“Shkolla Qendër Komunitare”

“Droga dhe alkooli, pasojat e tyre në shëndetin e individit”

Në shkollën “Halit Coka” u zhvillua një aktivitet sensibilizues me klasat e gjashta për efektet e alkoolit dhe drogës në shëndetin e njeriut. Punonjës të policisë të komisariatit numër 5 bashkëbiseduan me nxënësit.

Shkolla “Halit Coka” është pjesë e projektit “Shkolla Qendër Komunitare”. Në ambientet e kësaj shkolle zhvillohen vazhdimisht aktivitete të ndryshme. Kjo nismë bashkon më shumë treshen që garanton sukses në procesin e të mësuarit mësues-nxënës-prindër.

Në kuadër të këtij projekti u zhvillua një aktivitet sensibilizues me klasat e gjashta, tema e së cilit ishte “Droga dhe alkooli, pasojat e tyre në shëndetin e individit”. Të ftuar në aktivitet ishin punonjës të Policisë së Shtetit, konkretisht nga Komisariati numër 5 në kryeqytet të cilët bashkëbiseduan me nxënësit.

Gjatë bashkëbisedimit u përcollën mesazhe sensibilizuese, edukuese dhe ndërgjegjësuese për nxënësit dhe familjet e tyre për rreziqet që vijnë nga droga dhe alkooli. 

Nxënësit ndoqën me mjaft interes prezantimin e punonjësve të Policisë së Shtetit duke diskutuar dhe bërë pyetje për situata të ndryshme. Punonjësit e policisë iu përgjigjen të gjitha pyetjeve që ngritën nxënësit.

Veprimtaria u zhvillua nën moton: “Të punojmë së bashku për një qëllim të përbashkët”.

(Portali Shkollor)

3,194 Lexime
7 vjet më parë