Rrëfimi

“Edhe unë mund të gaboj. Dhe nëse e bëj, tregomani!”

“Shpesh ndalem dhe reflektoj se sa herë presim që fëmijët dhe të rinjtë të sillen në një mënyrë determinuese, kur në realitet nuk e bëjmë ne të parët. Kur u themi që të mos e ngrenë zërin dhe pastaj e bëjmë vetë?”

"Fakti që jam një i rritur nuk do të thotë që kam gjithmonë të drejtë. Edhe unë mund të gaboj. Dhe nëse e bëj, tregomani! Do të më ndihmojë që të bëhem një mësues edhe më i mirë."


Kjo thënie duhet të jetë një rubrikë më vete dedikuar Mësueseve, më M të madhe, mësueseve të mira.


Që kur e kam ndeshur për herë të parë, pyes veten: çfarë domethënie ka?   

E bëj këtë pyetje sidomos për dy arsye: E para është se teknikisht unë nuk jam vetëm një mësuese. Në fakt veten e quaj më shumë edukatore se sa mësuese.  

Cila është diferenca?

  • Jo shumë, nëse i referohemi faktit që përveçse punoj në shkollë, punoj edhe në kontekste të tjera në të cilat jetojnë fëmijët e të rinjtë, si për shembull në familje apo në hapësira të ndryshme të socializuara. 
  • Por, duke e lënë mënjanë këtë terminologji konfuze, gjëja që më shumë më ka futur në mendime është: a jam vërtetë një mësuese e mirë? Ose më saktë, çfarë e bën një mësuese, mësuese të mirë?  
  • Nuk besoj që ka një përgjigje të vlefshme, universale për këtë pyetje, por mund t'ju them atë ç'ka do të thotë për mua. 
  • Do të thotë para së gjithash, të jesh prezent, gjithmonë, t'i bësh nxënësit të kuptojnë se përherë është dikush i gatshëm për t'i dëgjuar, në të mirë e në të keq. 
  • T'i ndihmosh nxënësit të njohin potencialet, aftësitë e të besojnë te vetvetja. 
  • T'u shpjegosh atyre atë që nuk kuptojnë e të gjejnë përgjigjen për aq shumë pyetje që u shfaqen në udhë e sipër. 
  • T’u mësosh të përballen me të tjerët, për të kuptuar që sigurisht kanë prioritet nevojat tona, por kanë rëndësi edhe të atyre që na rrethojnë.
  • Të marrin përgjegjësitë për të bërë diçka, çdo ditë, për të ndryshuar këtë botë që shpesh nuk na pëlqen, apo të vendosin drejtësi edhe në ato raste kur nuk cenohen drejt për së drejti. 

Si e di unë këtë? Apo më tej akoma, si e provoj? 

Në dy mënyra thelbësore:

- E para është ajo e tentativës për t'u vënë gjithmonë në lëkurën e tyre. Ta shoh botën përmes syve të tyre-të cilësdo moshë shkollore-sepse gjithsesi është një vështrim më i kujdesshëm dhe më i vëmendshëm se i imi. 

Besoj se një prej sekreteve themelorë është të mos harrojmë kurrë se si ndjehet njeriu në moshën e tyre, që do të thotë se çfarë nevojash kemi patur ne vetë në atë moshë. 

 Kjo është një nga të parat gjëra që i them vetes para se të nis mësimin. Është një frazë që përmbledh mënyrën se si unë vetë e shoh edukimin si proces. Një edukim që nuk nis nga lart dhe nuk fiksohet në skema strikte, por ndërtohet ditë pas dite, sipas nevojave të ndryshme, variabël siç janë jetët, historitë me të cilat unë hyj në kontakt. Të nis ditën me ta, nga ajo që ata kanë për të thënë. Kjo është themelore. 


-Mënyra e dytë kalon përmes shembujve të mirë, të cilat besoj se vlejnë më shumë se mijëra fjalë dhe teori. 

Shpesh ndalem dhe reflektoj se sa herë presim që fëmijët dhe të rinjtë të sillen në një mënyrë determinuese, kur në realitet nuk e bëjmë ne të parët. Kur u themi që të mos e ngrenë zërin dhe pastaj e bëjmë vetë? Ose që dhuna nuk tolerohet, e pastaj përdorim metodat- edhe verbalisht- të dhunshme? Si mund t'i mësojmë të ndihmojnë tjetrin të zhvillojnë sensin e solidaritetit, nëse kthejmë kokën mënjanë kur përballemi me situatë të pakëndshme?


Sot e kësaj dite në marrëdhënien me to, përpiqem të vë në jetë ato veprime që u korrespondojnë vlerave që do të doja t’u transmetoja atyre vetë. Është e lehtë? Aspak. 

Ndonjëherë ndjesia që gjithçka është fare e kotë, më bëhet kaq e fortë sa mendoj se është lodhje e çuar dëm. 


Por pastaj gjendem në episode dhe situata që në fakt më thonë se kjo është rruga e duhur dhe se vërtetë ia vlen. Disa ditë më parë një djalë më tha: "Zysha të dua shumë. Dhe e di pse? Sepse na trajton si persona që gjithmonë kanë diçka për të thënë."

Sigurisht që m'u deshën disa minuta të merrja veten nga një qashtërsi e tillë, më pas kuptova që janë pikërisht këto gjërat që nuk më lënë të braktis gjithçka kur loja bëhet "shumë e fortë", sepse, ju siguroj, "e fortë" është gjithmonë. 


Në pak fjalë qasja që kam kur përdor "të mitë" (siç më pëlqen të them për nxënësit e mi) fëmijët dhe nxënësit, është një qasje përkrah të drejtave të tyre, një fjalë e cila është fill drejtues i gjithë mënyrës se si e shoh unë edukimin. Të edukosh nën optikën e të drejtave do të thotë të nisesh nga predispozicioni se secili prej tyre është një subjekt autonom, me një identitet të vetin që duhet kuptuar dhe mbështetur në qenëshmërinë e tij unike. 


Kjo është bota ime, e bërë nga nxënës, të rinj por edhe nga nëna, baballarë, gjyshër, shkurt nga persona të familjes. Familjarë me të cilët përballem çdo ditë qoftë në jetën reale, qoftë në atë virtuale, me qëllimin e përbashkët për t'i shoqëruar në rritje, në një rritje të bukur. 


Kjo jam unë. A jam një mësuese e mirë? Nuk jam, por tentoj çdo ditë të jem. E këtë e bëj duke punuar, duke gabuar, duke përplasur kokën, por pa u dorëzuar asnjëherë.  


(Natasha Shuteriqi Poroçani, Portali Shkollor)

4,863 Lexime
7 vjet më parë