Dritan Staro: Kujdes me notën mësimdhënës...
Ndryshimi i notës nga shkolla në shkollë, nga mësuesi në mësues, nga njëri universitetet te tjetri, e bën notën në vetvete relative në vërtetësinë që ajo duhet të japë. Ndaj sa herë na duhet të bëjmë një vlerësim duhet të lexojmë këshillën e thjeshtë "Kujdes me notën mësimdhënës".
Vlerësimi në arsim është procesi gjatë të cilit mësimdhënësit sigurojnë të dhëna, nga mësimnxënësit, në mënyra të ndryshme dhe mbi bazën e tyre gjykojnë për arritjen e një rezultati arsimor, duke vendosur një kriter të caktuar.
Në procesin e mësimdhënies kalojnë tri faza kryesore: planifikimi i temës mësimore, zhvillimi i mësimit dhe vlerësimi i cili në fund të fundit përfundon me vendosjen e një shprehjeje, të një shkronje, apo të një numri. Të gjitha këto simbole përbëjnë atë që në arsim quhet notë.
Është folur e shkruar shumë për notën në arsim, për vërtetësinë që ajo mbart, në lidhje me të nxënit si nocion. Po a është ajo perfekte?
A tregon saktësisht barasvlerën me dijet që zotëron dhe aplikon nxënësi, a studenti?
A duhet të kemi vlerësim me nota, apo jo?
Kjo vlen të analizohet.
Nota është një etalon matës për përvetësimin dhe zbatimin e njohurive që nxënësi, studenti, apo dikush tjetër, ka marrë në një fushë të caktuar njohurish.
Nota si simbol është e ndryshme në stade të ndryshme të arsimimit. Në Shqipëri ajo ndryshon, p.sh në arsimin fillor në klasat I-III, vlerësimi bëhet me shprehje që i përkasin simboleve (numrave) nga 1-5, në klasat e tjera deri në arsimin universitar bëhet me numra arabë nga 4-10. Kjo ndryshon në vende të ndryshme.
Greqia, fqinji ynë juglindor, ka një vlerësim të larmishëm. Nga klasat I-II, ka vlerësimin me përshkrim (me fjalë). Në klasat III-IV, vlerësimi bëhet me gërma A-Δ. Përkatësisht A-Shkëlqyeshëm, Β-Shumë mirë, Γ-Mirë, Δ-Afërsisht mirë ose mjaftueshëm (Σχεδόν καλά).
Në klasat V-VI, notat janë me numrat nga 4-10 që korrespondojnë me shprehjet përkatësisht 9-10 Shkëlqyeshëm, 7-8 Shumë mirë, 5-6 Mirë, 4 Mjaftueshëm. Në klasat VII-IX vlerësimi bëhet me numra nga 1- 20.
Përkatësisht 18,5-20 Shkëlqyeshëm, 15,5-18,5 Shumë mirë, 12,5-15,5 Mirë, 10-12,5 Moderuar (Μέτρια), 1-10 E pa mjaftueshme ( Ανεπαρπκως).
Νë gjimnaz përkatësisht 18,1-20 Shkëlqyeshëm, 16,1-18 Shumë mirë, 13,1-16 Mirë, 10-13 Mjaftueshëm, 5,1- 9,9 E pamjaftueshme, 0-5 Keq ( κακώς) .
Në universitetet shtetërore studentet vlerësohen me notat 5-10.
Përkatësisht 8,50-10,00 Shkëlqyeshëm, 6,50-8,49 Më mirë (Λίαν καλώς),5,00-6,49 Mirë (καλώ).
Sistemi i vlerësimit të studentëve në vende të ndryshme si pjesë e kurrikulës së atyre vendeve ndryshon.
Në SHBA, sistemi me gjashtë pika
Ndërsa ka ekuivalente të përafërta me sistemin me 100 pikë, notat më së shpeshti përshkruhen si: 6 – I jashtëzakonshëm (Nderi i lartë), 5 – Superior (Nderi) , 4 – Mirë, 3 – E kënaqshme, 2 – Kalim i ulët, por vërtetues , 1 – Dështim i ulët , 0 – Dështim.
Sistemi me njëmbëdhjetë pikë
Disa shkolla të tjera të mesme në Shtetet e Bashkuara përdorin një sistem me njëmbëdhjetë pikë. Vlerat numerike zbatohen për notat si më poshtë:
A = 11, A− = 10, B+ = 9, B = 8, B− = 7, C+ = 6, C = 5
C− = 4, D+ = 3, D = 2, D− = 1, F = 0 .
Shumë pak shkolla të mesme amerikane përdorin një sistem dymbëdhjetë pikësh. Sistemi dymbëdhjetë pikësh ndryshon nga sa më sipër vetëm në përdorimin e notës A+, për të cilën aplikohet vlera 12.0.
Sistemi 1-2-3-4
Disa rrethe shkollore përdorin një sistem vlerësimi 1-2-3-4.
Gjermania ka sistemin 5 notësh. Në Japoni nxënësi nuk ngel në shkollimin elementar fillor etj.
Ajo që është e rëndësishme të theksohet është fakti sa kjo notë, ky vlerësim a është i barasvlershëm me dijen që nxënësi a studenti ka marrë? A është ky vlerësimi (kjo notë) e njëjtë në shkolla të ndryshme e aq më shumë në vende të ndryshme? Mësues a profesorë të ndryshëm, të të njëjtës kurrikul, a japin vlerësim të njëjtë për të njëjtën njësi mësimore? Nota e fituar në x-shkollë, a është e njëjta me një shkollë tjetër? Notat e fituara në fshat a periferi, a janë të njëjtat me ato në qytet?
Njerëzimi po përpiqet të unifikojë gjithçka, por akoma nuk shikojmë përpjekje të unifikimit të vlerësimit (të sistemit të notave). Ne se realizohet kjo lehtësitë do të jenë të mëdha për studentë që studiojnë anembanë botës.
Ndryshimi i notës nga shkolla në shkollë nga mësuesi në mësues, nga njëri profesor te tjetri, nga njëri universitetet te tjetri, e bën notën në vetvete relative në vërtetësinë që ajo duhet të japë.
Është kjo arsyeja që shumë shkolla dhe universitete private apo publike, në Shqipëri e gjetkë përdorin testime hyrëse në kurrikula të ndryshme. Ky fakt i thjeshtë detyron mësimdhënësit të jenë të kujdesshëm në lidhje me vlerësimin, ta bëjnë atë me përkushtim e vërtetësi, pa u ndikuar nga miqësia a ryshfeti. Misioni i arsimit ka qenë, është dhe do të jetë të formojë shoqërinë. Asnjëherë nuk duhet harruar ky mision, kaq i rëndësishëm për vendin e shoqërinë. Ndaj sa herë na duhet të bëjmë një vlerësim duhet të lexojmë këshillën e thjeshtë "Kujdes me notën mësimdhënës".
Përgatiti: Dritan STARO
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Si të përgjigjeni saktë në testimin me shkrim dhe me gojë (arsim)
Shkolla, komuniteti dhe roli i tyre në procesin e socializmit – Dr.Ermira Ymeraj
Familja sot dhe roli i saj në shoqëri