Ermira Ymeraj: Për një vit ndryshe!
Misioni i saj/tij këtë radhë është krejt ndryshe. Humbja e jetës i vërshëllen, po heronjtë e heshtur ato të përgjegjshmit, të përkushtuarit, dinjitozët, humanët kanë vetëm një lutje: Zot na mbaj dorën në këtë sfidë!
Ka dy javë që dita jonë i nënshtrohet një tempi jo të zakontë. Dita nuk ka hapësirën për ta njohur pushimin. Jemi në një udhë me rrezikun, pas shumë detyrimeve shtëpiake, që zakon i familjes shqiptare nuk na e heq (mama që lan, pastron, hekuros, gatuan, blen e kujdeset për strehën e saj) gëzojmë dhe sfidën e mësuesisë.
Pakkush vlerëson duart e mendjen punëtore të mësueses së klasës së parë. Pakkush e kupton se ka drejtues shkollash që s'kanë bërë një ditë pushim, pakkush lë mënjëanë peshën e ngarkesës së mësuesit të AML dhe AMU!
Ajo e urta dhe e bindura s'ka privatësi, ka vetëm ritëm për të qenë gati, me plane shumëfaqëshe, plan projekte, ditar, sipas skenarëve. Koha e saj fizike e qendrimit në shkollën me turne, do ndryshojë mënyrën e saj të jetesës, e lodhur, bri me rrezikun që përditë i varet në qafë, ajo do e harrojë veten, përballë ka amanetin e gjirit të çdo nëne e babe, përballë ka fëmijët, të qeshur, të mvrejtur, të bulluar, të frikësur, indiferentë, të pabukë, të paveshur, të veshur, krenarë, gjanxehtë, lojcakë, trazovakë, të ndryllur, të hapur, që presin nga ajo/ai ta mbështesë, t'i japë ngrohtësi, t'i flasë ëmbëlsisht, ta përgatisë, ta aftësojë, ta ndërgjegjësojë, ta lërë të lirë, të mos e injorojë, të mos ketë frikë se mos i ngjit COVID -in, ta udhëheqë, ta nxitë që të përmisohet vazhdimisht, ta ushtë të lexojë, t'i mbajë dorën, t'i fshijë lotët kur gjërat në botën e tij a saj janë shembur.
Mësueses, gruas që banon diku, që mbart shqetësimin e fëmijëve të saj, i duhet të jetë gati për tërë këto përgjegjësi. Asaj i duhet të vishet me buzëqeshjen më jetgjatë, me kurajon më të madhe, me fjalorin më të ëmbël çdo mëngjes e pasdite që do presë e përcjellë nxënësit e saj. Misioni i saj/tij këtë radhë është krejt ndryshe. Humbja e jetës i vërshëllen, po heronjtë e heshtur ato të përgjegjshmit, të përkushtuarit, dinjitozët, humanët kanë vetëm një lutje: Zot na mbaj dorën në këtë sfidë!
Nga Dr.Ermira Ymeraj
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Bukurie A Hajdarmataj: Letërsia dhe ndikimi i saj në formimin e karakterit të nxënësit
Rolet gjinore në familje
Një mësues mund të ndryshojë botën