Edukim dhe barazi për të gjithë
“Edukimi për të gjithë” nënkupton që të gjithë fëmijët duhet të kenë akses në arsimin bazë cilësor. Ai përcjell bindjen se përgjegjësia për të edukuar të gjithë fëmijët pa asnjë diskriminim i takon sistemit të zakonshëm arsimor.
Ç’është arsimi gjithëpërfshirës?
UNESCO e përkufizon arsimin gjithëpërfshirës si një proces të adresimit dhe përgjigjes ndaj nevojave të larmishme të të gjithë nxënësve. Përfshirja e të gjithë nxënësve sigurohet duke rritur pjesëmarrjen në të nxënë, kulturë dhe komunitet, dhe duke reduktuar përjashtimin brenda dhe prej sistemit arsimor. Arsimi gjithëpërfshirës përfshin ndryshime dhe modifikime në përmbajtje, përqasje, struktura dhe strategji të edukimit. Ai nënkupton që edukimi duhet të përfshijë të gjithë fëmijët dhe duhet t’i përshtatet zhvillimit moshor. Ai përcjell bindjen se përgjegjësia për të edukuar të gjithë fëmijët pa asnjë diskriminim i takon sistemit të zakonshëm arsimor.
UNESCO thekson: “Edukimi për të gjithë” nënkupton që të gjithë fëmijët duhet të kenë akses në arsimin bazë cilësor. Edukimi për të gjithë (EFA) nënkupton krijimin e mjedisit të shkollës dhe të programeve të edukimit në arsimin bazë, të cilat u mundësojnë të gjithë nxënësve të mësojnë, ose i mbështesin të gjithë nxënësit të arrijnë potencialin e tyre të plotë. Prandaj këshillohet që mjedisi duhet të jetë përfshirës për të gjithë fëmijët, ndërveprues me ta, miqësor, mirëseardhës, i shëndetshëm, që u siguron mbrojtje dhe është i ndjeshëm ndaj karakteristikave gjinore të tyre. Krijimi i këtij lloj mjedisi miqësor për fëmijët është pjesë thelbësore e përpjekjeve të të gjitha vendeve në botë me qëllim krijimin e aksesit dhe përmirësimin e cilësisë së shkollave.
Vështirësitë në arsimin gjithëpërfshirës
Disa nga vështirësitë kryesore në arsimin gjithëpërfshirës janë:
- Qëndrimet e mësuesve dhe metodat e ngurta.
- Mungesa e pajisjeve didaktike të përshtatura dhe mjeteve mësimore.
- Mungesa e teknologjisë komunikuese.
- Infrastruktura mjedisore dhe fizike jo e përshtatshme.
- Mungesa e zhvillimit të kurrikulave fleksibël dhe në përputhje me nevojat e fëmijëve me nevoja të veçanta.
- Kurrikulat ekzistuese kanë informacione të vakta për aftësimin e fëmijëve me nevoja të veçanta.
- Arsimi gjithëpërfshirës ende njihet pak në kurrikulat universitare të mësuesisë.
Dobia e arsimit gjithëpërfshirës
UNESCO jep tre arsye pse arsimi gjithëpërfshirës është alternativa më e mirë.
Së pari, ka një justifikim edukativ: kërkesat që duhet të plotësojë një shkollë gjithëpërfshirëse për të arsimuar të gjithë fëmijët së bashku, nënkupton që ajo duhet të zhvillojnë strategji të mësimdhënies, që u përgjigjen ndryshimeve individuale të secilit fëmijë, e për rrjedhojë të gjithë fëmijët të përfitojnë.
Së dyti, ka një justifikim social: shkollat gjithëpërfshirëse janë në gjendje të ndryshojnë qëndrimet e ti orientojnë ato drejt diversitetit, duke edukuar të gjithë fëmijët bashkë. Kështu formohen bazat për një shoqëri të drejtë dhe jo diskriminuese.
Së treti, ka një justifikim ekonomik: është më pak e kushtueshme të ndërtosh dhe mirëmbash një shkollë që edukon të gjithë fëmijët së bashku, sesa të ndërtosh një sistem kompleks, me tipe të ndryshme shkollash të specializuara për grupe të ndryshme fëmijësh.
Aksesi në edukimin universal përbën një parakusht për arsim gjiithëpërfshirës, por nuk është i mjaftueshëm. Për të arritur objektivat e arsimit gjithëpërfshirës, duhet që përveç aksesit, fëmijët të mësojnë në të njëjtat hapësira mësimore, pasi të mësuarit prej moshatarëve është po aq e rëndësishme sa të mësuarit prej librave apo mësuesve.
Sipas Konventës, rezultatet e arsimit gjithëpërfshirës përkufizohen si:
(a) Zhvillimi i plotë i potencialit njerëzor, ndjenjës së dinjitetit dhe vetëvlerësimit, fuqizimi I respektit për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe diversitetit njerëzor;
(b) Zhvillimi nga ana e personave me aftësi të kufizuar, i personalitetit, talenteve dhe krijimtarisë së tyre, si edhe i aftësive të tyre mendore dhe fizike, në potencialin e tyre të plotë;
(c) Mundësimi i personave me aftësi të kufizuar për të marrë pjesë në mënyrë efektive në një shoqëri të lirë.
Zahide Fejza, Fakulteti i Shkencave Sociale
Ms Pedagogji e Specializuar Sociale
Publikim Parajsa Shtini
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Siguria në arsim, baza për një të ardhme të qëndrueshme
Përditësimi i kurrikulave, sugjerime nga eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku
Siguria në shkolla dhe vendimi për TikTok: Masa të nevojshme apo të tepruara?