Shkolla “Zihni Magani”

“Duaje fort lëndën, nxënësit, puno. Suksesi është i garantuar”

Një bisedë me mësuesen e fizikës në shkollën “Zihni Magani” në Peqin, e cila flet për pasionin për punën, përkushtimin dhe çelësin e suksesit. Pas 30 vitesh punë ajo ka shumë për të treguar...

Për të fizika është lënda që i është përkushtuar 30 vite me radhë. I ka dhënë kënaqësi, i ka formuar vullnetin dhe i ka shtuar dëshirën për të ecur përpara. "Kur i hedh një sy rezultateve të nxënësve ndër vite jam e bindur që ia ka vlejtur". Ajo quhet Hajrie Malkja dhe është mësuese e fizikës në shkollën “Zihni Magani” në Peqin.

Është e bindur që puna, lodhja dhe përkushtimi i saj ndaj nxënësve nuk kanë shkuar kot pasi nënësit e saj tashmë janë të suksesshëm dhe mësuesja e fizikës ka mundr të lërë gjurmë tek ata. E pikërisht kjo e bën të ndihet mirë dhe i jep kurajon për të ecur përpara.

Mëngjeset e saj janë gjithmonë të vrullshme teksa shpejton hapat për të arritur në kohë në shkollë. Korrekte, e dashur dhe e përgatitur paraqitet përpara nxënësve të saj me regjistrin në dorë. Arrin të dominojë klasën me lehtësi, vitet e punës e kanë përgatitur për çdo situatë, ndërsa nxënësit dëgjojnë me interes shpjegimin e mësimit dhe ndjekin me sy çdo lëvizje të mësueses së tyre. 

Teksa e pyesim se si ka ndryshuar sistemi arsimor ndër vite mësuese Hajrija thotë: Është e vërtetë që sistemi arsimor është reformuar në shumë aspekte dhe në këtë kuadër dhe metodat e mësimdhënies dhe mësimnxënies. N.q.s më parë kultivoheshin metodat e të mësuarit mekanik me në qendër mësuesin ku nxënësi ishte thjesht objekti i orës së mësimit, sot ai është jo vetëm objekt, por dhe subjekti i saj. Sot ai është në qendër të orës së mësimit dhe mësuesi e menaxhon atë.”

Për ta bërë orën e mësimit me eficiente përpiqet vazhdimisht t’i përzgjedhë metodat në funksion që në qendër të saj të jetë nxënësi.
Mësuesja e fizikës përdor këto metoda:
a) Teknikat dhe metodat e punës në grup,
b) Teknikat dhe metodat e hulumtimit,
c) Teknikat dhe metodat për zhvillimin e të menduarit krijues dhe kritik.

Një nxënësi që e ka të vështirë të mësojë lëndën e fizikës ajo i thotë që asnjëherë të mos dekurajohet, asgjë s’është e pamundur, por duhet të kesh dëshirë, vullnet, këmbëngulje, për të arritur atë që do. Është e bindur që këto fjalë duhen shoqëruar me një punë të palodhur, plot pasion të mësuesit. Të dyja së bashku garantojnë suksesin e nxënësit.

Në mbyllje të bisedës, mësuesja e përkushtuar dhe e dashur për nxënësit e kolegët na tregon se motoja e saj është: “Duaje fort lëndën, nxënësit, puno shumë me to. Suksesi është i garantuar”.

Mësuese Hajrie Malkja është ndër mësueset më të mira të shkollës, shembull për t’u ndjekur nga nxënësit, ndërsa prindërit i janë mirënjohës për punën e palodhur që ajo bën. Edhe sot, pas 30 vitesh punë në arsim, punon me  të njëjtin pasion, me përkushtim dhe dashuri për të arritur rezultatet e dëshiruara nga vetë ajo, nxënësit dhe prindërit.

(Portali Shkollor)

5,491 Lexime
7 vjet më parë