Nxënëse ekselente

“Ëndrra ime? Të mbaj një fjalim inspirues”

Ju prezantojmë sot me Rudina Haxhiun, nxënëse e ekselencës e cila është ndër nxënësit më të mirë të qytetit. 17-vjeçarja është nxënëse në klasën e 12-të në gjimnazin “Sandër Prosi”, ka lindur dhe është rritur në Tiranë.

Ju prezantojmë sot me Rudina Haxhiun, nxënëse e ekselencës e cila është ndër nxënësit më të mirë të qytetit. 17-vjeçarja është nxënëse në klasën e 12-të në gjimnazin “Sandër Prosi”, ka lindur dhe është rritur në Tiranë, ndërsa në 9-vjeçare zgjodhi për të studiuar në shkollën “Mustafa Kemal Ataturku” në Sauk. Portali Shkollor zhvilloi një bisedë me Rudinën.


Rudina e prisje të ishe në mesin e nxënësve më të mirë të qytetit të Tiranës?

Nuk e prisja të isha në mesin e nxënësve më të mirë të Tiranës megjithëse unë kam mësuar dhe kam bërë përpjekje të vazhdueshme për të arritur rezultate sa më ta larta. Erdhi si diçka e papritur për mua. 


Si e prite këtë fakt, si e përjetove? Po familja si reagoi, çfarë të thanë?

Kur më njoftuan nga drejtoria e shkollës u emocionova dhe u ndjeva shumë mirë sepse ishte diçka të cilën nuk e kisha përjetuar më parë. Vetvetiu të krijohet ndjenja e të qenit e vlerësuar.  Familja, si mbështetja ime më e madhe në rrugëtimin e dijes e priti gjithashtu shumë mirë duke më motivuar edhe për më tej. Padyshim të gjithë anëtaret e familjes ishin krenare për mua.                    

              

Cila është lënda më e dashur për ty?

Lënda në të cilën unë e gjej më tepër veten është biologjia. Kam shumë kuriozitet të njoh sesi funksionon trupi i njeriut dhe gjithçka që na rrethon.


Kjo për shkak se e adhuron mësuesen apo e tëra për shkak të lëndës?

Në këtë zgjedhje një rol të rëndësishëm ka edhe mësuesja, e cila me anë të mënyrës së të shpjeguarit fton dhe tërheq çdo nxënës të bëhet pjesë e botës së eksplorimit, të kuptojnë se si funksionojnë gjallesat.


Kjo arritje besoj se e ka sjellë më afër atmosferën e festave për ty, por çfarë do t’i kërkosh babagjyshit të Vitit të Ri?

Jo është  periudha më e bukur e vitit, e vetmja gjë që do t'i kërkoja babagjyshit është sa më shumë sukses për vitin pasues sepse është një vit vendimtar për të ardhmen time. 


Cila është ëndrra jote më e madhe? Çfarë po bën ti për ta realizuar?

Ëndrra ime më e madhe është që një ditë përpara një publiku unë të mbaj një fjalim inspirues që t'i motivojë të tjerët. Aktualisht unë po bëj atë çfarë kam në dorë për momentin, studioj që të bëhem e denjë për ëndrrën që i kam caktuar vetes.


(A. Hoxhaj; Portali Shkollor)

4,464 Lexime
6 vjet më parë