Të flasim e të shkruajmë shqip

Driton Reshani: Fjalë të huaja, që mund të zëvendësohen me fjalët e gurrës shqipe

Driton Reshani në shkrimin e tij thekson pasurinë e gjuhës shqipe, që ofron mundësi për të shprehur nuanca të ndryshme, duke zëvendësuar fjalët e huaja me ato shqipe. Ai ilustron me shembuj konkretë mbrojtjen dhe ruajtjen e origjinalitetit të gjuhës tonë.

Nga Driton Reshani


Gjuhëtarët tanë thonë se gjuha jonë i ka të gjitha mundësitë reale dhe potenciale, kur njihet thellë e në gjerësi leksiku i saj, për të shprehur ngjyresat më të holla të mendimit. Këto aftësi i shohim që në gjuhën e thjeshtë të popullit e deri në gjuhën e ndërlikuar të shkencës e teknikës. Kështu, për rënien e shiut në popull dëgjojmë një mori shprehjesh, si: po riston, po pikon, po rigon ku secila jep ngjyresa të holla të veçanta. Kjo do të thotë se në gjuhën tonë gjendet një pasuri e madhe fjalësh e kuptimesh, të cilat arrijnë të mbulojnë më së miri kuptimet e fjalëve të huaja.


Disa fjalë të huaja, që i përkasin leksikut aktiv:


Afirmoj- nuk përdoret këtu ndër ne me kuptimin që e kabarasvlerësja e saj shqipe pohoj, por me kuptimin e fjalës popullarizoj. E afirmoj dikë, në gjuhën e shkruar këtu në Kosovë, do të thotë e popullarizoj a e bëj të famshëm dikë.


Balancë - fjalë me prejardhje nga gjuhët neolatine. Është zëvendësuar me formimin shqip peshore, -ja.


Civilizim - kjo fjalë mund të zëvendësohet plotësisht me fjalën qytetërim.


Deciziv - kjo fjalë mund të zëvendësohet plotësisht me fjalën shqipe vendimtar.


Eksperiencë - kjo fjalë mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përvojë.


Fals - duhet të zëvendësohet me fjalën shqipe i rremë.


Gusto - në vend të saj mund të përdoret fjala shqipe shije.


Hezitoj - në vend të saj duhet të përdoret fjala shqipe ngurroj.


Inkasim - fjalë e huazuar nga frëngjishtja. Kjo fjalë mund të zëvendësohet me fjalën shqipe arkëtoj.


Kaldajë - fjalë e huazuar nga italishtja. Në vend të saj mund të përdoret fjala shqipe ngrohtore.


Moment - fjalë e huazuar nga italishtja. Në vend të saj mund të përdoret fjala shqipe çast.


Nishan - fjalë me prejardhje nga turqishtja. Në vend të saj mund të përdoret fjala shqipe shenjë.


Ofensivë - në vend të saj mund të përdoret fjala shqipe mësymje.


Progresiv - edhe kjo fjalë e huaj me burim latin, përdoret kryesisht në gjuhën librore. Mund të zëvendësohet, sipas rastit, me fjalën shqipe i përparuar e përparues. 


Rigoroz - fjalë e ligjërimit libror me prejardhje nga gjuha latine. Mbiemri rigoroz është i zëvendësueshëm, në shumicën e rasteve, me fjalën i rreptë.


Sedilje - fjalë me burim nga italishtja. Në vend të saj mund të përdoret fjala shqipe ndenjëse.


Tentativë - fjalë e huazuar nga gjuhët neolatine. Kjo fjalë mund të zëvendësohet me fjalën shqipe përpjekje.


Vatan - fjalë me prejardhje nga turqishtja. Duhet të përdoret fjala shqipe atdhe.


Kështu, duke bërë herrjen e vazhdueshme të shprehjeve, të kalkeve dhe të fjalëve të huaja të panevojshme, e ruajmë të paprekshme natyrën e gjuhës shqipe dhe origjinalitetin e saj.



Literatura e shfrytëzuar:

Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, Prishtinë, 1989

Çështje të normës letrare, Prishtinë, 1980



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

835 Lexime
2 javë më parë