fjala e ngre njeriun dhe fjala e ul atë shumë poshtë, prandaj zgjidhi fjalët para se të flasësh.
- Flisni bukur, me maturi dhe etikë sepse gjysma e bukurisë së njeriut është të folurit e tij.
- Thoni fjalë të mira dhe me vlerë.
- Një person peshohet nga fjalët e tij, prandaj kurrë mos flisni kot. Mendo para se të flasësh.
- Largohuni nga të folurit keq, mos ofendoni të tjerët, mos përgojoni.
- Ta gjuash njeriun me shigjeta është më e lehtë se sa ta “gjuash” me fjalë.
- Të jemi të vetëdijshëm se pasojat e keqësisë së fjalorit janë me kosto të dhimbshme që shkaktojmë te tjetri kur flasim në mënyrë të pandërgjegjshme.
- Fol me nder dhe fjalë të lejuara duke shmangur fjalët negative.
- Je i pastër në fjalorin tënd dhe mos i thirr të tjerët me emërtime ofenduese.
- Nëse fjalëve nuk u mbetet kuptim heshtja është madhështore.
- Fol mirë ose hesht.
“Midis fjalëve të thëna pa dashje dhe të pa thëna, humbet shumë dashuri” Gibran Khalil Gibran
Nisma ndërgjegjësuese për një etikë komunikimi të kulturuar
- Eseja më e mirë “Etika e komunikimit”
- Të promovohen shembujt e mirë në shkollë “Nxënësi shembullor në komunikim”
- Mësuesit dhe të gjithë podiumet e komunikimit të jenë shembull duke rrezatuar një artikulim të kulturuar.
- T’i kushtohet rëndësi lëndës “Edukatë qytetare” qytetarisë që dikur quhej edukatë morale.
- Lënda e qytetarisë studiohet në të gjitha, klasat kërkohet t’i jepet vëmendje e duhur nga mësuesit me qëllim që nxënësit të mësojnë etikën qytetare që është esenciale.
- Mësues përpiqu të ndërgjegjësosh. Mos rend!
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!
Tirana mban rekord për numrin më të lartë të analfabetëve në Shqipëri
QSHA njofton zyrtarisht: Provimi i licencës për vitin 2022 do të zhvillohet gjatë periudhës Prill - Maj