ARSIMIMI I GRUAS

Edukimi gjinor dhe shkolla

Arsimi është një instrument, me rëndësi të jashtëzakonshme, përmes të cilit mund të arrihet ndryshimi social. Shkolla dhe mësuesi janë institucionet që mund dhe duhet ta “qeverisin” edukimin gjinor në të gjitha kuptimet, në të gjitha dimensionet.

“Të gjithë kemi detyrim që të gjejmë zgjidhje për ata që s’kanë pasur asnjëherë mundësi: arsimim për vajzat që u është mohuar; mbrojtje ndaj të abuzuarve në shtëpi, apo në vendin e punës; mbrojtje për bashkëshortet dhe nënat që kanë vuajtur heshturazi; mundësi për pushtet të vërtetë politik dhe ekonomik, për gratë në çdo vend. Nëse do ta arrijmë këtë, do të krjojmë një botë më të mirë për fëmijët tanë, si për vajzat, ashtu edhe për djemtë”.


Arsimi është një instrument, me rëndësi të jashtëzakonshme, përmes të cilit mund të arrihet ndryshimi social. Nuk lidhet vetëm me sigurimin e shkollave të mjaftueshme, teksteve dhe mësuesve të kualifikuar, por edhe me një kontekst të caktuar social, i cili duhet të shihet si një e drejtë e të gjithëve, ku individët kanë mundësi të përmirësojnë mirëqenien e tyre sociale, ekonomike dhe të marrin pjesë në jetën publike. Niveli arsimor është një tregues i rëndësishëm që flet edhe për statusin e grave dhe vajzave në shoqëri. Ai ndihmon në fuqizimin e pozitës së grave, zhdukjen e hendekut midis burrave dhe grave, në shfrytëzimin e mundësive social-ekonomike.

 

Përkatësia gjinore i referohet roleve sociale dhe marrëdhënive ndërmjet burrave dhe grave. Ajo nuk i referohet kushteve biologjike të lidhura me maskulitetin dhe feminitetin. Përkatësia gjinore është shumëdimesionale dhe ndikon marrdhëniet që individët vendosin brenda një konteksti të caktuar  ekonomik, politik, social dhe kulturor. Ajo lidhet më mënyrën se si përdoret pushteti dhe mbi kë përdoret konkretisht ai, duke ndërtuar kështu një lidhje të fuqishme ndërmjet pritshmërive, detyrimeve dhe besimeve mbi meshkujt dhe femrave në shoqëri.


Në këtë kontekst proçesi i edukimit dhe marrëdhëniet brenda institucionit shkollor kontriubojnë në “formësimin” e identitetit gjinor dhe në përforcimin e roleve gjinore. Për të arritur një kuptueshmëri më të madhe të lidhjes ndërmjet përkatësisë gjinore dhe edukimit është e rëndësishme që edukimi, si proces social, të analizohet brenda vlerave dhe traditave të makrosistemit social.


Ai duhet të shihet si komponent i rëndësishëm i integrimit gjinor për çdo strategji kombëtare. Përmes tij mësohen mentalitete dhe sjellje të reja që sigurojnë barazpeshë gjinore dhe sfidojnë paragjykimet dhe stereotipat. Përmes studimit të lëndëve të shkollës, mjeteve didaktike, teksteve shkollore, përmes vlerësimit të sjelljeve të mësuesve, secili mund të arrijë në konkluzione mbi sjelljen dominuese dhe nevojën për ndryshim. Arsimimi i gruas dhe të drejtat e barabarta me burrat e mundësojnë ndryshimin.



Arsimimi i gruas është i rëndësishëm se: 

- Rritet produktiviteti i tyre, duke rritur të ardhurat dhe ulur varfërinë.

- Promovohet barazia gjinore brenda familjes dhe hiqen barrierat, kufizimet në rolin vendimmarrës. 

- Gratë e shkolluara rrisin fëmijë më të shëndetshëm dhe më të edukuar.


Shkolla duhet të marrë përgjegjësinë e domosdoshme për të treguar qartë se të dyja gjinitë kanë vlera të barabarta në shoqërinë e sotme, prandaj vëmendja duhet drejtuar tek politikat arsimore që udhëheqin shkollën.


Shkolla, mbetet një nga institucionet sociale të mirëorganizuara, me strukturë të brendshme, që mund dhe duhet të ndërtojë edukim të qëllimshëm dhe strategjik me theks gjinor. Veçanërisht, cikli i mesëm i shkollimit, që përkon me “moshën kulmore” të zhvillimit të të rinjve duhet ta identifikojë edukimin gjinor të të rinjve, si domosdoshmëri. 



Kjo sepse:

 - Shkolla dhe mësuesi përmes dijes shkollore, kanë potencialin e nevojshëm për të transmetuar te të rinjtë, përqasje të çështjeve gjinore që lidhen me retrospektivën historike dhe projeksionet e së ardhmes. 

- Shkolla dhe mësuesi janë institucionet që mund dhe duhet ta “qeverisin” edukimin gjinor në të gjitha kuptimet, në të gjitha dimensionet.

- Shkolla dhe mësuesi ndihmojnë ballafaqimin e nxënësve me integrimin dhe barazinë gjinore si me: të drejtat e njeriut, qytetarinë, dhunën në familje, integrimin europian, median, shëndetin riprodhues, zhvillimin e karrierës dhe mjedisin.


Të integrohemi së bashku...




Nga Brikena Kasmi, mësuese në shkollën "Shaban Çollaku"


Publikim Parajsa Shtini

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,955 Lexime
3 vjet më parë